Më 4, 2. 1944 forcat kuislinge të Xhafer Devës pushkatuan 84 antifashistë, 400 i mbyllën në kampet e përqendrimit

Sot bëhen 80 vjet nga masakra e ndodhur në Tiranë, ku  u pushkatuan mizorisht 84 antifashistë dhe 400 të tjerë u mbyllën në kampet e përqendrimit. Operacioni i 4 shkurtit, i quajtur Masakra e 4 shkurtit të vitit 1944, ishte një operacion kundëraksion i autoriteteve shtetërore të Mbretërisë Shqiptare si përgjigje e atentateve që komunistët u kishin bërë figurave politike. Masakra e 4 shkurtit të vitit 1944 në Tiranë ka mbetur një enigmë në lidhje me motivin dhe numrin e të vrarëve. Historiografia shqiptare ende debaton në lidhje me këtë ngjarje, teksa në ndihmë vjen edhe dokumentacioni britanik i kohës për motivin dhe realitetin politik të atyre ditëve të para të shkurtit 1944. Në dosjen e inteligjencës ushtarake është edhe një paragraf për masakrën  e 4 shkurtit. Në datën 3 shkurt, një atentat i pasuksesshëm raportohet të ketë ndodhur mbi kolaboracionistin Xhafer Deva ministër i Brendshëm  i Qeverisë kuislinge.

Po cilët ishin kriminelët autorë që e hartuan, e miratuan dhe e zbatuan atë masakër, në atë natë të errët dimri acar të vitit 1944?  Ideator ishte oficeri i Gestapos hitleriane Haufman Langon, përfaqësuesi personal i Hitlerit në Shqipëri. Miratues i planit të zi ishin krerët e Ballit Kombëtar, me Mit’hat Frashërin, alias Lumo Skëndon dhe zbatues kryekriminelët, bashkëpunëtorë të Haufmanit, qentë e tërbuar nga disfatat e njëpasnjëshme që po pësonin në luftime: Kadri Cakrani, Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Xhelal Staravecka, Hysni Dema me shokë.

Tinana atë mesnatë u rrethua nga të katër anët me bashibozukët e Ballit dhe të regjimentit “Kosova”. Me grupe të posaçme terroriste të tyre, të komanduara nga hafijet e Gestapos: Osman Kazazi, Osman Kukaleshi, Seit Metja, Halim Begeja, Halil Mëniku, Sit Demneri, Arif Merepeza, Zaçe Hatibi e të tjerë u lëshuan rrugëve të Tiranës, shqyen porta e dyer dhe rrëmbyen nga shtrati me qindra banorë të Tiranës, i hoqën zvarrë, i masakruan, 84 prej tyre i vranë dhe rreth 400 të tjerë, një pjesë i burgosën dhe të tjerët i degdisën në kampet e shfarosjes.

Tirana u gdhi me një mëngjes të tmerrshëm. Trupa të masakruar dhe të shpërndarë nëpër rrugë e sheshe. Nëna dhe fëmijë që qanin me kuje. Tiranë e mbytur në gjak e terror. Nazistët dhe ballisto-zogistët zgërdhiheshin, fërkonin duart e përgjakura dhe mburreshin para padronëve, për veprën makabre të natës së errët. Në shtypin zyrtar atë mëngjes shkruhej: “…Gjaku duhet të rrjedhë rrëke nëpër rrugët e Tiranës, në se kërkojmë me rivendosë qetësinë. Një ditë terrori siguron 10 vite qetësi…”.

Por edhe kjo masakër, edhe ky terror nuk u siguroi asnjë minutë qetësi xhelatëve hitlerianë dhe bashkëpuntorëve të tyre, tradhëtarëve shqiptarë. Ai ndezi edhe më shumë zemërimin e popullit dhe flakët e Luftës Antifashiste. Pa u mbushur viti u dhanë përgjigjen që meritonin, me çlirimin e Tiranës dhe të krejt Shqipërisë më 29 Nëntor 1944.

Kjo masakër çnjerëzore kërkon që në mes të Tiranës të ngrihet një përmendore madhështore, ku në çdo 4 shkurt banorët e Tiranës, veteranët e LANÇ dhe pasardhësit e tyre të vendosin kurora dhe tufa me lule. Por për paradoks edhe një rrugë, në mes të Tiranës, që mbante emrin: “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, Lulëzim Basha, kur ish kryetar i Bashkisë  së Tiranës, hoqi emrin e dëshmorëve dhe ia vuri emrin: “Ibrahim Rugova”, nipit të Xhaferr Devës që vrau dëshmorët e 4 Shkurtit?!

Veteranët dhe pasardhësit e tyre këtë turp të Lulëzim Bashës e kanë hedhur në gjyq dhe po presin nga drejtësia të thotë fjalën e saj, fjalë që lidhet me krimin dhe kriminelët e 4 Shurtit dhe ata që nderojnë e dekorojnë këta kriminelët. Shqipëria është i vetmi vend në botë që tradhtarëve si Ahmet Zogu, (i cili tradhtoi i pari Luftën e 7 Prillit 1939), Halil Alia, Osman Kazazi etj. u ngre buste e përmendore.

Kadri Cakrani, komandanti famëkeq i forcave të Ballit, në kujtimet e tij që po botojmë sot në DITA, e mohon pjesëmarrjen në këtë masakër. Mirëpo edhe pse kanë kaluar kaq vite, janë ende gjallë ata që e kanë përjetuar masakrën dhe tregojnë me gisht si autor kryesor, pikërisht kriminelin Kadri Cakrani.

Dëshmi dhe dokumente autentike për ngjarjen

Ja si e përshkruan këtë masakër veterani i Luftës antifashiste, Dalan Buxheli, sekretar i përgjithshëm i Organizatës së Dëshmorëve të Atdheut:

Po e nisim me masakrën e 4 shkurtit 1944, ku autori kryesor ishte pikërisht Kadri Cakrani me shefin e tij, Xhafer Deva.

4 Shkurt 1944: Ballisto-zogistët kryen mbi popullsinë e Tiranës krimin më të madh dhe më çnjerëzor që njeh historia e LANÇ-it, ku me egërsi çnjerëzore në natën e 4 shkurtit, rrëmbyen nga gjiri i familjes mbi 500 të rinj patriotë, ku nga këta 84 i pushkatuan në rrugët e sheshet e Tiranës. Atë natë Tirana u la me gjakun e bijve të saj të pavdekshëm. Cili qe skenari i kësaj skene makabre, kush e hartoi atë, cilat qenë forcat që morën pjesë në zbatimin e tij dhe cili qe përfundimi?

Nga dokumentet arkivale, nga tregimet e disa pjesëtareve te familjeve të kësaj masakre, si dhe nga deponimet e bëra nga disa ish- kryepleq të lagjeve të Tiranës, që u morën me forcë në bastisjen e shumë familjeve dhe arrestimin e shume viktimave rezulton: Në këtë masakër çnjerëzore kuislingo-ballistët, që më parë kishin hartuar një skenar në një takim, që ishte bërë më 16 janar 1944 në zyrën e ish kryeministrit të qeverise kuislinge Rexhep Mitrovica, ku në të kishin marrë pjesë, Xhafer Deva, ish ministër i brendshëm, Hysni Dema komandant i përgjithshëm i xhandarmërisë, Kadri Cakrani komandant i forcave të Ballit Kombëtar, Qazim Mulleti ish prefekt i Tiranës. Objektivi kryesor i këtij takimi synonte të realizonte që i’i jepej një goditje e rëndë asgjësuese organizatës së partisë komuniste dhe të Frontit Nacionalçlirimtar të Tiranës. Të arrestoheshin dhe të pushkatoheshin personat që përfshiheshin në listat e hartuara nga policia sekrete, të zbuloheshin dhe të asgjësoheshin të gjitha bazat ilegale të LANÇ. Operacioni u mbajt shumë sekret dhe do të fillonte në orët e pasdites së 3 shkurtit 1944. Ky operacion u drejtua nga Xhafer Deva e Kadri Cakrani. Ata vepruan të organizuar në grupe me nga 10-15 të drejtuar nga ballistët Halim Begeja, Halil Meniku, Seit Demneri, Arif Merepeza, Osman Kazazi, Zice Hatipi etj. Në mëngjesin e 4 shkurtit 1944, kufoma të vrarësh, të mbytura me gjak, ishin kudo nëpër rrugët e Tiranës.

 

Ja, çka tregon  nëna e Fadil Radës:

“Isha vetëm në shtëpi me djalin e vogël Fadilin, se dy djemtë e tjerë, Ademi dhe Isufi, ishin partizanë. Në orën 2 të natës, xhelatët e armatosur thyen derën dhe më morën Fadilin. U ngjita pas djalit tim, por katilët më shtynë dhe më shkëputën nga ai. “Lidheni qenin!” bërtiste Osman Kazazi. Për dy ditë radhazi nëna me bukë në gji, kërkova nëpër Tiranë, që të gjeja djalin dhe t’i jepja për të ngrënë, por nuk e gjeta. Pas dy ditësh shokët e tij ma sjellin trupin që e kishin gjetur në një gropë jashtë Tirane, në rrugën e Elbasanit, por nënëzeza nuk e njohu Dilin, se e kishin copëtuar xhelatët”. Ndërsa trupat e dy vëllezërve, Maliq dhe Haki Huta , pjesëmarrës të lëvizjes çlirimtare, nuk janë gjetur. Fshatarë nga Farka dëshmojnë se në pyllin e Saukut, në një gropë, kanë hedhur shumë trupa të pushkatuar.

Të gjithë personat e tjerë prej 400 vetë të arrestuar, që nuk u pushkatuan, u burgosën në komandën e përgjithshme të xhandarmërisë, u dërguan në kampet naziste të vdekjes.

Ballisto-zogistët, duke mos u ngopur me gjakun e dëshmorëve të 4 shkurtit, më 23 shkurt 1944 në orën 11, arrestuan antifashistët Gjergj Frashërin, Viktor Gjokorecin, Trajan Pekmezin dhe Skënder Kosturin, të spiunuar nga ballisti Gëzim Latifi. Operacioni i arrestimit të tyre u drejtua nga Qazim Mulleti, Osman Kukaleshi dhe Said Matja, pasi i torturuan, po atë mbasdite, në orën 16 i pushkatuan afër xhamisë së Zajmit.

4 shkurti 1944 është një ngjarje që tregon dhe do të tregojë qartë në shekuj fytyrën e vërtetë të bashkëpunëtorëve të nazifashizmit ballisto-zogistëve. Kjo natë e zezë ka hyrë në historinë tonë si nata e Shën Bartolomeut shqiptar, si simbol i terrorit dhe masakrës çnjerëzore të forcave të errëta, që koha i nxori shpejt nga skena e historisë.

Më datën 5 shkurt 1944, komanda e xhandarmërisë në raportin e saj për ngjarjen thoshte: “Forcat e xhandarmërisë, së bashku me forcat e regjimentit Kosova dhe me vullnetarët e BK, këtë natë kanë bastisur 230 shtëpi, ku kanë arrestuar 478 persona të dyshimtë dhe nga këta 84 më të rrezikshmit i kanë pushkatuar. (AQSH, fondi 1230, dosja nr. 134.)”.

Ndërsa dëshmitarja okulare e masakrës, Drita Harito, kujton:

Shtëpia jonë gjendej aso kohe në fillim të rrugës së Bamit (sot Qemal stafa), ku tani është Prokuroria. Jetonim bashkë me xhaxhanë, meqë i kishte vdekur e shoqja. Ishim katër fëmijë, më e madhja unë, 11 vjeçe, më e vogla Elma, vajza e xhaxhait, 4 vjeçe. Njëzet metra nga shtëpia jonë ishte kuestura. Natën mund të dëgjoje rënkimet e djemve që i torturonin. Syrit kureshtar të fëmijëve nuk i shpëtonin as komunikatat e fshehura me kujdes nëpër shtëpi nga të rriturit, as thasët me barna, as hyrje-daljet misterioze të kushërinjve ilegalë gjimnazistë me ndonjë person të panjohur. Por ne ishim fëmijë dhe si të gjithë fëmijët ne luanim të shkujdesur. Por atë natë…

Atë natë trokiti dera me forcë disa herë. Ishte ora 1 pas mesnate. Xhaxhai kaloi përmes dhomës sonë të gjumit për të dalë në ballkon – kush është? – Patrulla e xhandarmërisë! – A e keni kryeplakun me vete? – E kemi, hapeni.

Portën ua hapi ime ëmë me pallton krahëve mbi këmishën e natës. Në oborr u dhanë 7-8 persona të armatosur, njëri ishte civil me republikë në kokë.

– Kush është Harito Harito? – Unë jam, tha xhaxhai,që kish dalë tanimë në oborr pas mamasë. – Ai është, i pohoi civili dikujt.

– Eja me ne. – Pritni të bëhem gati. E pritën. Pak çaste pasi dolën, u dëgjuan krisma. – Bobo, tha babai, janë në mish, na e vranë. Ne zumë të qajmë. – Ju shkoni të flini.

E si mund të flinim ne? Xhaxhanë e donim fort. Ishte njeriu që na i varte më shumë, na bënte dhurata për festat, na ndiqte përparimin në mësime, na vëzhgonte për mirësjelljen, të dielave na çonte në ëmbëltore.

E si mund të flinim atë natë, kur zhurmat në rrugë sa vinin e shtoheshin, të shtënat dendësoheshin, zërat e njerëzve egërsoheshin, trokitjet nëpër porta bëheshin më të dhunshme, kobndjellëse… Edhe te shtëpia përballë, atje ku sot është poliambulanca e ku banonte shoqka jonë Liliana Vila, trokisnin me tërsëllimë. Rreth orës tre ata erdhën përsëri tek ne, sa s’e shqyen portën. E hapi babai. Kësaj here ishin edhe më të dhunshëm, ishin trupmëdhenj, me mustaqe, vështronin egër (më pas mësuam se ishin xhandarët e Xhaferr Devës të komanduar nga Kadri Cakrani).

– Pritni sa të vishem. – Do të gjesh atje ku do të shkosh,  i thanë me dialekt të rëndë. E morën babanë ashtu si ishte, me pallton mbi pizhama e me pantofla, ia lidhën edhe duart.

Mbetëm katër fëmijë të lebetitur dhe një grua e re që përpiqej të na ngushëllonte. Unë, si më e madhja, rrekesha të qetësoja kushërirën katërvjeçare. Nuk di të them si e kemi gdhirë atë natë tmerri plot klithma e  të shtëna.

Të nesërmen herët në mëngjes ime ëmë më nisi për të njoftuar kushërinjtë më të afërm, që banonin te Kodra e Kuqe. Rrugët ishin të shkreta. Ishte mëngjes i acartë. Trotuaret qenë mbuluar me akull. Gjatë rrugës pashë të vrarë në pozicione nga më të ndryshmet. Pranë tyre – akull i kuq. Nuk kisha parë të vdekur në jetën time.  Doja të mos i shikoja, po prapë sytë më venin atje. Lotët më rridhnin vetvetiu. Gjatë rrugës së Barrikadave kishte disa të vrarë në krahun e majtë të trotuarit. Njëri ishte shtrirë mu te xhamia ku sot është shkolla “Sami Frashëri”. Atë ditë hynin e dilnin plot njerëz në shtëpinë tonë, të tmerruar për sa kishin dëgjuar e parë. Flisnin me zemër të ngrirë, pa u merakosur që ato tmerre i rrëfenin në prani të fëmijëve. Por ne shkëmbyem lajme edhe me shoshoqin: nga shtëpia e Lilianës  tre veta, filanin e kishin vrarë, filanin e kishin lënë zbuluar gjer në mbrëmje, filanin në burg… Përfytyroni këto makabritete në gojën e fëmijëve!

Ankthi më i madh ishte të mësonim për fatin e burrave të shtëpisë – ishin gjallë apo i kishin vrarë? Pas tri ditësh u gjend babai, përfunduar në burg te ish gjimnazi i vjetër, rruga e Kavajës. Unë shkova me një kushëri për t’i çuar bukë dhe veshje. Për xhaxhanë e gjorë lajmet  ishin kundërthënëse: Dikush e kish parë hipur në një kamion, dikush në një tricikël me gjermanë, dikush ia pati njohur kufomën nga palltoja. Më është ngulitur në mëndje përjetë një dorë elegante me dorashkë lëkure që trokiste te dritarja jonë, e cila binte në rrugë. Ishte zonja Sojli, një austriake. Edhe asaj i ishte zhdukur i shoqi, Xhemal Sojli. Kur në xham shikonim dorën me dorashkë na mbetej fryma. Ç’lajm do të na ketë sjellë sot znj. Sojli? Një ditë na tha se i kishin deportuar në kamp përqendrimi. Dhe ne u gëzuam, imagjinoni, u gëzuam!

Me makth e shpresë kemi mbetur deri kur u kthyen të mbijetuarit e fundit nga kampet e vdekjes. Kështu xhaxhai ynë i dashur mbeti “as i gjallë, as i varrosur”. Më pas mësuam se disa nga të vrarët e 4 shkurtit i kishin groposur në kodrat e Saukut, dhe disa me emra të njohur i kishin larguar për t’i zhdukur. Këtë fat e pësuan H. Harito, dr. Pano, Xh. Sojli e ndonjë tjetër.

***

Bashkëpunimi i BK edhe me nazistët gjermanë, vërtetohet nga dhjetëra dokumente të huaja të kohës. Komandanti i forcave gjermane në Shqipëri, gjenerali Herman Nojbaher shkruante:

“Burrat e BK kurrë nuk u ndeshen me trupat tanë. Ata i përdornin energjitë e tyre kundër partizanëve në Jug të vendit… Prapavija jonë mbrohej nga bandat shqiptare, nën drejtimin e fiseve dhe të klaneve të tyre… Ata na mbronin në radhë të parë nga partizanët..”  (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …