Mehdi Saliu: Komuna e Shtimes që nga viti 2009 ka tejkaluar zbatimin e Planit Zhvillimor Komunal

Mehdi Salihu, drejtor për Planifikim Urban, Kadastër e Gjeodezi në Komunën e Shtimes, ka deklaruar se këshilltarët e Kuvendit Komunal të Shtimes në mbledhjet e fundit kishin kërkuar një informatë mbi zbatimin e planit zhvillimor komunal dhe planit zhvillimor urban, të cilat ishin hartuar si dokumente në vitin 2009 për vitet 2010-2020. “PZHK-ja, PZHU-ja dhe PRRU-ja kanë gjithsejtë shtatë strategji: Strategjia e zhvillimit social dhe administratës, Strategjia për ofrimin e shërbimeve publike dhe viset rurale, Strategjia e zhvillimit kompakt dhe funksional të vendbanimeve, Strategjia e zhvillimit të qëndrueshëm mjedisor, Strategjia për mbrojtjen e tokave bujqësore, Strategjia e zhvillimit ekonomik si dhe Strategjia e zhvillimit të infrastrukturës”, ka deklaruar Salihu. Këto dokumente në kohën e hartimit në vitin 2009 ishin paraparë edhe 89 objektiva me mbi 300 projekte. “Plani Rregullues Urban është hartuar për qytetin e Shtimes, duke përfshirë për dhjetë vjet, ndërkaq tashmë kanë kaluar pesë vjet dhe mbi bazën e raportimit në Kuvendin Komunal të Shtimes është konstatuar se me këtë plan rregullues urban janë përkufizuar tërësitë urbane në qytet, blloqet urbane si dhe parcelat brenda blloqeve urbane. Ndërkaq, mbi bazën e këtyre janë përcaktuar edhe parimet e përgjithshme si tregues themelorë urbanistikë, në të cilin është përcaktuar indeksi i shfrytëzimit të parcelës, indeksi i sipërfaqes së dyshemesë së hapësirës, vijat rregulluese dhe vijat ndërtimore.

Për zbatimin e planeve zhvillimore komunale për 11 vjet Salihu kishte marrë edhe disa metoda shkencore që përdoren praktikisht për t’u bërë një vlerësim planeve zhvillimore komunale: metodën kualitative apo sasiore, metodën kualitative cilësore apo metodën mikse. Njëkohësisht, Salihu kishte marrë edhe disa forma të vlerësimit të cilat zbatohen praktikisht në formën e vlerësimit sintetik, formën e vlerësimit analitik dhe formulat e nevojshme për të ardhur deri tek rezultatet e nevojshme për zbatimin e planeve zhvillimore në Komunën e Shtimes. “I kam paraqitur edhe tabelat detale, në të cilat ishin paraparë dokumentet me rastin e hartimit si dhe kam marr periudhën prej gjashtë vjetësh. Pastaj listën e projekteve kapitale të realizuara, të cilat janë mbi 204 projekte, duke i përfshirë të gjitha strategjitë që i kishte paraparë dokumenti. Gjithashtu, duke i marrë parasysh listat e investimeve kapitale të planifikuara në bazë të planit zhvillimor komunal dhe urban për vitet 2010-2020, aty ishte një vlerë financiare prej 29.039.500 eurosh për realizim të projekteve për këtë periudhë, ndërkaq për gjashtë vjet janë realizuar 20 milionë e 339.184 euro. Nga formulat dhe metodat shkencore është ardhur te rezultati se këto plane zhvillimore komunale për këto vite janë realizuar prej 70.04-përqindësh, ndërkaq gjatë kësaj periudhe është dashur të jetë realizimi vetëm rreth 55 për qind”, ka bërë me dije Salihu.

Kontrolloni gjithashtu

Mbi një orë duhet pritur për të hyrë në Kosovë në pikën e kalimit kufitar “Dheu i Bardhë”

Pritjet e mërgimtarëve për të hyrë nga Serbia në Kosovë po zgjasin me orë

Ashtu si zakonisht kur udhëtojnë për t’i kaluar pushimet në Kosovë, pritjet e mërgimtarëve tonë …