Veprimet e Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, që tentoi të mbante njëkohësisht postin e kryeministrit dhe deputetit, kanë shkaktuar një dështim të rëndë në seancën e konstituimit të Kuvendit. Kjo ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, përfshirë agjencinë e njohur “Bloomberg”, e cila ka raportuar për situatën kaotike që çoi në pezullimin e mbledhjes dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Kritikat kanë theksuar se kjo situatë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjin për Qeverinë, pasi nuk janë dhënë dorëheqjet e kërkuara nga kryeministri dhe ministrat, siç parashikon ligji. “Bloomberg” ka shkruar se udhëheqja e Kurtit ka izoluar politikisht Kosovën, duke lënë vendin pa mbështetje të konsiderueshme, jo vetëm në skenën politike të brendshme, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga ana tjetër, agjencia “Associated Press” e ka cilësuar dështimin e seancës si një ngërç të rëndë ligjor, që mund të çojë në një periudhë të gjatë të pasigurisë politike dhe juridike për Kosovën.
