Gjashtë vjet më parë, më 16 nëntor të vitit 2018 ka vdekur, në Austri, në moshën 70-vjeçare, Haki Hamit Qeriqi veprimtar, poet, përkrahës e ndihmëtar i luftës së UÇK-së. Haki Qeriqi ka lindur në Krojmir, të Drenicës në vitin 1948. Shkollën e Mesme të Tregtisë e ka mbaruar në Ferizaj. Në vitin 1984, meqë UDB-ja i bie në gjurmë veprimtarisë së tij ilegale ai largohet nga Kosova dhe me krejt familjen vendoset në Austri, ku ka jetuar prej asaj kohe e deri në vdekje. Në vitet 90-të të shekullit të kaluar, ka ndihmuar arsimin shqip në Kosovë me mjete shkollore të tubuara nga ai vetë dhe nga mërgimtarët. Ka qenë anëtar i Fondit të “Tre-përqindëshit”, për Austri. Qysh herët ka filluar të shkruajë poezi, skica dhe tregime të shkurta. Ka nxjerrë në dritë përmbledhjet poetike: “Malli i mërgimtarit” dhe “Meditime poetike”. Ka lënë në dorëshkrim poezi dhe tregime të temave të ndryshme. Ka vepruar edhe në kuadër të Fondit, “Vendlindja thërret” për Austri dhe ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë luftën e UÇK-së. Pas luftës ka ndihmuar edhe Radion-Kosova e Lirë.
Poezia e Haki Hamit Qeriqit, si ajo që është botuar dhe pjesa më e madhe, që ka lënë në dorëshkrim, është poezi atdhetare, tejet e përkushtuar dhe e ndërgjegjësuar kombëtarisht.