Shumën 500-600€, që do t’i marrin deputetët po e quaj pagë, sepse ka njerëz që për kaq mjete financiare punojnë dy apo tre muaj.
A ju kujtohen seancat e Kuvendit që ndërpriteshin për shkak të bojkotimit të deputetëve për të marrë pjesë në to. Tash, merituakan rrogën e trembëdhjetë? Definitivisht, kjo është e dhimbshme! Për këto dikujt duhet t’i dhembë koka, ose t’i trazohet zemra!
Më mirë do të ishte që me ato mjete financiare të shpërbleheshin mjekët, infermierët dhe të gjithë punëtorët shëndetësorë, të cilët qenë 24 orë në shërbim të popullit.
Më mirë do të ishte që me ato mjete financiare të bliheshin medikamente mjekësore dhe të furnizoheshin spitalet në mënyrë që, pacientët të mos ballafaqohen me mungesë barnash nëpër klinika, që të mos i blejnë ato.
Më mirë do të ishte që me ato mjete financiare të ndihmoheshin direkt familjet apo individët e prekur nga COVID-19.
Nëse vërtet është e vërtetë se do të shpërblehën deputetët, definitivisht, në Kosovë paguhet shtrenjtë mospuna.
Të paguhen njerëzit që lëshonin sallën sa herë duhej të mitatoheshin ligje në të mirë të vendit e të qytetarëve, nuk mund të kuptohet ndryshe përveç nivel i lart i “gushanizmit” dhe shpërdorim i parasë së qytetarëve të varfër, të cilët me mund e sakrificë paguajnë taksat për ta zhvilluar vendin, këtë republikën e dashur.
Gjatë tërë vitit, në secilën komferencë, zyrtarët i madh e i vogël kanë thënë nuk ka mjete financiare, ndërsa tash kur është puna pë “grykësat politikë” paska. Po, po paska. Sepse ju nuk dini të jetoni në varfëri…
A e dini sa para marrin pensionistët të cilët i keni mashtruar në kohë fushate se do t’ua rrisni pensionet? Të njëjtën shumë e marrin ende, edhe kur nisi, edhe kur u sos mandati juaj. Çka do t’iu thoni kur t’i vizitoni tash në fushatë?
Asgjë.Do t’i gënjeni sërish!
A e dini sa vende pune janë shuar dhe sa punëtorë kanë mbetur pa punë?
Ata kanë përjetuar gjendje tmerri, sepse me ato paga fare të vogla mujore që nuk janë më të mëdha se një meditje e juaja ditore, kanë mbajtur familjet e tyre, tashmë janë raste sociale pa social.
Pse nuk i keni derdhur këto mjete financiare në ndonjë pako emergjente dhe ta ndihmoni qytetarin e varfër, apo sektorin e shëndetësisë, apo këdo tjetër përveç vetes suaj.
Ju lutem, mos i shpërbleni deputetët, sepse do të mbaheni mend, që keni shpërblyer njerëzit që nuk kanë punuar asgjë në të mirë të këtij vendi të varfër. Përkundrazi, do të duhej t’i ndëshkonit sa herë që kanë bojkotuar seancat e Kuvendit.
Ju lutem, mos i shpërbleni deputetët, por ndihmoni mjekët dhe cilindo punëtor shëndetësor që e ka vënë veten në rrezik për ta shpëtuar qytetarin, juve, cilindo prej jush që u përballët me COVID-19.
Ju lutem, ato mjete financiare jepjauni të varfërve, jepjauni pensionistëve, ose derdhni në ndonjë fond për shërimin e sëmundjeve për personat që kanë nevojë.
Ky vend është i secilit prej nesh, jo i juaji 99 herë dhe i qytetarit vetëm 1 herë.
Mos i shpërbleni deputetët me rrogën e trembëdhjetë, kujtojeni të varfërin që bie në gjumë para së të nisë festa e Vitit të Ri, sepse nuk ka me çka t’i gëzojë fëmijët. Ndërsa fëmijët tuaj festojnë të lumtur.
Kujtojini të sëmurët, njerëzit pa shtëpi, njerëzit që kanë humbur gjymtyrë trupi në luftën për liri.
Kosova është edhe e fëmijëve të varfër.
Ju lutem, mos i shpërbleni të pasurit…
Me shumë mllef
Mehdi Krasniqi