Madhështia e njerëzve të thjeshtë, krijohet duke qenë vet i tillë, shumë afër njerëzve në nevojë, i përkushtuar në punë dhe aspirata që i ke vënë vetes, i përsosur dhe i përkushtuar për të arritur të realizueshmen që e do populli, vendi dhe shoqëria, njeri që dhuron dashamirësi pa kushte, njeri i heshtur e pa zhurma, njeri që mbi kurriz ke bartur dramën e madhe të popullit të përvuajtur për të parë pak dritë, pak dritë, pak dritë o shok o vëlla!
E kundërta e kësaj, si megalomania mosrespektimi, pandërgjegjshmëri ndaj përgjegjësive të marra, kundërshtimi dhe linçimi i çdo të arriture, krijimi i bindjes së të gjithë janë armiq, autoritarizmi, nihilizmi etj. bartë rreziqet e veta të pallogaritshme, në rend të parë për emra të përveçëm e pastaj edhe për shoqërinë.
Njeriu dhe shoqëria, duhet të zënë nga pësimi dhe përvoja e jetës reale dhe mitike. Ka një mes këtu, diku mes legjendave dhe historisë, kur ditën ngritje e natën shembej Ura e Shenjtë, u desh që të murosej një grua, një nuse e re që quhej Doruntina. Në fakt këtu, njëri nga vëllezërit tanë, kishte tradhtuar, kishte shkelur besën e dhënë… dhe besë shkelësi mbeti mallkua edhe sot e gjithë ditën.
E reja Doruntinë, nusja e legjendave, nuk kishte kërkuar as gjë, më shumë së : “ Që gjirin e saj ta linin jashtë murit, për t’i dhënë sisë djalit të saj që ishte foshnje!”, pra ajo kishte vetëm këtë kërkesë: ta rriste birin e saj, birin e atdheut!… legjendë e histori bashkë, që na bënë ta kujtojmë e të përkulemi përjetë para atyre që mbajnë fjalën e besën e dhënë.
Nuk ka ditë të zotit, ag e muzg, që në mediat tona (jo të gjitha), nuk plasin gojë zdralet, Diarre-a gazetareske në Kosovë, sikur nuk ka të ndalur, duke bërë shkuarje barku vend e pavend, duke krijuar averzion organik edhe në këtë kohë përballje me kërcënimin nga virusit COVID-19, që ka futur botën nën pushtetin e frikës së padukshme, por që lexohet fare qartë në ballin e të gjitha diplomacive Botërore.
Diarre-a e radhës sot, ishte se VV, po ndahet edhe një herë, pasi që Albini me Glaukun nuk i kanë punët në terezi! Pra, po përzihet Prizreni na u kanë qartë zotërinjtë ndër veti, në një kohë që ende nuk janë shëruar plagët e çarjes së koalicionit paraprak, në një kohë kur bota e civilizuar është mobilizuar për ballë këtij virusi të padukshëm, në një kohë kur të gjithë ata që dhanë besën se nuk do të tradhtojmë kalanë e shtetit, me dashje dhe ditëm drekë e murosën Doruntinën dhe dogjën legjendën mbi besën e dhënë. Po e dogjën keq, e nesër kush kujt do t’i besoj se nuk do ta murosin, se nuk do ta tradhtojnë, se nuk do të shkelin me të dy këmbët besën e dhënë!…
Dualizëm i dukshme që ka kapluar çdo pore të shoqërisë si në pushtet me dy qeveri, dy diplomaci, dy ekonomi, dy veta nuk bëjnë dot me njeri- tjetrin, tavolina nuk i duron dy karrige, partia nuk i mbanë dy mendimtarë, mbledhja dy dijetarë, urtia dy pleqnarë!… madje edhe me botën e madhe, nuk i mbajmë dot marrëdhëniet pa dualizëm: një me ne, një me ata. Se ata nuk janë si ne e as ne si ata… e lum si na!
Fundja, kujt i plasi trapi për gjithë këto dromca ditore, që nuk i lidhë dot as me fije bari… shtrohet pyetja; ku ta mbështesim optimizmin dhe shpresat e qytetarit për një të ardhme të sigurt, ku qytetari do të gdhihet dhe ngryset i qetë, konkurrent në jetë me mundësi të barabarta para ligji, ku qytetari, punëtori e hallexhiu të mos pyetet: “ A je me ne a me ata!”, e lum si na!… ku ta mbështesim shpresën e këtyre njerëzve të thyer në dysh, nga barra e halleve të mëdha të përditshme, që po rëndohen mbi kurrizin e tyre, je me ne a me ata, lum si na!…
Diarre-a tjetër e radhës ishte edhe ajo se gjoja: pas kërkesës së një grupi shqiptarësh të Amerikës që bënë tek Presidenti Donald Trump, për shkarkimin e Richard Grenell, Presidenti Trump, tha: “ E kanë kërkuar shqiptarët, menjëherë e shkarkojmë Grenellin, Posi!”
Grenell ra nga ati e nuk e zu sahati!…
Keni parë ju, këtë lajm e dha edhe Joseph DioGuardi, që falënderoj shqiptarët e Amerikës dhe bijtë e Abidës! e marrëzira tjera… ky është ushqimi i përditshëm i mediave tana, që i servohet qytetarëve tanë, tri herë në ditë, e lum si na!…
Ndërkohë që i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka hedhur poshtë lajmet për shkarkimin e tij nga kjo detyrë, në fakt është bërë një shkarkim dhe ngarkim tjetër, por që shqiptarët ende nuk e kanë mësuar të lexuarit amerikanisht po themi!
Edhe një herë dua të bëj apel për durim, për të gjithë ata që duhet të kalojnë në Karantinë për 14 ditë rresht. Pak rëndësi ka, që sot shtetit i prinë Maliqi e nesër Refiqi, me rëndësi është të respektohet ligji. Pa dashur të fyej askënd, dikur kur i merrnim bijat në të pamë- i thoshim ne andej, në gjini pra, ato qëndronin 14 ditë, dhe nuk mërziteshin fare.
Prapë, pa dashur të rëndojë askënd: bijtë dhe bijat e këtij populli, pra bijtë tuaj, për hir të çështjes së madhe, kanë qëndruar të karantinuar nëpër burgje e qelia të pushtuesit Serb me vite, pa parë babë e pa parë nënë, pa parë vëlla e pa parë motër, pa parë shtëpinë e pa parë votër… ishim të izoluar, të vëzhguar, të maltretuar, të keq ushqyer, të kërcënuar me jetë, të ndarë nga bota, por për hir të çështjes së madhe, kurrë jo të nënshtruar, “Karantinimi” i të dënuarve ka zgjatur, madje edhe 14 vite!…
CH-07-05-2020