Më 20 nëntor të vitit 1972 u hap në Tiranë, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Me nismën e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, nga data 20 nëntor deri në 25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë zhvilloi punimet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Në Kongres u përfaqësuan gjerësisht forcat e shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare. Aty ishin të pranishëm 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi si dhe arbëreshë nga Italia. Synimi i mbledhjes së Kongresit ishte përcaktimi i parimeve dhe drejtimeve kryesore për hartimin e rregullave të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar kombëtare. Ky Kongres, si forumi më i lartë shkencor, analizoi e diskutoi gjerësisht parimet themelore, çështjet e përgjithshme dhe shumë zgjidhje të veçanta të drejtshkrimit të shqipes, si edhe probleme të tjera teorike e praktike, që kanë të bëjnë me normën letrare në përgjithësi. Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe kurorëzon një etapë të gjatë përpjekjesh për formimin e një gjuhe letrare të vetme e të përbashkët për gjithë popullin shqiptar dhe çel rrugën për ta përmirësuar më tej normën drejtshkrimore të kësaj gjuhe në pajtim me zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës e të kulturës sonë kombëtare. RKL TV-DIELLI Kalendari Kombëtar