Mehdi Zabeli u lind në Prishtinë, më 16.3.1968, prej ku, pas një kohe të shkurtër, familja e tij u shpërngul në fshatin Lumëmadh të komunës së Vushtrrisë. Prindërit e tij, Ademi e Azeminja i paten 9 fëmijë: Sejdiun, Xhemilen, Azemin, Sylejmanin, Rrahmanin, Avdiun, Mevluden, Mehdiun dhe Isakun.
Shkollën fillore Mehdiu e kreu në Bletajë, ndërsa shkollën e mesme, Gjimnazin “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri.
Në aksionin për pajtimin e gjaqeve, më 1990, Mehdiu ishte aktivizuar me të gjitha mjetet materiale, mendore e shpirtërore, aty ku kishte mundësi, duke dhënë një kontribut të çmuar. Për shkak të gjendjes së rëndë nën okupimin serb dhe kushteve ekonomike të familjes, Mehdiu u detyrua të mërgojë në vendet perëndimore, ku qëndroi në Austri e Gjermani. I përmalluar për familjen, gjatë asaj kohe ai kishte marrë guximin të vinte ilegalisht në vendlindje. Në gusht të vitit 1995, Mehdiu definitivisht kthehet në Kosovë.
Në maj të vititi 1998 vuri kontaktet me pjesëtarë të UÇK-së dhe u inkuadrua në UÇK, në rajonin e Qyqavicës. Fillimisht u angazhua në detyrën për organizimin dhe zbatimin e aksioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të planifikuara nga shtabi i saj lokal i ngritur në Trimor (ish-Zhilivodë). Shërbeu në fshatin Hamidi, pastaj në Bokën e Shishmanit të malësisë së Gjakovës.
Një ndër aksionet më të rëndësishme të kësaj kohe, ishte sulmi në Hamidi, ku kishte marrë pjesë edhe Mehdiu, nën komandën e Jashar Jasharit, me ç’rast pjesëtarët e UÇK-së kishin bllokuar një pizgauer të policisë serbe dhe kishin vrarë të gjithë kriminelët brenda tij. Që nga ky moment, Mehdiu me bashkëluftëtarët kishte mësyrë për përtej kufirit shqiptar-shqiptar me qëllim furnizimi me armatim. Gjatë rrugës, ndalon për të marrë pjesë në luftimet e zhvilluara në Junik, ku njësiti detyrohet të ndahet në dy pjesë. Derisa grupi i parë ishte detyruar të kthehej pas, grupi i Mehdiut kishte arritur të depërtonte me vështirësi përtej kufirit në fshatin Hoxhaj të Tropojës, ku pas furnizimit me armatim, niset të kthehet në Kosovë. Për shkak të kushteve të rënda të udhëtimit, Mehdiu u sëmur, prandaj u detyrua të shtrihet në spitalin ushtarak në Tiranë. Ashkëluftëtarët e tij të prirë nga Rrahman Rama e Jashar Jashari, tentojnë të hyjnë në Kosovë, por pa sukses për shkak të fortifikimit të zonës kufitare nga forcat e armikut. Ndëkohë edhe familja e Mehdiut nuk lihej e qetë nga policia serbe, e cila e kishte maltretuar vëllain e tij, Sejdiun, duke bërë me dije se për informatat e saj lidhur me angazhimin e Mehdiut, si dhe të kushërinjve të tij, Ilazit e Zahitit, të angazhuar në UÇK në zonën operative të Shalës së Bajgorës.
Më 13.12.1998, për armatim në Shqipëri shkoi edhe i vëllai, Avdiu, i cili e kishte takuar Mehdiun dhe së bashku me grupin e luftëtarëve të zonës së Llapit kishte kryer ushtrimet ushtarake në Kalimash. Ky grup ishte nisur për në Kosovë, por kishte rënë në pritën serbe. Grupi i luftëtarëve nga treva e Vushtrrisë ishte mobilizuar të kthehej nga Kruma në Kosovë dhe pasi në Vlahnë bashkohet me grupin e luftëtarëve nga Reka e Keqe, niset për në Kosovë. Njërin grup të luftëtarëve e përbënin: Avdi Zabeli, Bekim Klinaku dhe Avni Semiri. Mehdiu mbeti me grupin e dytë, i cili mori rrugën për në Bajram Curr. Sikurse grupi i parë i luftëtarëve të nisur në drejtim të Kosovës, edhe grupi ku ndodhej Mehdiu, në zonën kufitare ndeshi në rezistencën e egër të forcave serbe, por megjithatë ia doli të kalojë në Shishman të Bokës të malësisë së Gjakovës, më datën 29.3.1999. Aty luftëtarët e lirisë bien në pritën e organizuar nga armiku, ku u zhvillua betejë e ashpër, me ç‘rast u plagosën Mehdi Zabeli, Jashar Jashari, Naim Lata e dhjetëra bashkëluftëtarë të tjerë. Mehdiun e plagosur në këmbë, bashkëluftëtarët Mustafë Krasniqi dhe Xhafer Bytyçi e kishin bartur rreth tri kilometra, mirëpo për shkak të gjakderdhjes së madhe nuk arriti të mbijetojë. Së bashku me të në altarin e lirisë ranë edhe dëshmorët Jashar Jashari e Naim Lata nga treva e Vushtrrisë dhe një dyzinë luftëtarësh nga rajoni i Rekës së Keqe të Dukagjinit.
Mehdiu u varros në varrezat e Gjakovës. Rivarrimi i trupit të tij u bë në Varrezat e Dëshmorëve në Bletajë të Vushtrrisë. Ai la pas vetes bashkëshorten, Xheziden, me fëmijët Zekriun e Gentritin.
Atij i është ngritur lapidari në fshatin Lumi i Madh dhe në Shishman.
Familja e dëshmorit Mehdi Zabeli ka marrë Mirënjohje nga Brigada 134 “Agron Rama” e ZOD-it, nga nga KK Vushtrri e institucione të tjera. (Z. Gj.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …