Njëzet vjet më parë, më 21 qershor të vitit 1999, Radio-Kosova e lirë ka përmbyllur transmetimin në Malet e Berishës, ku kishte emetuar program prej 4 janarit të atij viti. Me lajmin kryesor të ditës lidhur me dëbimin e të gjitha forcave policore e ushtarake serbe nga Kosova, ishte përmbyllur me sukses transmetimi i kohës së luftës, ndërsa Radioja kishte paralajmëruar rifillimin e transmetimit në Prishtinë, në kushte dhe rrethana të reja. Misioni i kësaj Radioje ka qenë i lidhur ngushtë me luftën çlirimtare që është zhvilluar në Kosovë që nga nëntori i vitit 1997 e deri në fund të luftës. Ndërprerja e programit nga zonat e luftës, pikërisht në ditën e largimit zyrtar dhe definitiv të serbëve nga Kosova kishte simbolikën e vet domethënëse. Paralajmërimi i fitores qysh më 4 janar kishte qenë një hap tejet i guximshëm, por tani i bërë realitet. Radio “Kosova e lirë”, ka filluar transmetimin e emisioneve, më 4 janar të vitit 1999.
Në stafin e Redaksisë së Radios-Kosova e Lirë gjatë luftës kanë punuar: Ahmet Qeriqi, përgjegjës i radios, redaktor dhe hartues i shkrimeve të ndryshme tematike. Nezir Myrtaj, analist, hartues dhe redaktor i rubrikës ditore informative. Martin Çuni, gazetar, reporetr dhe realizues i programit ditor. Nusret Pllana, spiker, zgjedhës i muzikës dhe pjesëmarrës në realizimin e programit ditor. Habib Zogaj, Gazetar, bashkëpunëtor nga terreni. Valdet Hoti, teknik i zërit dhe realizues i programit ditor. Rizah Berisha, teknik, vozitës dhe furnizues. Fatmir Dugolli, teknik i radios dhe mirëmbajtës i pajisjeve elektronike. Gazmend Elshani, kameraman dhe luftëtar i lirisë, Milaim Berisha dhe Mentor Hoti punëtorë teknikë. Gjatë luftës kanë bashkëpunuar me këtë Radio shumë reporterë e gazetarë nga të gjitha zonat e luftës. Gjatë gjithë kohës së funksionimit të deritanishëm, ekipi i radios ka qëndruar në fshatin Berishë. Stabilimentet e transmetimit, antenat, transmetuesit, po ashtu kanë qenë të vendosura në pikat strategjike malore të këtij fshati.
Për Radion-Kosova e Lirë dhe Agjencinë Kosovapress gjatë luftës së UÇK-së kanë raportuar:
Zona Operative e Drenicës: Gani Koci, Murat Musliu, Tahir Desku, Destan Bajraktari.
Zona Operative e Pashtrikut: Ismet Sopi, Besim Baraliu, Ilaz Kadolli, Xhavit Bajraktari (dëshmor i kombit), Selatin Qeriqi, Naim Imeri, Fadil Bajraktari, Ajete Zogaj, Arbanë Qeriqi etj.
Zona Operative e Dukagjinit: Fitnete Ramosaj, Hyrie Veliu, Faton Mehmetaj, Salih Lajçi, Ali Geci, Remzie Zeqiraj.
Zona Operative e Shalës: Sabit Gashi.
Zona Operative e Llapit: Ismet Cakiqi, Muharrem Mahmutaj.
Zona Operative e Neredimes: Ruzhdi Jashari, Ali Uka, Hyrë Emini (dëshmore)
Zona Operative e Karadakut: Ahmet Isufi, Shemsi Syla Ismet Sylejmani
Stafin e gazetarëve dhe reporterëve gjatë luftës në Zvicër e ka udhëhequr Skënder Krasniqi
Më 21 qershor të vitit 1999 kanë rënë dëshmorë luftëtarë e lirisë: Osman Adem Krasniqi dhe Sami Gashi së bashku me dy ushtarë anglez, me rastin e shpërthimit të minave që i kishin vendosur forcat serbe gjatë ikjes në Kosova, te shkolla e fshatit Arllat, në Drenicë. Me këtë rast nga shpërthimi i minave ka humbur jetën edhe, Milazim Gashi.