25 vjet më parë, më 24 mars të vitit 1999, rreth orës 20.00 Aleanca Veriatlantike, NATO kishte filluar bombardimin e Jugosllavisë së mbetur, Serbi-Mali i Zi, për shkak të dhunës, spastrimit etnik dhe dëbimit të shqiptarëve nga Kosova. Fillimin e bombardimeve e kishte lajmëruar nga selia e NATO-s, në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm, Havier Solana.
Më 24 mars të vitit 1998, shënohet Beteja e Gllogjanit, ku kanë rënë dëshmorë, Himë Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj.
Më 24 mars 1999 forcat policore dhe ushtarake serbe në fshatin Kotlinë të Kaçanikut, kanë vrarë 14 civilë shqiptarë dhe në mbrojtje të tyre kanë rënë 11 luftëtarë të UÇK-së.
Më 24 mars, në Kotlinë kanë rënë dëshmorë: Adnan Loku, Ismail Kuçi, Salih Vlashi, Nexhadi Kuçi, Xhemajl Kuçi, Neshat Rexha, Sabit Loku, Sabri Loku, Cenë Loku, Hamdi Sejdi Sejdiu, Sabit Halim Rrahmani, Fatmir Selmani. Po atë ditë serbët kanë masakruar 14 pjesëtarë të popullatës civile në zonën e Kaçanikut.
Më 24 mars, ka rënë dëshmor, në luftë kundër forcave serbe: luftëtari i lirisë, Ismet Asllani, Komandant i Logjistikës i Zonës Operative të Llapit. ( RKL TV-Dielli, Kalendari Kombëtar)