Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: 2 NËNTORI

bacë Osmani,
sot është 2 nëntori …
a thua do të trokas dikush
në derën e vjetër prej druri

po
ka dhe s’ka mundësi
tani në breg të diellit
bëhet fushatë
hahet mish i pjekur
dikush edhe e ha
bukën thatë
dikush pi raki
dikush bënë tregti
dikush lypës
dikush zotëri
dikush servil
dikush hafi
dikush prapa grilave
kyçur me dry…

në breg të diellit
ku dielli ngrohtësinë fali
ranë
bijtë e kësaj toke
ranë
Afrimi e Fahri djali

… mos qoftë e thënë
të kenë harruar ata këtë ditë
ata
që dikur bukën e ngrohtë
nga duar e nënë Qamilës
kanë ngrënë
ata që me bacë Osmanin dikur
netët kanë zbardhë
jo
edhe nëse është kështu
nuk dua të besoj
jo
nuk dua që sonte gjumin
me ndrojtje ta bëj
sonte jam me ty bacë Osmani
atje tek shelgu në oborr
ulu e ndeze një cigare
dhe
me hijen time fol
se dheu për të gjallë na treti
kaq të shkapërderdhur
edhe ky 2 nëntor
të shkapërderdhur
na gjeti
mos qajë për ata që ranë
qajë për ne
që jemi e nuk jemi gjallë!

2 nëntori do vjen prapë
do vjen si herëve tjera
ti ike bacë Osmani
edhe Syla!…
këtë nëntor
nuk na pritet tek dera
ne priti nënë Qamilja
me shaminë e bardhë
mirë së erdhet bijtë e mi
mirë së keni ardhë
nënë Qamilja e madhe
me shami të bardhë

Nëntor, 2021

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …