Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatrat Verboc e Shtuticë, Komandanti, Ilaz Kodra niset për t’i shkuar në ndihmë popullatës. Në mëngjesin e hershëm të 30 prillit të vitit 1999 rreth orës 5.30 kishte filluar breshëria e sulmit nga forcat armike, të cilat kishin rrethuar vendin në formë patkoi. Në mbrojtje të popullatës, të cilën po e masakronte mizorisht ushtria dhe policia serbe kanë rënë dëshmorët e UÇK-së: Komandanti i Brigadës 114, Fehmi Lladrovci në zonën Operative të Drenicës, Ilaz Ismail Kodra, pastaj Antigonë Fazliu, Lutfi Avdush Musiqi, Bajram Mehmet Aliu, Ferat Xhafer Dvorani, Hamdi Kadri Ferati, Hysni Xhafer Dvorani, Imer Fazli Dvorani, Isa Adem Ferati, Nuhi Lan Dvorani, Sejdi Smajl Kralani, Afrim Krasniqi e dëshmorë e shumë martirë të tjerë.
“Ilaz Kodra ka qenë burrë shumë i urtë dhe besnik, shok i pandarë i Adem Jasharit dhe luftëtar tejet i zhdërvjellët për aksione guerile. Ka qenë burrë i fjalës dhe i pushkës. Nuk duronte padrejtësi dhe mbronte gjithmonë të vërtetën. Ilazi ka qenë pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë”, është shprehur bashkëluftëtari i tij, kryesuesi i drejtorisë Politike të UÇK-së gjatë luftës, Hashim Thaçi.
Prekazi, veçmas: Jasharët, Mehajt, Kodrajt dhe Lushtakët, si në të kaluarën ashtu edhe në epopenë lavdiplote të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë dhënë shembujt më të lartë të sakrificës dhe heroizmit për çlirimin e vendit nga pushtuesi serb. Në vitin 1991 një grup atdhetarësh nga Kosova, Zvicra e vende të tjera, me Adem Jasharin në krye, u stërvitën ushtarakisht në Shqipëri, për luftë të armatosur, guerile. Adem Jashari, i pari krijoi grupin e Drenicës dhe në vitin 1992 filloi aksionet e para luftarake. Më 5 prill 1993, në kullën e tij u organizua një mbledhje me luftëtarët e njësiteve guerile dhe veprimtarët politikë. Adem Jashari propozoi që të gjitha aksionet të kryheshin në emër të Ushtrisë së Kosovës. Në këtë mbledhje u mor vendimi për emërimin e Adem Jasharit Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë së Kosovës, e cila në vjeshtën e vitit 1994, me pëlqimin e tij mori emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës. (RKL TV-Dielli Kalendari Kombëtar)