Me nderime ushtarake iu dha lamtumira e fundit nënoficerit, Besim Bajraktari

Me nderime ushtarake iu dha lamtumira e fundit nënoficerit, Besim Bajraktari

Me homazhe në Kazermën ,,Adem Jashari” dhe me ceremoni ushtarake, dje në Batllavë të Podujevës,  në praninë e familjarëve, miqve, shokëve dhe kolegëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, u varros me nderime të larta ushtarake  pjesëtari i FSK-së rreshter i parë Besim Bajaraktari. Ceremonia e varrimit filloi me homazhe pranë arkivolit të të ndjerit, rreshter Bajraktarit, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë  dhe më pas kortezhi me përcjellje ushtarake vazhdoi për në varrezat e  fshatit të tij të lindjes në Batllavë,  ku u mbajt ceremonia e varrimit me nderime ushtarake.

Për ta nderuar për jetën dhe veprën e tij në ceremoni kishin ardhur eprorë  dhe kolegë nga FSK-ja, përfaqësues të Komunës, shoqatave të dalura nga lufta e  UÇK-së dhe qytetarë të shumtë. Në emër të Forcës së Sigurisë së Kosovës  foli  zëvendës komandanti i FSK-së,  gjeneral major Enver Cikaqi, i cili pasi  shprehu ngushëllimet familjes, pjesëtarëve të FSK-së, shokëve dhe kolegëve, vlerësoi lartë jetën dhe veprën e rreshterit të parë, Bajraktarit, ku ndër tjera tha: “Njerëzit si Besimi janë të rrallë,  që në personalitetin e tyre i kanë të gërshetuara vlerat më të larta njerëzore si urtësinë, edukimin e lartë akademik, sinqeritetin dhe atdhe-dashurinë.  Ne ndihemi krenarë që bashkërisht ndërtuam themelet e sigurta të ushtrisë së Kosovës, për të cilën Besimi punoi pa-reshtur gjithë jetën”.

Ngushëllime për familjen, shokët, bashkëluftëtarët e ushtarët, shprehën kryetari i Komunës së Podujevës, z.Shpejtim Bulliqi,  kryetari i Organizatës së Veteranëve,  dega në Podujevë, z.Fahri Bala, ndërsa në emër të familjes falënderoi për pjesëmarrje në ceremoni vajza e të ndjerit, Sara Bajraktari. Besimi ka qenë pjesëtar i UÇK-së, në Komandën e Zonës  Operative të Llapit, pas transformimit të UÇK-së ka shërbyer në Shtabin e Përgjithshëm në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe që nga themelimi i Forcës së  Sigurisë së Kosovës ka kryer detyra dhe pozita të larta të nënoficerit.

Besimi u  nda nga jeta me 17 janar 2022, pas një sëmundje të rëndë,  duke lënë pas vetës bashkëshorten dhe tri vajza. (I.Sh.)

Kontrolloni gjithashtu

Adem Jashari

Beteja e parë e komandantit, Adem Jashari kundër forcave serbe në relacionin Skenderaj-Llaushë-Rezallë e Re

Më 26 nëntor të vitit 1997, forca të shumta të policisë serbe me autoblinda pizgauerë …