Sot pasdite, në varrezat e fshatit Shkarashnik të Komunës së Malishevës, me nderime të larta, u varros polici i rënë në krye të detyrës, Sami Thaçi, i cili sot gjithashtu, para ceremonisë së varrimit, është shpallur ”Hero i Kosovës”. Në ceremoninë e varrimit, morën pjesë qytetarë të shumtë, krerët e Policës së Kosovës, të Ushtrisë së Kosovës, drejtues të pushtetit lokal dhe përfaqësues e drejtues të organeve tjera shtetërore. Në ceremoninë e varrimit, e cila është kryer me nderimet më të larta policore, për veprën e policit Sami Thaçi, kanë folur, i pari i Policisë së Kosovës, Reshit Qalaj, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, pastaj Metush Kryeziu në emër të OVL të UÇK-së, të cilët e kanë vlerësuar lartë veprën e tij. Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, ka folur për veprimtarinë e veteranit të luftës së UÇK-së dhe policit, Sami Thaçi, që nga fillimi i luftës, e deri në shërbimin e tij në mbrojtje të ligjit dhe rregullit në Policinë e Kosovës. Kryetari Begaj, e ka vlerësuar lartë veprën e Sami Thaçit. Edhe kryepolici i Kosovës, Reshit Qalaj, ka folur për veprën e Thaçit, deri në rënien heroike në krye të detyrës, në mbrojtje të rendit dhe ligjit.