Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, sot ka firmosur një Urdhëresë Administrative, që ka të bëj me hapjen për qarkullim të Bulevardit “Ibrahim Mazreku”. Sipas kësaj urdhërese të Kryetarit Kastrati, Bulevardi “Ibrahim Mazreku” do të hapet të martën, më datë 27 qershor 2023, në ora 07:00, për qarkullimin e të gjitha mjeteve motorike deri në peshën 3.5 ton, nga Ura e madhe në qendër të qytetit deri tek rrethi i ri, që shkon në drejtim të shtëpisë së shëndetit “Shpëtim Robaj”. Kjo urdhëresë parasheh edhe rregullat e mëposhtme:
-Ndalohet qarkullimi i mjeteve motorike çdo mbrëmje nga ora 20:00 deri në ora 24:00.
-Të gjitha bizneset që ushtrojnë aktivitete ekonomike përballë kësaj rruge ose që kanë dalje të obligueshme në këtë rrugë, mund të kryejnë furnizimin nga ora 24:00 deri në ora 9:00 të ditës vijuese, mirëpo paraprakisht duhet të pajisen me dokumentacionin e nevojshëm, nga Drejtoria për Shërbime Publike, në lidhje me të drejtat përkatësisht detyrimet të cilat dalin sipas kësaj urdhërese.
-Bizneset që ushtrojnë aktivitete ekonomike apo që kanë dalje në këtë rrugë, duhet të pajisen me pëlqim të Drejtorisë për Shërbime Publike edhe me rastin e vendosjes së shkallëve, aparaturave të gastronomisë apo aparaturave tjera të nevojshme për ushtrimin e aktiviteteve ekonomike, tavolinave, karrigeve dhe të ngjashme në këtë Bulevard.
-Ndalohet parkimi i të gjitha automjeteve (përveç atyre zyrtare të cilat janë në kryerje të detyrës zyrtare) duke përfshirë edhe trotuaret e Bulevardit. Drejtoria për Shërbime Publike në bashkëpunim me Drejtorinë për Inspektorat, do të vendosin shenjat paralajmëruese konform dispozitave ligjore dhe kësaj urdhërese.
-Ndalohet hedhje e mbeturinave jashtë orarit të përcaktuara nga KRM “Ekoregjioni“ njësia në Malishevë, personat fizik, ose personat përgjegjës të personave juridik-bizneseve, që hasen duke hedhur mbeturina jashtë orarit zyrtarë, me këtë rast ndotin ambientin për rreth, do të gjobiten konform dispozitave ligjore në fuqi, njëherit lëndët do të procedohen për gjykatë, për marrjen e masave tjera shtesë.
-Për zbatimin e kësaj urdhërese administrative, autorizohen Drejtoria për Inspektorat dhe Drejtoria për Shërbime Publike, në bashkëpunim me Policinë e Republikës së Kosovës, Stacioni në Malishevë.