Mbrëmë, me shfaqjen “Im atë donte Adolfin” nga Teatri i Qytetit- Gjilan, u mbyll edicioni i 48-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, ku për tetë netë me radhë në skenën e Teatrit “Adriana” në Ferizaj u ngjitën trupa teatrore nga Shkupi, Korça, Prishtina, Prizreni, Gjilani, Kumanova, Ferizaj, dhe shfaqja mysafire “Le Pont” nga Franca me dy aktorët e kalibrit botëror, Rexhep Mitrovica dhe Arben Bajraktaraj. E veçanta e këtij edicioni të 48-të Festivalit të Teatrove në Ferizaj ishte konkurrimi me katër drama shqipe si dhe pjesëmarrja e shfaqjes mysafire nga Franca. Mijëra artdashës zunë vendet e tyre për të përcjellë çdo natë shfaqjet e programit të sivjetmë të Festivalit. Pas tetë netësh shfaqje teatrore të produksioneve ndër më të mira të sivjetmë, juria e festivalit e përbërë nga Prof. Fadil Hysaj, Blerta Rrustemi-Neziraj dhe Nexhat Xhokli dhanë këtë vlerësim:
-
Çmimi i gazetarëve ferizajas, Shfaqja “Gratë”, Teatri Shqiptar- Shkup;
-
Skenografia më e mirë: Mentor BERISHA, për shfaqjen, “Ata që ikin”, Teatri “Bekim Fehmiu”-Prizren;
-
Kostumografia më e mirë: Samka FERRI, për shfaqjen, “Ata që ikin”, Teatri “Bekim Fehmiu” – Prizren;
-
Roli më i mirë episodik: Vjosa ABAZI, Teatri “Adriana” -Ferizaj;
-
Roli dytësor më i mirë (Femër): Armenis Jovanovska Nokshiqi, Teatri Shqiptar -Shkup
-
Roli dytësor më i mirë (Mashkull): Avni Shkodra, Teatri Qytetit-Gjilan
-
Aktorja më e mirë – Çmimi “Adriana”:
Elia ZAHARIA, Teatri ”Andon Zako Çajupi” – Korçë;
-
Aktori më i mirë – Çmimi “Ismail Rama”: Shpëtim Selmani, Teatri Kombëtar i Kosovës
-
Regjia më e mirë: Qëndrim RIJANI, Teatri Shqiptar-Shkup
-
Çmimi për shfaqjen më të mirë të festivalit: Shfaqja “Gratë” Teatri Shqiptar-Shkup, çmim ky që ndryshe nga herat tjera ka një çek prej 1,000 eurosh.