Me ftesë të kryetarit Kastrati udhëheqja e komunës së Meyrinit (Zvicër) po qëndron në Malishevë

Me ftesë të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, një delegacioni i komunës së Meyrin, (kantoni i Gjenevës në Zvicër), i udhëhequr nga kryetarja e këshillit të kësaj komune, Nathalie Leuenberger, e shoqëruar nga bashkëkryetarët e këshillit, Laurent Tremblet dhe Eric Cornuz, si dhe nga aktivisti mërgimtar në Zvicër, Agim Paçarizi, po qëndrojnë në vizitë zyrtare dy ditore në Malishevë. Kjo është vazhdimësi e bashkëpunimit në mes të dy komunave, i filluar vite më parë dhe që po vazhdon të rritet, çdo ditë e më shumë. Delegacioni nga komuna e Meyrin, është pritur sot nga udhëheqja e Komunës së Malishevës, nga kryetari Ekrem Kastrati, nënkryetari Vesel Krasniqi, drejtorët e drejtorive komunale dhe kabineti i kryetarit, ku është biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes dy komunave, në fusha të ndryshme dhe shkëmbim të përvojave. Kryetari Kastrati, i ka uruar mirëseardhje në Malishevë, kryetares Leuenberger dhe delegacionit nga komuna e Meyrin dhe është shprehur shumë i kënaqur me vazhdimin e bashkëpunimit në mes të dy komunave, bashkëpunim i cili pritet të përfundoj me binjakëzim. Më pas, kryetari Kastrati, i ka njoftuar me zhvillimet dhe projektet që janë duke u realizuar në Malishevë, me përpjekjet e qeverisë komunale për ndërtimin dhe zhvillimin e komunës, si dhe për nevojat që ka komuna. Gjithashtu e ka falënderuar edhe mërgimtarin Paçarizi, për kontributin e tij për krijimin e kësaj lidhje të miqësisë, mes dy komunave, e cili është ish kryetar i lidhjes së mësimdhënësve shqiptarë në këtë vend. Edhe kryetarja e Meyrinit, Nathalie Leuenberger, pasi e ka falënderuar kryetarin Kastrati, për ftesën dhe pritjen, është shprehur shumë e kënaqur me thellimin e miqësisë mes dy komunave. Ajo gjithashtu falënderoi edhe mërgatën shqiptare, për sjelljen shembull në këtë pjesë të Zvicrës dhe për bashkëpunimin që ka komuna e Meyrin me mërgatën shqiptare, e cila në pjesë të madhe, është nga komuna e Malishevës. Edhe nënkryetari i Malishevës, Vesel Krasniqi, i uroi mirëseardhje, siç i quajti, motrave dhe vëllezërve nga Meyrin, sepse, sipas tij, në Meyrin dhe vendet tjera në Zvicër, jetojnë dhe punojnë një pjesë e madhe e qytetarëve të Malishevës, ndërsa e quajti shumë të rëndësishëm, shkëmbimin e përvojave të mira, mes dy komunave. Gjatë vizitës së tyre në Malishevë, delegacioni i Myerinit, të shoqëruar vazhdimisht nga kryetari Kastrati, e kanë vizituar qytetin e Malishevës dhe projektet që janë duke u realizuar, si parku i qyteti, infrastruktura, rrugët, si dhe projektet tjera, në kuadër të projektit të madh të “Malishevës Urbane”. Gjithashtu, është vizituar edhe Qendra e Kompetencës, shkollë e mesme profesionale, njësia e “Ekoregjionit”, fabrika e letrës “Orto Paper”, parku në Mirushë, kompleksi memorial në Kleçkë, shtëpia muze e “Radio Kosova e Lirë”, si dhe Kisha katolike në Kërvasari.

Kontrolloni gjithashtu

39 pemëtar ferizajas përfitues të spërkatsëve profesionale

Mbështetja për bujqit dhe fermerët ferizajas po vazhdon. Në kuadër të skemës mbështetëse për bujqit …