Më 26 mars të vitit 1981, në Prishtinë, u zhvilluan demonstratat e dyta të studentëve me kërkesë për Kosovën Republikë, pas atyre të 11 marsit. Atë ditë, njësitë speciale të federatës jugosllave kanë maltretuar fizikisht qindra studentë e studente shqiptare sidomos në Konviktin numër 3 të Studentëve në Prishtinë por edhe kudo ku kishte marrë hov protesta.
Po atë ditë nëpër Qendrën e Prishtinë kishte parakaluar e ashtuquajtura, “Stafeta e Rinisë”, e cila mbahej çdo vit në kujtim të kryetarit të atëhershëm të RSFJ-së, Josip Broz Tito edhe pse ai kishte vdekur në verë të vitit 1980.
Ndeshja mes rinisë studentore, e cila përpiqej të protestonte në qendër të kryeqytetit dhe njësive speciale të Federatës jugosllave, por edhe Policisë së Kosovës, kishte qenë shumë e rreptë dhe kishte pasuar me lëndimin e shumë protestuesve dhe arrestim e qindra prej tyre. Kjo protestë i parapriu organizmit të përgjithshëm popullor më 1.2 dhe 3 prill 1981 që shënoi edhe hendekun e madh mes shqiptarëve liridashës, që kërkonin krijimin e Republikës së Kosovës dhe atyre që pajtoheshin me autonominë dhe Jugosllavinë e konsideronin si shtetin e tyre.