Mehdi Krasniqi

Mehdi Krasniqi: Nga fletët e revoltës

(Shkëputur nga Ditari Personal, f 6547- 6549, në vend të letrës së hapur)

I nderuar Zotni!

Ka kohë që s’më ka rënë të të takoj. Të dy jemi të zënë me punët e përditshme. Ky është një ndër qindra shkaqet që s’shihemi.

Duke e parë që nuk po arrijmë të ulemi bashkë në një tavolinë dhe të flasim sy më sy, po të shkruaj këtë letër, e cila mund të jetë e fundit për ty, anipse nuk jam i sigurt nëse prishë apo jo edhe më raportet tona! Tash jam në gjendjen: “u bë si u bë”!

Nuk e kam mërzi e as nuk e marr përulje sa herë të drejtohem me “i nderuar Zotni”, fundja të njoh gjerë në atë masë, sa të bëjë “hatër” filozofik për të mos thënë t’i rris “pendlat” paksa. E di që as ty nuk të shkon mendja gjerë aty. Fundja, zotni ke qenë në secilën kohë, bile edhe kohë e pakohë!

Nuk është se po ngreh krye ndaj teje, ndonëse as e mohoj në plotëni.Them hapur, pa frikë, jam kundër disa njerëzve që janë mashtrues idealistë, hilexhinj injorantë, njerëz pa pikë marre e fytyre, pa pikë ndërgjegje a shpirti, ndaj disave, që janë ndier “ pishmanlinj “ fill pas luftës e këtej, ta përseris, sikur bëra kur u takuam sot tri vjet më parë, për ndjenjën e marres duhet fytyrë!

Zemrimet e mia janë të shumta, do të bëj përpjekje t’i listoj disa që tashmë janë shndërruar në sëmundje për mua:

Jam i zemruar ndaj atyre që kanë shkruar histori për vete,

ndaj matrapazëve politikë që janë uniformë politike e secilës parti që hyn e del nga skena e që zhgarravitin jakash punëtorë të vërtetë që janë tamam patriotë në kryerjen e detyrës, ndërsa favorizojnë jomeritorët, spiunët që sillen poshtë e përpjetë korridoreve duke dëgjuar pas dyerve të zyrave, dhe fabrikojnë trillime, intriga e shantazhe dhe vetë janë pjatalëpirës, dhe dje, e një ditë më herët ishin  “specialca” kundër idhullit të tyre;

Ti je sikur ta aq sa rri me ta. E meçme ajo thënia: “me kë të rrishë edhe bëhesh”! Ti bëhesh si ta, por ata kurrë si ti! Dallim i thjeshtë në fund të ekuacioneve matematikore…

I nderuar Zotni, përveç atyre që i ceka më lart, jam kundër edhe ndaj atyre që e kafshuan lirinë e atdheut sikur qenë të çartur, ose më mirë të them, sikur qenë të pandërgjegjshëm!

Jam kundër atyre që këtë hise të kombit e kanë shndërruar në pronë personale si tokë babe (e nëpërkëmbin, e zhvatin, e pështyjnë, i hipin sipër, e qajnë, e pëshurrin, e çfarë s’i bëjnë- thua është vetëm e tyre!)

S’po mundem ta përsëris shpesh fjalën “zotni”, sepse druaj po e koriti fjalën në raport me ty! Kjo është gogja fjalë! E kuptova tash, teksa më ranë në mend disa cikërrima të mëdha, të cilat, janë zemërime personale dhe kolektive. Tash e tutje, s’ka më zotnillëk!

Puna e zemërimit tim nuk është shqetësim për ty, sepse ti ia ke zënë fillin mirë biznisit politik, tash shtrëmbëroje kapuçin dhe bëji vegë vekshit dhe yrnek hajes, ndërsa gajle e madhe që të tjerëve ua merr bukën nga goja dhe i bën raste sociale.  Me rëndësi është të bësh gjumë të qetë dhe t’i hipësh kalit të pushtetit për t’i mundur të tjerët që në start. Shqetësimet e mia janë edhe kolektive ta dishë mirë këtë, ta thash dhe më lart!  Kolektivi po hesht sepse varësia jote mbi ta është mbidozë. Varësi sociale, ekonomike, fatkeqësisht dhe politike! Ama, kolektivi mund të shndërrohet në masë revoltuese që çon në revolucion dhe revolucionet nuk marrin hua prej askujt!

Jam i zemëruar në disa idhnakë të dikurshëm që ngrehnin dolli e shkrepnin rafale automatikësh, kur procesi i montuar shpallte fajësi të paqenë për çlirimtarët; ndaj atyre që me zor dilshin në protesta dhe mbulonin kokën me “setër” mos i sheh ndokush nga zyrat, apo ndonjë kamerë e TV-së. Ata sot sillen sikur sulltanë! E kanë në dorë secilin që lyp punë dhe për më keq edhe secilin që është pa punë. Kjo përbën diktaturë “demokratike” të padeklaruar, e që duket demokraci transparente e “fasaduar! Për turp, janë në pozita, madje lart e më lart! Nuk e di si u bë e as pse u bë kështu…

– ndaj atyre simpatizantëve armiqësorë, që vjellin vrer kuçedrash mbi atë nam lufte e lirie; tash ata, të njëjtit janë shndërruar në simpatizantë politikë, pa ndërruar as mendjen, as mishin, as ashtin e as lëkurën! Sa për fytyrë as atëherë e as tash gjë mangu nuk lënë, sepse s’kanë fytyrë njeriu madje as majmuni!

– ndaj atyre që nuk i dhanë bukë ushtrisë së Kosovës, por i dhanë të shara e shtyrje, ndërsa pas luftës kur liria u bë, çele gojën po munde para tyre e thuaje ndonjë fjalë për luftën apo UÇK-në! Ta mbushin mendjen se ata sollën lirinë dhe jo çlirimtarët! Bile, thonë që luftën e nisi dhe e “bidisi” NATO!

– ndaj atyre, që e lanë në gjysmë amanetin e dëshmorëve, që pranuan himn dhe flamur tjetër dhe ndejtën pip në këmbë e pa fjalë para të huajit, ndërsa të tyrën e dhanë si të huajën…(!)

-në ata që akoma dhe sot vazhdojnë të vjellin mbi ato rënie e ngritje, mbi ato plagë vdekjeprurëse, mbi ato gjymtyrë të lëna fronteve; ndërsa i japin vetës mandat të tallen me lirinë, me të pagjeturit, me gjithçka që i vjen era luftë apo era liri.

– ndaj atyre, madje ndaj të gjithë atyre që krijuan rrethana misterioze për t’i gjykuar luftëtarët dhe nëpërmjet luftëtarëve edhe luftën për liri në gjykata vendore e ndërkombëtare, pa e bërë mend, se historia mund të shkruhet një ditë edhe mbi ato aktvendime të gjykatave;

– në ata përfitues që kanë ndërtuar piramida pasurie mbi kurrizin e popullit skamnor, këtu, në këtë segment je dhe ti, sepse nuk të kam njohur pas disa vjetësh nga pasuria e krijuar! Pa mëshirë të them, s’di si mund ta mbjellësh farën e bukës në tokën që ti e di se nuk është jotja, por e atyre që i sheh zbathur pa trohë buke dhe duke u përpjekur deri në sakrificë njerëzore për mbijetesë, djemtë e të cilëve ia mësyen mërgimit për një pagë mujore të dinjitetshme.Nuk di si të merr gjumi, zotni!

– në ata politikanë famëkeq, që shpërthekojnë këmishë e tregojnë gjoks ligji ndaj të ligut. Ligji për ta është veç një ninullë që përgjumë popullin dhe i hedhë hi syve atij pak grushti njerëzish që nuk kanë pranuar të shkilen nga çizmja jote politike! Shumë të rinj të diplomuar madje dhe me grada shkencore, janë sot kamarierë në kafeteri dhe nënçmohen aq qençe, sa truri i një njeriu normal nuk mund ta imagjinoj, shumë të rinj me grada shkencore janë sot raste sociale, dhe presin para Qendrave Sociale për të marr një pension-social, të cilin ata e dinë se nuk e meritojnë në këtë mënyrë, aq më keq kur janë në moshë të re. E dinë që ata do të duhej të ishin punëtorë në institucione shkencore, arsimore, nëpër institute, ministri, por s’iu latë vend sepse punësuat: bijtë tuaj, nipërit, mbesat, “baxhaneqët”,  militantët që u gërvallën nëpër fushata, që shprëndanë posterë liderësh, që vodhën vota brenda partish sa ishin komisionerë në zgjedhje, duke qeruar hesape inatesh në mes grupeve të caktuara brenda partive. Secili prej tyre, e di mirë se kurrë nuk do të mund të hyjë në punë as pastrues pa librezë partie, pa sjell dhe njerëz të tjerë në parti! Jam i sgurt që ata nuk e dinë një fakt, se edhe po hynë në parti, duhet ta dinë se me cilin grup duhet të identifikohen dhe të reflektojnë në terrenin plot hendeqe…(!)

Disave, bre i nderuar Zotni, nuk u intereson puna dhe metodologjia e punës, u intereson sa njerëz ke kthyer në parti! Kjo nuk hahet, është poshtërsia më e ndyrë, që tregon përmasën e idiotit dhe të idiotizmit politik…

– ndaj atyre, që e kanë politizuar arsimin skajshmërisht, duke punësuar familjarë dhe njerëz të rrethit të ngushtë, duke punësuar njerëz pa konkurse publike, duke fshehur vende pune ose duke i ruajtur për militantët politikë që janë në proces shkollimi, duke shkelur qençe të drejtat e të tjerëve që janë kaherë në sistem dhe kanë shpenzuar mund personal e familjar. Pra, profesionin e mësuesit e kanë ulur nën nivelin e një rojtari delesh! Misioni i mësuesit tashmë është domosdo mision politik, sepse lidhshmëria është vendpune- votë dhe kjo e hedhë poshtë trekëndëshin pedagogjik: Mësues-Nxënës-Prind, në këto rrethana bie edhe shkolla, e cila zëvendësohet me partinë. Kjo është e dhimbshme! Për konkurrentët “hakikat”  përdoren standarde të dyfishta, ndërsa kur bëhet fjalë për njerëz politikë apo familjarë politikanësh, le që nuk ka standarde, por s’vlenë as ligji, punësohen brenda dite dhe me raste të tilla s’guxon të merret as inspektori apo inspektorati, as prokurori, as prokuroria e as gjykata. Kur e kupton këtë fakt të dhimbshëm, të këputen këmbët dhe të plas shpirti. Thua i kujt dreqin është ky vend?! Por, ata  nuk e kanë dert që fëmijët apo nxënësit pësojnë ndërsa prindërit e tyre, paguajnë me sakrificë tatimet për obligime shtetërore, prej të cilave marrin paga të gjithë të punësuarit sikurse edhe punëdhënësit! Të parët në listën e meritorëve gjithherë dalin familjarët e tyre. Ata e plotësojnë secilin test intervistues 100% dhe atë pa asnjë gabim! Unë nuk dyshoj në aftësitë e tyre! Nuk më shkon as mendja të dyshoj! Sepse e kuptoj thellë e më thellë kohën e pistë dhe rrethanat e saj, që janë krijesë ideologjike e sistemit titalitar!

– ndaj atyre, që kanë larguar dhe po largojnë punëtorë nga puna, qoftë për bindje dosido, qoftë se nuk ndërruan librezë partie dhe nuk lejuan robërinë e tyre për një qejf përfitimi, sepse e dinin se dhimbja është e dhimbshme dhe s’ke kujt i qahesh pastaj…

– ndaj atyre që shtirën si viktima politike, e që në fakt, janë gjahtarë politikë, që s’e lëshojnë kurrë asnjë shans pa e shfrytëzuar. Pa “izën” e tyre nuk hyre dot në punë, dhe po je në punë, duhet kujdes me fjalët kundrejt tyre, duhet t’u rrish gati kur vinë kah zyrat a në zyrë, duhet t’i presësh sikur sulltanët, të duartrokasësh për ta vend e pa vend, edhe kur zgërdhihen, edhe kur t’i shkelin të drejtat më elementare në sy, të ligjerosh kudo që je për ta edhe në zyre, edhe në kafeteri, edhe në autobus, edhe në shtëpi, thjeshtë duhet t’i përmendësh kudo, të mos i heqësh nga goja kurrë, nëse do që të mbetesh në punë për një pagë, me të cilën duhet ta mbash familjen dhe mos të të qajnë fëmijët për një akullore, apo çokolatë, për një laps a fletore, për një çantë apo një palë këpucë, etj.

Jam i zemëruar në ata prokurorë e gjykatës, që përgjumën nëpër zyra dhe nuk ndjekin pëllëmba-pëllëmbës secilin politikan që i ka hyrë politikës si varfanjak dhe brenda vitit është shndërruar në milioner.

– jam i zemëruar edhe ndaj atyre, që maten e çmaten dhe rrudhin dorën për një rrogë veterani, invalidi a familje dëshmori, mësuesi, pensionisti, nëpunësi, punëtori në sektorin publik e privat dhe dalin me deklarata e konferenca, thua se po shembet një pjesë e botës, a kur ia ngrehin fitilin rrogave të veta, ose heshtin, ose japin arsyetime tejet banale, të cilat nuk i ha as morri! Dhe, kur vjen puna e medaljeve ato ua ndajnë të pamerituarve ose do far njerëzve që ta mbushin mendjen se kanë bërë far nami që më vonë i del zëri…

– ndaj atyre që janë fajtorë që rinia po e lë vendin dhe po ikën gjithkah, sepse fabrikat dhe ndërmarrjet publike janë shitë e stërshitë politikisht, janë privatizuar barbarisht dhe pronarë të tyre janë tashmë aksionerët politikë…

-jam i zemëruar ndaj atyrë që mbajnë nga dy-tri vende pune dhe marrin nga dy-tre paga dhe për asnjërin vend nuk janë të zotët të tregojnë vetën,  ndërsa për këtë shkak, dy-tre të rinj të tjerë mbeten me gishta në gojë duke drejtuar sytë dhe mendjen nga mërgimi, sepse nuk kanë të ardhura as për të krijuar familje!(!)

Përditë mbushen autobusë me të rinj që ia mësyejnë Evropës në kërkim të një vendi të punës. Ikjet e tilla, ma kujtojnë zbrazjen e atdheut në kohë lufte, ama, atëherë ishte luftë dhe zbrazja e vendit bëhej nga ushtria serbe, tash, në kohë lirie, ata po ikin për shkakun tuaj, ose më mirë me thënë, ju ua keni vrarë edhë ëndrrat, edhe shpresat, edhe të ardhmen! A është mirë që fëmijët tuaj t’i keni afër në secilën orë, të hani darkë në sofrën plot, të kënaqeni me fëmijët e fëmijëve tuaj, ta përjetoni ndjenjën e prindit, të gjyshit, ndërsa prindërit tjerë fëmijët e të cilëve nuk janë bashkë në sofër, dhe ata, i kanë mall prindërit dhe anasjelltas?! A janë edhe ata njerëz të këtij vendi bre, a janë?!

E krejt në fund, i nderuar Zotni, të dhashtë zoti mend! Por për mend të duhet kokë tjetër, jo kjo e tanishmja…

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …