Më 25 nëntor të vitit 1997 forcat e UÇK-së në krye me Adem Jasharin, sulmuan forcat e policisë serbe, në fshatin Vajanik të Skenderajt. Atë ditë policët serbë kishin rrethuar lagjen Binakaj të fshatit Vajanik të Skënderajt, me qëllim për ta arrestuar luftëtarin e Adem Jasharit, Abedin Rexha, i njohur me nofkën e luftës, “Sandokani”. Abedin Rexha bashkë me vëllezërit: Afrimin, Brahimin dhe bashkëluftëtarë të tjerë u kishte dalë përballë forcave serbe duke iu kundërpërgjigjur me breshëri zjarri të automatikut. Gjatë luftimeve, serbët kishin plagosur 11-vjeçarin, Baki Krasniqi. Atë ditë policët serbë pasi kishin humbur dy pjesëtarë u tërhoq me shpejtësi nga frika se do të pësonin edhe më keq.
Ditën e nesërme më 26 nëntor të vitit 1997, forca të shumta të policisë serbe me autoblinda pizgauerë mitralozë të rëndë dhe me një helikopter të policisë, i cili përcillte zhvillimet nga lartë, ishin nisur në relacionin Skenderaj-Llaushë-Rezallë e Re. Në vendin e quajtur “Klisyra”, në drejtim të Turiçecit, kishte zënë pritë komandanti, i UÇK-së, Adem Jashari me një duzinë luftëtarësh të tij. Atë ditë, forcat serbe, u sulmuan në befasi. Edhe pse ata kishin armatim të rëndë dhe ishin me numër të madh, që në fillim e humbën orientimin, meqë sulmi i rrufeshëm i çlirimtarëve të Adem Jasharit dhe i vetë Komandantit nuk u kishte lënë shteg për t’ i akorduar veprimet luftarake. Piloti i helikopterit, disa herë i goditur nga armët e luftëtarëve të lirisë nuk kishte guxim të lëshohej më poshtë, për t’iu shkuar në ndihmë të plagosurve, meqë ndodhej në rreze të veprimit të armëve të luftëtarëve të Adem Jasharit. Gjatë tërheqjes së turpshme në drejtim të Skenderajt, forcat serbe, në shenj hakmarrjeje derdhin breshëri plumbash në shkollën e fshatit Llaushë, me ç’ rast merr plagë vdekjeje mësuesi, Halit Geci, ndërsa plagoset edhe arsimtari tjetër, Shaban Rreci, nga Llausha. ( Kalendari Kombëtar TV-Dielli-RKL)