Gjendja me pandeminë është jashtë kontrollit, ndonëse e padeklaruar. Dhe, ja pse:
Nuk jemi të vetëdijshëm për pasojat dhe jemi të papërgjegjshëm si individ e si kolektiv, madje edhe si institucione.
Përditë po merrni vendime, madje edhe vendime përmbi vendime, ndërsa mekanizmat përgjegjës për zbatimin e tyre nuk mbikëqyrin e as nuk mbikëqyren.
Të prekurit me COVID-19, detyrohen të izolohen, është krejtësisht normale, por nuk është normale që institucionet përgjegjëse të mos i mbikëqyrin e të mos iu dalin në ndihmë. Ose edhe kur iu dilet në ndihmë me ndonjë pako ushqimore apo higjienike, bëhen 100 reklama nëpërmjet fotografive dhe publikohen në facebook. Fatkeqësisht edhe fëmijët i shohim në fotografi. Hej, vendosjani gishtin vetes në kokë. Kjo përbën shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut. Ndihma në këto raste nuk duhet të bëhet shkas për fotografi e reklamim për poentim politik. Nëse domosdo duhet fotografuar, jodomosdo duhet publikuar fotografia. Ndihma në raste të tilla është obligim ligjor e njerëzor, jo obligim fotografik.
Gjendja është shqetësuese, ndërsa ne tallemi. Sillemi sikur jemi imunë e të paprekshëm. Harrojmë krejt, që ne nuk prodhojmë asgjë mjekësore që ka rëndësi në krahasim me atë që prodhojnë shtetet tjera. Kjo ju duket e thjeshtë, por nëse e analizoni në detaje, gogja e ndërlikuar del.
Edini mirë çfarë është gjendja në spitalet tona. Mirë e dini se në çfarë gjendje të rënduar punojnë punonjësit shëndetësorë. Përgjegjës për kushtet dhe gjendjen aty, jeni ju. Janë edhe ata që ishin para juve.
Çfarëdo deklarimi ndryshe nga gjendja reale përbën pallavër politike dhe budallallëk publik.
Vendimet e tilla, fillimisht duhet të nisin së zbatuari
nga përgjegjësit dhe ndaj përgjegjësve. Shumë zyrtarë të shtetit, si të nivelit qendror, ashtu edhe të nivelit lokal, pa dallim, i sheh e i takon kudo pa maskë, madje edhe brenda në institucione, në zyra, në takime, seminare e konferenca. Kjo është e neveritshme, e padurueshme dhe e papranueshme.
Secili që nuk zbaton masat mbrojtëse, rrezikon shëndetin e tjetrit dhe cilido që rrezikon shëndetin publik duhet të ndëshkohet pavarësisht rolit dhe funksionit politik që ka. Dënimi i tyre do të përbënte ndëshkim dhe mësim publik dhe mbushje mendsh për të tjerët që sillen me papërgjegjësi.
Vendosja e një maske nuk është aq e zorshme, madje as e rëndë për nga pesha.
Fatkeqësisht, edhe në shkolla është e njëjta gjë. Mësuesit pa maska, nxënësit po ashtu. Thjeshtë, asgjë. Normale për dikë, absurde për dikë tjetër i ndëshkuar askush, pasojat evidente.
Edhe në administratë, në nivel qendror e lokal, zyrtarët kudo e gjithkah i sheh dhe i takon pa maskë, shërbimet kryhen po ashtu pa maskë e pa distancë. Shenjat e vendosura nuk vlejnë as për qytetarin e as për zyrtarin.
Në markete e në restorane e njëjta gjendje. Nuk ka distancë, shërbimi pa maskë, ambienti i mbyllur.
Vetëm shërbimet mjekësore, jipen me maskë dhe në përputhje me rekomandimet e IKSHPK-së. Njejtë edhe farmacistët.
Jo vetëm në kushte pandemie, por në asnjë rrethanë askush nuk ka të drejtë ta cenojë shëndetin dhe jetën e tjetrit.
Të dashur inspektorë, dilni baco edhe nëpër institucione, ndëshkoni ata që nuk e zbatojnë vendimin dhe që rrezikojnë direkt shëndetin edhe të atyre që bartin maskë dhe sillen konformë rekomandimeve të IKSHPK-së. Nisuni prej zyrave tuaja. Ndëshkoni edhe eprorët tuaj nëse i hasni pa maskë.
Nuk duhet të ndëshkohen vetëm qytetarët e të mbyllen sytë e shtetit para funksionarëve të nivelit të lartë e të nivelit të ulët.
Dënojeni edhe inspektorin, edhe policin, edhe Presidentin, edhe Kryeministrin, edhe ministrin, edhe kryetarin e komunës, edhe prokurorin, edhe gjykatësin, edhe mjekun, edhe mësuesin, edhe drejtorin e shkollës, edhe përgjësit për pastrimin e objekteve, edhe punëtorin teknik, edhe punonjësit në aeroport, dënojeni këdo që e takoni pa maskë. Askush s’ka çka thotë as nuk bëhet kundër, as nuk bën zë. Flet Ligji!
Atëherë, e shihni që zbatimi i ligjit dhe i vendimit bëhet vërtet shembull disiplinimi dhe gjendja ndryshon për të mirë e në të mirë të secilit prej nesh, madje edhe në të mirë të të dënuarve që nuk zbatojnë masat.
Dilni nga zyrat, nga ato pallate shtatlarta, se nuk është kohë as gjendje për “zotni”.