Mediet në Kosovë nuk kanë botuar karikaturat e redaksisë “Charlie Hebdo”

Sulmi kundër redaksisë “Charlie Hebdo” ka ngjallur reagime të matura kudo në mediet prestigjioze ndërkombëtare, sidomos në  ato amerikane. Të gjitha këto medie  dhe opinioni  publik përparimtar në botë  dënojnë këtë akt terrori, por nuk mbështesin fyerjen dhe blasfeminë fetare, cila do qoftë ajo.  Po sjellim në vazhdim disa reagime të medieve lidere  botërore, të cilat nuk kanë pranuar t’ i afishojnë karikaturat fyese e poshtrësuese kundër profetit Muhamed, jo sepse frikësohen ta bëjnë atë, por sepse në radhë të parë nuk pranojnë të fyejnë ndjenjat e myslimanëve, por as të  atyre të feve të tjera.  Është e habitshme se këto publikime gjenden gjithandej në mediet botërore, dhe në ato të Shqipërisë, por tash për tash nuk janë publikura në disa medie të Kosovës, të njohura për qëndrimin e tyre antiislam. Por edhe këto medie nuk kanë marrë guxim për t’ i botuar karikaturat, të paktën nuk kanë komentuar anashkalimin  e tyre. Të shpresojmë se këtë e kanë bërë nga respekti për fenë, cilado qoftë ajo dhe jo nga frika.


 


Mediat lidere amerikane nuk pranuan të publikojnë karikaturat kontroverse të Profetit Muhamed


 


Agjensia e lajmeve Reuters ka bërë një vëzhgim lidhur me publikimin e karikaturave kontorverse fetare, të Charlie Hebdo pas sulmit të djeshëm, në mediat kryesore amerikane. Mediat lidere të Amerikës, nuk pranuan të mërkurën që të publikojnë karikaturat kontroverse të Profetit Muhabed, pas sulmit që u bë në redaksinë e revistës satirike, ku u vranë 12 njerëz. Mediat online Daily Beast dhe Slate, i publikoi karikaturat, por botuesit e mëdhenj të SHBA-së, duke përfshirë New York Times, Wall Street Journal, Reuters dhe Associated Press, nuk e bënë këtë. Disa thanë udhëzimet e tyre dhe bënë thirrje për shmangien e botimit të imazheve ose materialeve të tjera të cilat që kanë si qëllim fyerjen ndaj fesë. “Pas shqyrtimit të kujdesshëm, redaktorët e Times vendosën  që t’i  përshkruajnë karikaturat me fjalë, per t’i dhënë  lexuesit informacionin e mjaftueshëm për të kuptuar historinë e sotme,” tha zëdhënësja e New York Times Company Danielle Rhoades Ha,  me email.


 


Bill Marimow: “Ne nuk do  t’i publikonim në asnjë rrethanë  karikaturat e Profetit Muhamed


 


Ideja se ato mund të  fyejnë dhjetëra miliona njerëz myslimane, se sa po të përshkruar diçka me fjalë, nuk është një thirrje e pavend“. Përfaqësuesit në Reuters, Slate dhe Daily Beast nuk iu përgjigjën menjëherë telefonatave për koment.  Associated Press ka një politikë të kahmotshëme të përmbajtur për përdorimin e imazheve provokuese,- tha zëdhënësi Paul Colford, për Reuters. Charlie Hebdo, është i njohur  për ballafaqimin me polemika per sulmet satirike mbi udhëheqësit politikë dhe fetarë të të gjitha besimeve dhe ka botuar karikatura te shumta komike për Profetin Muhamed. Dy burra te  maskuar sulmuan zyrat në Paris dhe gjatë sulmit, një prej sulmuesve i kapur në videon jashtë ndërtesës thirri “Ne kemi vrarë Charlie Hebdo. Ne kemi  marrë hak për Profetin Muhamed“. Shumë myslimanë besojnë se është blasfemi  të krijosh fotografi të profetit Muhamet dhe xhihadistët  në internet në mënyrë të përsëritur paralajmëruan se revista do të paguajnë për talljet e saj. The Wall Street Journal përfshinte një pjesë të vogël të karikaturave provokuese nga Charlie Hebdo, disa prej tyre humoristike për fetë e mëdha, duke përfshirë edhe Islamin, por në asnjërën prej tyre nuk shfaqej Profeti Muhamed. “Stafi ynë global është i përkushtuar në raportimin dhe publikimin e lajmeve, duke shpjeguar kontekstin e tyre dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë kështu, pavarësisht ngjarjeve të tmerrshme të sotme. Duke vepruar kështu ne e ripërkushtojmë veten çdo ditë për vlerat qendrore të lirisë së shtypit,”  tha Gerard Baker , kryeredaktori i Journal, në një deklaratë dërguar me email per Reuters. Përgatiti: J.H ( Tema online)


 


Financial Times:  Gazetarë budallenj, është e  gabuar të provokohet Islami


 


Gazetarët dhe karikaturistët e “Charlie Hebdo”, janë sjellë si “budallenj”: kështu lexohet në një editorial tronditës të publikuar nga prestigjiozja amerikane “Financial Times” pak orë pas masakrës në Paris. Sipas kësaj gazete, revista franceze ka mëkatuar me “editoriale pa logjikë dhe kot”, duke sulmuar Islamin. “Edhe pse revista nuk ndalet para fyerjeve të vërteta, nuk është gjithsesi kampionia më bindëse e lirisë së shprehjes”, – lexohet akoma në “FT”. “Me këtë nuk duhen justifikuar aspak vrasësit, por është vetëm për të thënë se do të i ishte i vlefshëm një mirëkuptim në publikime të tilla, që pretendojnë se mbështesin lirinë, kur ndërkohë provokojnë myslimanët”. 8 janar 2015 (gazeta-Shqip.com)


 


George Packer: Vrasjet e djeshme në Paris nuk janë rezultat i dështimit të Francës për të asimiluar dy breza imigrantësh myslimanë


 


Vrasjet e djeshme në Paris nuk janë rezultat i dështimit të Francës për të asimiluar dy breza imigrantësh myslimanë nga ish kolonitë e saj. Ato nuk janë bërë si reagim i veprimeve ushtarakë të Francës kundër Shtetit Islamik në Lindjen e Mesme, apo pushtimit amerikan të Irakut më parë. Ato nuk janë pjesë e ndonjë vale dhune nihiliste kundër një Perëndimi në depresion ekonomik, shoqërisht të atomizuar moralisht të cekët – pra një version i Njutonit apo Oslos në Paris. Më e pakta nga të gjitha, ato duhen “kuptuar” si reagime ndaj mungesës së respektit për fenë, nga ana e karikaturistëve të papërgjegjshëm.Ato janë vetëm goditjet më të fundit të bëra nga një ideologji e cila prej dekadash është përpjekur të arrijë pushtetin përmes terrorit. Eshtë e njëjta ideologji që e detyroi Salman Rushdien të fshihet për më shumë se një dekadë, pas një dënimi me vdekje se kishte shkruar një roman, që kish vrarë më pas përkthyesin e tij japonez si dhe ish përpjekur të vriste përkthyesin italian dhe botuesin norvegjez. Ideologjia që vrau tre mijë vetë në SHBA, në 11 shtator 2011. Ideologjia që theri Theo van Goghun në rrugët e Amsterdamit, në 2004-ën, vetëm se kish bërë një film. Eshtë ajo që ka sjellë përdhunime dhe vrasje në masë në qytetet dhe shkretëtirat e Sirisë dhe Irakut. Që masakroi 132 fëmijë dhe 13 të rritur në një shkollë në Peshavar muajin që kaloi. Ajo që vret rregullisht kaq shumë nigerianë, sidomos të rinj, dhe që rrallëkush i kushton vëmendje.


 


Për arsye se kjo ideologji është produkt i një feje të madhe botërore, përdoret shumë logjikë në përpjekjen për të shpjeguar se çfarë ka – apo nuk ka – të bëjë dhuna me Islamin. Disa njerëz dashamirës anashkalojnë lidhjen me Islamin, duke thënë se masakrat nuk kanë fare të bëjnë me fenë, apo që Islami është një besim paqeje, apo që në rastin më të mirë, dhuna përfaqëson “shtrembërimin” e një feje të madhe. (Pas bombave të kamikazëve në Bagdad u mësova të dëgjoja irakenët që thoshin se “këtë gjë nuk do e bënte asnjë mysliman”). Të tjerë duan t’ia vënë fajin tërësisht përmbajtjes teologjike të Islamit, sikur besimet e tjerë fetarë të jenë më paqësorë – një ide kjo që e përgënjeshtron historia dhe letërsia.


 


Feja nuk është vetëm një grup tekstesh, por besimet e gjallë dhe praktikat e besimtarëve. Islami përfshin sot një pakicë jo të vogël besimtarësh që tolerojnë, në mos kryejnë, akte dhune, në zbatim të bindjeve të tyre se aktualisht ai është unik. Charlie Hebdo nuk kish qenë përzgjedhës në satirën e tij, duke e ngulur gishtin në ndjeshmëritë e hebrenjve dhe të krishterëve gjithashtu – por vetëm myslimanët u përgjigjën me kanosje dhe akte terrorizmi. Për disa besimtarë, dhuna i shërben një dëshire për pushtet absolut në emër të Zotit, që është një formë totalitarizmi i quajtur Islamizëm – politika si fe, feja si politikë. “Allahu Akbar!” thërrisnin vrasësit në rrugën jashtë Charlie Hebdos. Në çdo rast, ata e dijnë për çfarë shërbejnë.


 


Këta mendime nuk ofrojnë një udhëzues për të zbutur rritjen tronditëse të vrasjeve të islamistëve përreth botës. Zemërimi dhe dënimi nuk bëjnë punë, nuk është e dobishme as të armiqësohen miliona myslimanët që ndiejnë neveri për atë që po bëhet në emër të fesë së tyre. Shumë prej tyre e dënuan menjëherë sulmin ndaj Charlie Hebdo, me tonin e njerëzve, besimet më të thellë të të cilëve ishin njollosur. Përgjigja gjithmonë është që të jemi të kujdesshëm, të mendojmë shumë, si dhe të përshtatemi sipas rrethanave të caktuara. Në Francë do të ketë nevojë të përfshijë një ringjallje të debatit se si republika të mundet të parandalojë që gjithnjë e më shumë nga të rinjtë myslimanë t’i jepen një ideologjie vrastare – se si, gjithnjë e më shumë prej tyre, ta konsiderojnë Mustapha Ourradin – një prej redaktorëve të Charlie Hebdo me origjinë algjeriane, i cili u vra dje – një hero të tyrin. Në vende të tjerë, reagimet duhet të jenë të ndryshëm, me nivele më të lartë aksionesh kundër dhunës.Por vrasjet në Paris ishin kaq specifike, saqë e bëjnë shumë të qartë domethënien e tyre. Karikaturistët vdiqën për një ide. Vrasësit janë ushtarë në një luftë kundër lirisë së mendimit dhe fjalës, kundër tolerancës, pluralizmit dhe të drejtës për të sulmuar – kundër gjithçkaje të mirë në një shoqëri demokratike. Kështu që të gjithë duhet të jemi Charlie, jo vetëm sot, por çdo ditë. /Bota.al


 


Rikard Jozviak: Charlie Hebdo, ka një histori të gjatë të talljes së pamëshirshme


 


E përjavshmja franceze satirike, Çarlie Hebdo, sulmi kundër së cilës më 7 janar në Paris la 12 të vdekur, ka një histori të gjatë të talljes së pamëshirshme me të me të mëdhenjtë, të mirët dhe të këqinjtë.  Liderët francezë, myslimanët, hebrenjtë, edhe Papa – të gjithë kanë qenë në shënjestër të satirës lakuriqe – e për disa edhe fyese – të kësaj të përjavshmeje. Në vitin 1970, “Hara-Kiri” ishte revistë paraardhëse e Charlie Hebdo, por u ndalua nga ministria e brendshme franceze për shkak se ishte tallur me vdekjen e ish presidentit francez, Charles De Gaulle. Presidenti kishte vdekur në fshatin e tij të lindjes Colombey-les-Deux-Églises, tetë ditë pasi një zjarr në një klub nate la të vdekur 146 persona, në juglindje të Francës. Revista “Hara-Kiri” u tall me mbulimin e mangët që shtypi atëbotë i bëri tragjedisë në klubin e natës dhe vuri titullin në ballinë “Tragjedi në fshatin Colombey, një i vdekur”, duke iu referuar kështu vdekjes së presidentit. Revista gjeti rrugë për të shmangur ndalimin që iu bë dhe mori emër tjetër, Charlie Hebdo.


 


Në vitin 2006, e përjavshmja vendosi të ri-botonte 12 karikaturat e profetit islam, Muhamed të publikuara fillimisht në të pëdtishmen daneze “Jyllandsposten”, e të cilat nxitën diskutime në mbarë botën. Charlie Hebdo gjithashtu bëri një karikaturë të veten për Muhamedin, e cila u publikua në faqen e parë të revistës.  Në vitin 2011, zyrat e kësaj reviste u sulmuan me bombë, kurse faqen e internetit ia sulmuan hakerët. Sulmi pasoi vendimin e revistës që në një numër të posaçëm ta “ri-emërojë” veten se Charia [Sheriati] Hebdo, kurse për kryeredaktor kishte vënë emrin e Profetit, me përshkrimin “100 rrahje me kamxhik nëse nuk vdisni së qeshuri”. Numri më kundërthënës i kësaj reviste doli në shtator të vitit 2012, atëherë kur revista publikoi një numër karikaturash satirike, duke e tallur Profetin Muhamed. Publikimet pasuan sulmet ndaj ambasadave të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e mesme, gjatë protestave kundër një filmi anti-islamik, i realizuar në Shtetet e Bashkuara. Për shkak të këtyre karikaturave, Franca u detyrua t’i mbyllë ambasadat, konzullatat dhe shkollat në rreth 20 vende myslimane. Revista është tallur edhe me besimet tjera fetare, jo vetëm me islamin. Në mënyrë të veçantë është tallur me Papa Benediktin XVI, duke lënë për të kuptuar se ai ishte homoseksual. Në të njejtën formë ka shënjestëruar edhe hebrenjtë, duke vënë në ballinë një hebre, një prift dhe një mysliman, që bëjnë thirrje kundër revistës.


 


Rastet jo të rralla të talljes janë politikanët, posaçërisht presidentët. Presidenti aktual, Fancois Hollande, është bërë personazh i një karikature në vitin 2014, së bashku me ish partneren e tij, Valerie Trierweiler. Publikimi doli pas ndarjes së tyre për shkak të dyshimeve se zoti Hollande nuk I kishte qëndruar besnik të dashurës së tij.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …