Më 25 nëntor 1998 u zhvilluan luftime në Vojnik të Skënderajt dhe jo në Rezallë të Re (ish-Ludovik)

Më 25 nëntor të vitit 1997, forcat policore serbe kishin rrethuar lagjen Binakaj të fshatit Vojnik të Skënderajt, me qëllim për ta arrestuar luftëtarin,( tani dëshmor) Abedin Rexha, i njohur me nofkën e luftës, “Sandokani”.  Abedin Rexha bashkë me vëllezërit: Afrimin, Brahimin dhe bashkëluftëtarë të tjerë  u kishte dalë përballë forcave serbe duke iu kundërpërgjigjur me breshëri zjarri të automatikut. Gjatë luftimeve, serbët kishin plagosur 11-vjeçarin, Baki Krasniqi.  Atë ditë policët serbë  pasi kishin humbur dy pjesëtarë u tërhoqën me shpejtësi nga frika se do të pësonin edhe më keq.


 


Të nesërmen, më 26 nëntor, forca të shumta të policisë serbe me autoblinda pizgauerë mitralozë të rëndë dhe me një helikopter që përcillte zhvillimet nga lartë, ishin nisur në relacionin Skenderaj-Llaushë-Rezallë e Re. Në vendin e quajtur “Klisyra”, në drejtim të Turiçecit, kishte zënë pritë komandanti, Adem Jashari me njëzet luftëtarët e tij. Atë ditë, forcat serbe, në këtë pritë, u sulmuan në befasi. Edhe pse ato kishin armatim të rëndë dhe ishin me numër të madh, që në fillim e humbën orientimin, meqë sulmi i rrufeshëm i çlirimtarëve të Adem Jasharit dhe i vetë Komandantit nuk u linte shteg për ti akorduar veprimet luftarake. Piloti i helikopterit, disa herë i goditur nga armët e luftëtarëve të lirisë  nuk kishte guxim të lëshohej më poshtë për t’iu shkuar në ndihmë të plagosurve, meqë ndodhej në rreze të veprimit të armëve të luftëtarëve të Adem Jasharit.


Gjatë tërheqjes së turpshme në drejtim të Skenderajt, forcat serbe, në shenj hakmarrjeje derdhin breshëri plumbash në shkollën e fshatit Llaushë, me ç’rast merr plagë vdekjeje mësuesi, Halit Geci, ndërsa plagoset edhe arsimtari tjetër, Shaban Rreci, nga Llausha.


Serbët kthehen të mundur. Shtypi, i quajtur i lirë dhe i pavarur i Beogradit e përshkruan ngjarjen, duke u mbështetur kryesisht në versionin zyrtar serb. Pranohet botërisht humbja e betejës, por paralajmërohen ndeshje të reja. Pranohet po ashtu fakti se policia serbe qysh moti e kishte humbur kontrollin gjatë natës në Drenicë, ndërsa tanimë po e humbiste kontrollin edhe gjatë ditës.


Shtypi zyrtar i Beogradit propagandonte me të madhe se në Kosovë kishin hyrë dhe vepronin grupe “terroristësh” nga shumë shtete të Evropës.


 


Më 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor Halit Geci në fshatin Llaushë, me miratimin e Adem Jasharit, tre luftëtarë të lirisë, Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj, dalin publikisht të maskuar, por me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me armë automatike. Ata shpalosin qëllimin e luftës çlirimtare, si alternativë të vetme për ta shporrur nga Kosova pushtuesin serb.


Brohoritjet e mijëra pjesëmarrësve në varrim, për UÇK-në, konfirmonin plebishitin alternativ të lëvizjes paqësore. Trimat dhe trimëreshat e komandantit legjendar Adem Jashari, tanimë lëviznin lirshëm në Drenicë dhe në Dukagjin.


 


 


26. 11. 2015     ora 6 dhe 8.00


 


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka siguruar se protesta e 28 Nëntorit, do të jetë e qetë. Me këtë rast, ai ka ftuar të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në protestat e opozitës për mbrojtjen e shtetit. “Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës, i madh e i vogël, që me 28 nëntor të jemi bashkë në tubimin paqësor në mbrojtje të shtetit”, thuhet në mesazhin e Haradinajt të afishuar në rrjetet sociale.


 


Aktivistë të Vetëvendosjes, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, kanë realizuar një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Ata vendosën një mbishkrim me shkronja të mëdha ‘Për Republikën’. Me këtë rast, përfaqësuesit e partive opozitare u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen manifestimit të 28 Nëntorit, ku do t’i kundërshtojnë Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe, si dhe demarkacionin me Malin e Zi. Opozita përsëriti se qëllimi i vetëm i manifestimit të 28 nëntorit është bashkimi i qytetarëve për të mbrojtur Republikën e Kosovës.


 


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, ka thënë se ata që ushtrojnë dhunë ndaj grave nuk janë burra. “Ata burra që ushtrojnë dhunë nuk janë burra, ata janë qyqarë që nuk kanë forcë të ballafaqohen me realitetin”, ka thënë Veseli, por nuk ka treguar se çfarë burrash janë ata që i shajnë gratë në Kuvend. “Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Kundër Gruas në Kosovë, është para së gjithash ditë e homazhit për nënat dhe vajzat e shoqërisë sonë, që janë viktima të dhunës në familje. Njëkohësisht, është ditë e turpit, për të gjithë ata bashkëshortë e familjarë që ushtrojnë dhunë në emër të zakoneve të mykura të së kaluarës”, ka deklaruar Veseli, duke shtuar se vetëm në pesë vitet e fundit, janë afër gjashtë mijë raste të raportuara të dhunës në familje, është shprehur Veseli.


 


Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralin italian Guglielmo Luigji Milietta, me të cilin folën për forcimin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe NATO-s, përmes pranisë së KFOR-it. Të dy bashkëbiseduesit ishin të mendimit se prania e KFOR-it është një kontribut për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por edhe në regjion. Kuçi përmendi me theks të veçantë praninë e KFOR-it në veri të Kosovës, duke vlerësuar se ky mision do të jap kontribut edhe në zbatimin e Marrëveshjes së Drejtësisë në këtë pjesë të vendit. Në anën tjetër, komandanti i KFOR-it, gjeneral Miglietta, theksoi se ky mision do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës dhe do të ofrojë ndihmën e nevojshme për organet e sigurisë. Sidoqoftë, në këtë takim, ministri Kuçi nuk e ngriti si problem vizitën provokative të kryegjeneralit serb, Lubisha Dikoviq, që akuzohet për krime lufte ndaj shqiptarëve, vizitë kjo e bërë me ftesë të KFOR-it.


 


Trafikanët nga Kosova që bëjnë transportimin ilegal të migrantëve, janë më të identifikuarit nga autoritetet zvicerane. Siç bëjnë me dije mediet nga Zvicra, gjatë këtij viti, përkatësisht nga perudha janar-tetor, janë kapur afërsisht kontrabandistë me refugjatë sa në gjithë vitin e kaluar. Në rajonin kufitar II, rreth kantonit të Cyrihiut, trafikantët e dytë pas atyre nga Eritrea, kanë qenë ata nga Kosova. Madje në nivel të Zvicrës, në vend të parë kanë qenë trafikantët shqiptarë nga Kosova, nga të cilët janë arrestuar për trafikim 53 veta.


 


Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës, e caktuar për datën 30 nëntor, nuk do të jetë ndryshe nga seancat që jemi mësuar t’i shohim: me lotsjellës, konfrontime e gjuhë të ashpër. Kjo pasi që opozita nuk e ka ndërmend të heq dorë nga veprimet për bllokimin e seancave, deri në përmbushjen e kërkesave të saj. Deputeti i Nismës, Zafir Berisha, ka thënë se partitë opozitare nuk do të tërhiqen nga qëndrimet e tyre, derisa të tërhiqet nënshkrimi nga marrëveshjet e dëmshme. “Ne do të veprojmë njëjtë me atë çfarë të mundemi deri në tërheqjen e nënshkrimeve të cilat po i bëjnë dëm vendit”, ka thënë deputeti, Zafir Berisha.


 


Në kohën kur ka shqiptarë që mezi presin liberalizimin e vizave për të ikur drejt Evropës, patriarku satana serb, Irinej u ka bërë thirrje të gjithë serbëve që kanë jetuar në Kosovë, të kthehen në shtëpitë e tyre. “I ftoj të gjithë ish-banorët e Kosovës të kthehen nëpër shtëpitë, tempujt dhe varrezat e tyre e të mbrojnë dhe ruajnë atë që e kanë trashëguar nga paraardhësit e tyre”, ka deklaruar Irinej, I cili para disa jaësh nuk kursehej as nga thirrjet për përdorimin e forcës për të rikthyer Kosovën. Gjatë shënimit të festës së Shën Stefanit në Manastirin e Deçanit, morën pjesë edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq si dhe dy ministrat serbë të Qeverisë Mustafa, Branimir Stojanoviq dhe Dalibor Jevtiq.


 


Qeveria e Kosovës ka ndarë katër milion euro për Radio Televizionin e Kosovës. Këto mjete RTK do t’i ketë në dispozicion vetëm për gjashtë muaj të vitit 2016. Gjatë kësaj periudhe komisioni funksional në bazë të ligjit aktual të RTK-së të gjejë mënyrën e financimit të RTK. Ky propozim i Qeverisë është përkrah edhe nga Komisioni për Buxhet dhe Financa gjatë amandamentimit të projektbuxhetit për vitin 2016.


 


Janë certifikura 130 koordinatorë për sigurim të cilësisë në shkollat e Arsimit dhe Aftësimit Profesional të Kosovës, të cilët kanë ndjekur trajnimin “Përgjegjësitë e menaxhmentit dhe menaxhimi i burimeve njerëzore dhe fizike në Arsim dhe Aftësim Profesional. Në ceremoninë e certifikimit të tyre, ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dr. Arsim Bajrami ka thënë se kjo ministri ka për synim ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në arsim, krijimin e shkollave dhe sistemit cilësor edukativo-arsimor, të bazuar në nevojat e tregut të punës. “Mendoj se investimet në arsimin profesional duhet të rriten, por duhet te kemi edhe ndërtim sa më të shpejtë të standardeve të arsimit profesional. Ndërsa, po punojmë me partnerë rajonal e ndërkombëtarë që kanë traditë arsimin profesional, siç janë Gjermania, Austria, Luksemburgu, Zvicra dhe shtetet tjera të Bashkimit Evropian, që e mbështesin dhe janë të gatshme të mbështesin arsimin profesional në kuptimin e ndërtimit të standardeve”, ka thënë Bajrami.


 


 


 


 


 


 


 


 

Kontrolloni gjithashtu

Avdullah Hoti: Dialogu të zhvillohet në Bruksel dhe Uashington dhe jo nëpër skuta e hotele të plazheve siç po dialogon Kurti

Avdullah Hoti: Qeveria Kurti është më e dobëta që nga pavarësia, pa rezultate dhe me degradim për vendin

Ish-kryeministri dhe kandidati për deputet nga LDK, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër qeverisjen e Albin …