Shala e Bajgorës, e gjendur në kufi me Serbinë, përherë çau shtigjeve të jetës me armë në dorë. Bijtë e saj besnikë me gjak lirie nderuan Kreshbardhën e lashtë ilire. Majat dhe shkrepat e tridhjetë e ca katundeve malore të kësaj ane krenohen me trimëritë e Isa Boletinit, Jahja Kutllovcit, Bejtë Selacit, Kadri Bistricës, Bislim Bajgorës, Ahmet Selacit, Ukshin Kovaçicës etj.
Mehë Uka lindi më 20 dhjetor 1962 në Bajgorë. Ishte fëmija i gjashtë me radhë nga të dhjetët sa i kishin babë Rama dhe nënë Gjyla. Atë vit kur lindi Meha, siç rrëfejnë të moshuarit, bënte acar sa s’mbahej mend. Djaloshi lëshonte shtat atleti dhe merrte tiparet e një karakteri të pathyeshëm.
Mësimet e para i mori në vendlindje e në Mitrovicë. Edhe vitin e parë të shkollës së mesme e kreu në Gjimnazin e Mrtrovicës, ndërsa tre vjetët tjerë i vazhdoi në Gjimnazin Matematikor të Prishtinës. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm dhe i dashur për të gjithë. Që në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare filloi të bashkëjetonte me hallet e mëdha të popullit të përvuajtur. Kontaktet me literaturën ilegale dhe me veprat historike, si “Shota dhe Azem Galica”, “Hasan Prishtina” etj. e brumosin edhe më shumë shpirtin e trazuar të gjimazistit militant. Më 6 qershor 1979, në prag të vizitës së Titos në Kosovë, së bashku me shokë, në Mrtrovicë shpërndau parulla dhe afishe me mbishkrimin: Trepça punon – Beogradi shfrytëzon. Kjo tmerroi armiqtë shekullorë. Tashmë shihej fare qartë se kishte filluar zgjimi i ndëgjegjes së popullit. Grupet ilegale kishin lëshuar rrënjë dhe vepronin në shumë vise të Kosovës dhe jashtë saj.
Dhe, Pranvera e madhe studentore e vitit 1981 djaloshin sypatrembur shaljan e gjeti të gatshëm. La mënjanë maturën dhe u vu në ballë të demonstruesve. Shpirti i tij luftarak shpërtheu vrullshëm më 26 mars dhe më 1 e 2 prill 1981. UDB-ja i bie në gjurmë dhe e dënon me dy muaj burg. Pas daljes nga burgu, iu nënshtrua provimit të diplomës, duke e mbrojtur me sukses të shkëlqyeshëm. E regjistron Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore në Prishtinë, por gjendja e rëndë ekonomike dhe rrethanat e pavolitshme politike e detyruan ta lërë përgjysmë.
Veprimtaria e tij atdhetare nuk zbehej fare. Përkundrazi. Arrestimet bastisjet burgosjet torturat veçsa e sforconin dhe e kalitnin. Zemra e tij qëmoti rrahte me ritme trimërie. Në kullën prej guri, të gjyshit të tij, Bali Bajgora, njeriut që me shtatë plagë në trup kishte jetuar 120 vjet pa e lëshuar asnjëherë bajrakun e Shalës nga dora, kishte dëgjuar këngë e rrëfime për të pavdekshmit. Isa Boletini e Azem Galica ishin idolë të tij për luftëra e sakrifica. Nga respekti i madh që kishte për Shote Galicën, bijën e vet e pagëzoi me emrin Shotë. Nga kjo derë fisnike e bujare dolën edhe shumë burra me nam, në mesin e tyre edhe trimi Ukshin Kovaçica.
Mehë Uka s’ishte rastësi, por vazhdimësi e natyrshme e një tradite shekullore. Edhe qelitë e burgjeve serbe ia kishin dronë viganit të Kreshbardhës. Në janarin e egër të vitit 1984, sa ishte në shërbimin ushtarak, dënohet me shtatë vjet burg. Stoicizmi i tij u bë shëmbëlltyrë qëndrese në kazamatet serbe. I paluhatshëm nëpër hetuesi e besnik i përbetuar ndaj shokëve të idealit. Unë dua të qëndroj, të luftoj e ta çliroj Kosovën! – i kishte thënë drejtorit të burgut në Sombor, kur i kishte propozuar të ikte, me qëllim që ta vrisnin.
Pas amnistisë në prill të vitit 1990, edhe Meha lirohet. Kosovën e tij të dashur e gjeti të mbërthyer me pranga. Me ca shokë formoi Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilin për pak muaj e udhëhoqi vetë.
Ideal i tij jetësor ishte çlirimi i trojeve shqiptare dhe bashkimi kombëtar. Me tërë qenien përpiqej për unitet kombëtar. Anëtarësohet në LKÇK, por nuk i shkëput lidhjet as me LPK-në. Posa u formua krahu radikal i luftës, ai krijoi lidhje me tri bazat kryesore: me Drenicën (me jasharët, Hamzën e Ademin), me Llapin (Zahir Pajazitin) dhe me trevën e Vërrinit (Badallajt e Zhurit).
Edhe si mësues në vendlindje qe i palodhshëm. Ku ishte Meha, ishte mirësia, harmonia, dashuria, uniteti. Frika në popull mbillet për një kohë të gjatë, ndërsa vritet për një ditë! Kështu u thoshte kolegëve, nxënësve e secilit që e takonte. Shumë nxënës të tij u bënë ushtarë e luftëtarë të lirisë. Asaj rruge ecte edhe e shoqja, Resmie Badallaj nga Zhuri, me të cilën pati katër fëmijë: Dardanin, Shotën, Artën dhe Mehën e vogël (lindi pas rënies së tij).
Bota shpirtërore e Mehës ishte e kompletuar. I qëndrueshëm, i sinqertë, i fjalës dhe i besës, bindës, vizionar, i afërt me shokë, por edhe i rreptë, i ashpër e i pamëshirshëm me armiqtë. Shtëpia e tij ishte bastisur dhjetëra herë, ndërkaq vetë kishte qenë shumë herë në biseda informative, duke iu nënshtruar maltretimeve fizike e psikike. Edhe babai i tij, Rama, nuk e lëshoi shtëpinë derisa vritet nga forcat serbe.
Sipas dëshmive të prezentuara në monografinë Mehë Ramë Uka të autorit Reshat Badallaj, mbështetur në dëshmitë e bashkëshortes së tij, Resmie Badallaj, thuhet se në mbrëmjen e 28 dhjetorit të vitit 1996 Meha ishte nisur në një detyrë të caktuar për në Mitrovicë. Në fshatin Lushtë, në hyrje të qytetit aty i është inskenuar vrasja aksidentale nga policia sekrete serbe.
Mirëpo, nga plagët e vërejtura në trupin e tij, ishte hetuar se nuk ishte fjala për aksident komunikacioni, por për likuidim të paramenduar. Sipas variantit të policisë serbe, Meha ishte aksidentuar me veturën e tij në një eskavator.
Gjatë kohës së luftës, emrin e Mehë Ukës e mori Brigada 141 e UÇK-së e ZOSH-it. Sot, me krenari këtë emër e mbajnë edhe Qendra e Studentëve në Prishtinë, Shkolla Fillore në Bajgorë dhe sheshi kryesor në Mitrovicë. Për të është shkruar monografi, janë thurur këngë e janë hartuar poezi.
E shoqja, Resmia, në librin “Mall lirie”, pos të tjerash, ia kushton edhe këto vargje:
Ç’fjalë do të kishte amaneti yt
Të jetoje vetëm një ditë lirinë
Që i dhe djersën, gjakun, rininë ..
Ndërkaq, Miftar Kurti shkruan:
Rrugëve, terrçarës të patëm dhe të kemi
Flamurtar mbi Kreshbardhë
Se djersë e gjak, o bajrak
për liri s’i kurseve
si lum ti!