25 vjet më parë, më 22 maj të vitit 1999, qytetarët e Vushtrrisë, janë ballafaquar gjatë një sulmi barbar nga makineria vrastare e Sllobodan Millosheviqit dhe njësitë e banditit vrastar Arkan, i njohur për krime edhe në Kroaci dhe në Bosnje-Hercegovinë. Atë ditë shumicën e qytetarëve shqiptarë ushtarët e policët serbë i kanë larguar me forcë nga shtëpitë e tyre, dhe i kanë detyruar të grumbullohen te vendi i njohur “Te varrezat” në qytetin e Vushtrrisë. Familjet në ish rrugën “Abdullah Shabani”, tani rruga “22 Maji”, janë larguar nga shtëpitë e tyre. Mirëpo, një grup shqiptarësh prej 68 vetash, i kanë detyruar të ndalen në shtëpinë e Kahriman Pasomës. Ndërsa, të tjerët e kësaj lagjeje i kanë detyruar të shkojnë te vendi i quajtur “Te varrezat” në Vushtrri. Gjatë kësaj kohe, serbë i kanë plaçkitur qytetarët shqiptarë e pastaj i kanë ndarë në tri grupe: Gratë me fëmijë deri në moshën 15 vjet, të moshës së re dhe mesatare dhe të moshuarit. Disa nga të grumbulluarit, rreth 1000 veta, i dërguan në sallën e sportit, ku i kanë torturuar në forma të ndryshme, dhe pastaj, disa i kanë dërguar në burgun e Smrekonicës (fshat në veri të Vushtrrisë) dhe disa të tjerë për në Shqipëri. Atë ditë qindra qytetarë janë torturuar brutalisht në forma çnjerëzore, pastaj janë ekzekutuar të gjithë, shumica me një plumb në kokë – në ballë. Në mesin e të ekzekutuarve kishte femra dhe fëmijë të moshës 15 vjeçare, si dhe pleq e plaka.
Më 22 maj të vitit 1999, në frontet e luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorë:
Më 22 maj të vitit 1999, në frontet e luftës së UÇK-së kanë rënë dëshmorë: Arsim Ahmet Zogiani, Avdyl Gafurr Luma, Besim Aziz Kabashi, Blerim Hamit Zuqaku, Danush Tefik Kurtaj, Halil Nezir Metaj, Ramiz Ramë Memia, Suad Isen Brava, Tefik Bafti Raka, Zahir Sadik Agushi, Gafurr dhe Qani Luma, Adem Idriz Jasiqi. Prej 19 deri më 22 maj të vitit 1999, në Burgun e Dubravës së Istogut, policia dhe ushtria serbe kanë vrarë e masakruar mizorisht rreth 130 shqiptarë të burgosur paraprakisht. ( RKL- TV-Dielli Kalendari Kombëtar)