Disa biçim analistë, nga radhët e atyre që kanë ikur nga Kosova në kohën e luftës, për çdo vit shpalosin “odisejadën” e vuajtjeve të tyre “mizore” në vendkalimin kufitar mes Kosovës e Maqedonisë, në Bllacë, në pranverë të vitit 1999. Vuajtjet e tyre nuk kanë të sosur as sot kur i kujtojnë atë ditë të tmerrshme…
Ata tregojë sesi kanë qëndruar në borë e shi, sesi kanë vuajtur mizorisht gjatë kalimit, sesi nuk kanë pasur krevat ku të flenë, madje as vc fushore dhe këtë ikje e këto vuajtje duan t’ shpallin hiç më pas se gjenocid, krim, madje edhe holokaust, edhe pse në Bllacë nuk pati pushkatime masive, sikur në Izabicë, Rezallë, Meje, Reçak Therandë e në qindra vende të tjera ku serbët me të vërtetë kryen gjenocid e krime lufte. Por të thuash se në Bllacë ndodhi gjenocidi, madje edhe njëlloj holokausti, kjo është përqeshje e historisë, ose mos kuptim elementar të emërtimeve të tilla, një budallallëk tipik.
Pretendimet për ta deformuar historinë e rezistencës së Kryekomandantit, Adem Jashari dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim për ta veçuar “Bllacën si epiqendër të vuajtjeve shqiptare” bëhen me qëllim për ta minimizuar luftën e UÇK-së, gjakun e dëshmorëve e martirëve, dhe për t’ i kthyer në heronj të gjallë ata që kanë ikur nga Kosova dhe jo ata që janë ballafaquar me regjimin kriminal të Millosheviqit, ballë për ballë.
Madje disa analistë që krenohen me emrat e origjinat e tyre, “kalvarin” e vuajtjeve gjatë ikjes nga Kosova i ngrehin në piedestalin e vuajtjeve biblike, gjithënjerëzore, duke akuzuar Serbinë për spastrim etnik, ndërsa ishin vetë ata që e kishin mundësuar “spastrimin”, jo duke qëndruar në Kosovë sikur bëri shumica, por duke ikur nga Kosova, sipas asaj këngës së njohur që aq shpesh është kënduar pas luftës: “Më fal Prishtinë, por më shumë e desha jetën sesa lirinë”.
Është për keqardhje kur Bllacën e vajtojnë ata që nuk kishin qenë fare as etje, por në atë kohë kishin fjetur rehat bashkë me familjet e tyre, në hotelet e Tiranës, apo në ato të qyteteve të Evropës. Është për faqe të zezë të ankohesh se gjatë kalimit në Bllacë, duke ikur nga atdheu të paskan sharë, e të paskan dhënë ndonjë flakaresh serbët, kur në të njëjtën ditë në Kosovë serbët vrisnin deri në treqind e më shumë shqiptarë gjatë një dite, ndonjë herë më pak e shpeshherë edhe më shumë…
Vetëm në tri katër ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-së kundër Serbisë, në Krushë, Therandë, Izbicë, Burim, Beleg, Pastasel, serbët vranë e masakruan afër një mijë shqiptarë, 240 vetëm në Krushë.
Askush nuk e mohon se në Bllacë pati momente edhe dramatike për familje dhe personalitete të caktuara, për gratë, fëmijët e pleq që pritën edhe dy apo tri ditë për ta kaluar kufirin. Por ata atje shkuan me trenin e udhëtarëve dhe autobusë, me vetura, e jo sikur ata që iu kishin drejtuar Shqipërisë, me qerre, traktorë e kryesisht këmbë. Ka shumë dallime në këtë mes.
Është për faqe të zezë kur bëhen krahasime të tilla të vuajtjeve me përpjekje për të baras-vlerësuar ato, sepse nuk është njësoj sikur të ketë rënë me kamxhik apo me boks milici serb me atë të cilit i ka dhënë plumb në kokë.
Sa shqiptarë ikanakë kanë vrarë e pushkatuar serbët në Bllacë, gjatë kalimit të kufirit, në mënyrë që ikja masive të shpallet gjenocid apo etnocid?.
Elemente të etnocidit edhe kishte, por je deportim të dhunshëm, sikur ka ndodhur me hebrenjtë gjatë luftës në Gjermani, me të cilët po krahasohen disa nga ikanakët.
Andaj manipulimi me terminologjinë historike, përveç se është i papërgjegjshëm, është edhe naiv dhe i paqëndrueshëm. Këto pretendime zbehim në masë edhe të vërtetën e luftës në Kosovë, e cila është monitoruar nga sa e sa organizata të huaja në vend, dhe, nuk ka shpëtuar as edhe një ngjarje e vetme e rastit që të mos jetë shënuar nga dikush. (RKL)