Më 7 shkurt të vitit 1999, në Rambuje të Francës, pas disa orë konsultimesh, u vendos që në krye të delegacionit negociatar të Kosovës të emërohet, Hashim Thaçi, i cili ishte edhe kryesuesi i delegacionit të UÇK-së. Përfaqësuesit e tjerë ishin dr. Rexhep Qosja nga Lëvizja e Bashkuar Demokratike, Ibrahim Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe një përfaqësuese i shoqërisë civile. Më 8 shkurt të vitit 1999 SHP i UÇK-së me një deklaratë publike njoftonte se me fillimin e bisedimeve në Rambuje, regjimi i Milosheviqit kishte intensifikuar sulmet kundër shqiptarëve dhe bazave të UÇK-së. Luftime ishin zhvilluar në Zonën e Llapit në rrugën, Prishtinë – Podujevë – Kerpimeh. Forcat serbe kishin sulmuar fshatrat e Mitrovicës, Malishevës, Suharekës. Duke u përballur me këtë gjendje, SHP i kishte dërguar një notë proteste Grupit të Kontaktit dhe kërkonte që serbët t’ i ndalonin sulmet, për t’i dhënë shans bisedimeve.
