Me rastin e ndërrim moteve me 30.12 1991, (për koincidencë, ky fenomen natyror, si sot pas 33 vitesh, po ashtu ishte ditë e hënë!), Adem Jashari rrethohet në orët e hershme të mëngjesit nga forcat e Milicisë Serbe…
Në vitin 1991, Adem Jashari me shokë ishin kthyer të armatosur dhe të përgatitur nga Shqipëria. Për hir të vërtetës, në Shqipëri në marrëveshje mes LPRK-së dhe “Qeverisë” Bukoshi në Ekzil, (të cilët kishin bashkuar mjetet), dhe kishin dërguar djemtë tanë atje që të përgatiteshin dhe të zotëronin artin dhe strategjinë ushtarake. Policia serbe i kishte pikasur, dhe kishte filluar t’i kërkonte për t’i arrestuar ata, si grupin e Adem Jasharit dhe të tjerë që kishin shkuar për të ushtruar në Shqipëri. Në fakt, grupi i Adem Jasharit, ishte grupi i dytë dhe i fundit që kishte shkuar atje, kaq kishte zgjatur edhe kjo…
Me rastin e ndërrim moteve me 30.12 1991, (për koincidencë ky fenomen natyror, si sot pas 33 vitesh, po ashtu ishte ditë e hënë!)… Adem Jashari rrethohet në orët e hershme të mëngjesit nga forcat e Milicisë Serbe. (Tani çdo personazh, që atë ditë ka qenë aty, dikush më herët e dikush më vonë, ngjarjen e rrëfen sipas këndvështrimit të vet, pra, sipas asaj që ai ka parë, për aq kohë sa ka qenë i pranishëm brenda rrethimit, apo e ka parë nga distanca, e ka parë duke ikur, apo si e ka dëgjuar nga të tjerët e kështu me radhë!)…
Por ka edhe të tillë, që më shumë flasin në vetën e parë njëjës, unë isha… unë bëra… unë thash… unë vendosa… unë dhe vetëm unë!… dhe pikërisht këta, nuk ishin fare aty, por diku më larg, dhe duke bërë sehir, apo që rrëfimet i kanë dëgjuar nga të tjerët- urtia popullore thotë së trimëria pas luftës dhe dituria pas kuvendit është e pa vlerë!
Megjithatë realiteti ishte ky, (bazuar nga ajo sa isha prezent, nga ajo që unë kam parë deri në orën 12 të asaj dite që isha me ta në rrethim).
Shkaku i gjithë asaj hallakatjeje të tmerruar të regjimit Serbo-Jugosllav, me ushtri e milici, ishte Ademi me Hamzën, Rifatin, bacë Shabanin dhe djemtë e UÇK-së. Kjo hallakatje e përcolli atë pushtet të dhunshëm e gjakatarë, deri në kapitullimin e tij të plotë. Aparati shtypës Serb, së pari theu qafën dhe i ra nami i saj për tokë pikërisht në Prekaz, si në Kohën e Ahmet Deliut, pastaj të Tahir Mehës, në vazhdim në përballje të një pas njëshme me familjen e Komandantit Adem Jashari dhe me Ushtrinë e lavdishme Çlirimtare të Kosovës, pra në Prekaz, aty ku edhe u nisi së pari!
Komandanti Legjendar Adem Jashari, edhe për së vdekuri, kishte tmerruar atë regjim gjakatarë, e kishte vrarë moralisht, shpirtërisht, ushtarakisht dhe politikisht, ndërkombëtarisht, prandaj mbarë shqiptarët dhe ndërkombëtarët e kanë për borxh moral, që në çdo përvjetor të përkulen para varrit të legjendarit ADEM, dhe lapidarëve të UÇK-së, që shporren një pushtues gjakatarë- siç ishte Serbia! Adem Jashari me çlirimtarët, botës liridashëse i dha shembullin më unik të sakrificës së popujve që luftojnë për lirinë e vet!, bota duke qenë e lirë dhe demokratike, merr frymë më lirshëm. Triumfi mbi diktatorët e vegjël dhe të mëdhenj Serb, me gjithë makinerinë e tyre shtypëse, Ademin e vë në fronin e çlirimtarit të Ballkanit, dhe jo vetëm të shqiptarëve në Kosovë!…
Në vazhdim, atë ditë të rrethimit të Kullës së Shaban Jasharit edhe unë e rrëfej atë luftim, nga ajo që kam parë përgjatë asaj dite, duke qenë edhe vet prezent në rrethim, diku nga ora 6 – 7 e mëngjesit, deri në orën 12 të ditës.
Që nga mëngjesi i hershëm, jam i pari që jam takuar me Hamëz Jasharin, diku mes orës 6 – 7 të mëngjesit. Rrethimi i familjes Jashari, ka ndodhur me 30 dhjetor 1991, ditë e hënë, që nga ora 5 e atij mëngjesi!, ku dëgjohej fare qartë zëri i komandës Serbe, përmes një megafoni që gumëzhinte atë mëngjes të ftohtë me borë, që urdhëronte prerë:
… “Hamza i Adem, predajte se, ako se ne predate za 5 minuta, podicicemo kucu u vazduh!”… që do të thotë:
… “Hamëz dhe Adem dorëzohuni, nëse nuk dorëzoheni për 5 minuta, do t’ua hedhim shtëpinë në ajër!”… kërcënim ky i hapur i milicisë serbe me hekur e zjarr!
Ishte një rrethim i hekurt, por në saje të vigjilencës dhe vendosmërisë së burrave të Jasharajve, Ademit, bacë Shabanit, Hamzës dhe Rifatit të cilët shpërthyen rrethin, duke i lënë të plagosur disa nga milicët Serb. Bacë Shabanin me familje kishin mbetur të barrikaduar në kullë e shtëpi- bacë Shabanin Hamza e thërriste Mic Sokol!.
Bashkëfshatarët u mobilizuan me atë armatim që kishin në posedim, dhe ajo ditë filloj me zjarrin e luftës dhe përfundoi me krenarinë e fitores. Ajo ditë dha shkëndijat e para së shqiptarët kishin gati pushkët e lirisë, që më pas kënduan aq bukur në duar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Unë u takova së pari me Hamzën tek “Bunari i Tafës”, në fund të lagjes Brahaj, ku ishin të pranishëm Brahim dhe Fidaim Jashari, Enver Hajdari, Xhafer Haxha dhe disa të rinj tjerë që mund t’i kam harruar emrat etyre. Hamza po dridhte një cigare nga kutia e duhanit të Brahim Jasharit, dhe tymin e nxirrte me furi nga hundët dhe goja, si dikur Gjergj Elez Alia!…
Re prej tymit se ç’po i shkonte
armët me dhëmb se ç’po i kafshonte
plagët me dorë po i shtrëngonte
trimave të dheut zë po u lëshonte
bini djem t’i rrethojmë tanë
me dorë të gjallë o do t’i zëmë
për atdhe do vdesim të tanë…
Ky ishte Hamza…
Fjalët e mia të para me te ishin: “ Hamzë vëlla, na qoftë e mbarë jehona e pushkëve të lirisë!”, dhe u përqafuam…, prezent ishin këta burra që i ceka më lartë… Diku pas 20 minutash, unë dhe Hamza u takuam edhe me Ademin, Rifatin, Zymer e Naser Mehën, Xhavat e Ramadan Mehën, Halil Gani Mehën, në pyllin përballë shtëpive të Jasharjve, në një vijë ajrore ndoshta jo më shumë së një kilometër. Më vonë erdhën dhjetëra shokë e luftëtarë tjerë si: Sami, Lushtaku, Nuredin Lushtaku, Jakup Nura, Sahit e Musë Jasharin, Zenun e Fadil Kodra, Vesel Selimi e dhjetëra tjerë, të cilët bënë rezistencë atë ditë rrethimi deri në orët e mbrëmjes. Rezistenca e asaj dite, u konkretizua me sinjalet e para se pushkët e lirisë ia lënë edhe pushtuesit serb, dhe kjo tanimë kishte ndodhur. Për gjatë tërë asaj dite, popullata e asaj rrethinë në një perimetër më të gjerë, ishte në gjendje gatishmërie e cila herë pas here edhe shtinte më armë në milicinë serbe dhe në mjetet e tyre të blinduara, madje kishin shtënë edhe mbi një helikopter që sillej mbi qielli e Prekazit, pore që armët nuk ishin aq të sofistikuar për ta goditur, siç ishin mauzer ’48 etj.
Ademi me Hamzën, Rifatin dhe bacë Shabanin, pa dyshim edhe me bashkëluftëtarët tjerë- bijtë më të mirë të popullit tonë, të cilët më vonë u radhitën në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndezën pushkët e lirisë së atdheut kundër pushtuesit gjakatarë serb, dhe kjo ndodhi pikërisht me 30 dhjetor të vitit 1991 në Prekaz.
Diku nga mesdita, mua më rekomandoi personalisht Hamëz Jashari (në prani të luftëtarëve tjerë), që të shkoj në Skenderaj për të pritur, sqaruar dhe lajmëruar opinionin mundësisht edhe ndonjë zyrë ndërkombëtare në Prishtinë, për atë që po ndodhte në Prekaz.
Ne, u ndamë me marrëveshjen që të takohemi serish nga ora 16-të e mbrëmjes, pikërisht aty, në vend rrethim. Ajo ditë e rezistencës së pashoqe e të gjithë atyre luftëtarëve, përfundoi pa humbje në njerëz, pavarësisht zjarrit të plumbave që milicia serbe volli tërë atë ditë mbi luftëtarët e lirisë. Me gjithë arsenalin e tyre me autoblinda, tanke e armatim tjetër të rëndë. Nga ana jonë pati vetëm të plagosur, si Halil Gani Mehaj lehtë, dhe më rëndë ishte plagosur dhe kapur nga policia serbe, Vesel Selimi nga Aqareva e Skenderajt.
Forcat Serbe nga territori i Prekazit u tërhoqën me humbje dhe dështim të plotë, sa po kishte filluar të binte muzgu, diku nga ora 16: 00 e mbrëmjes. Atë moment të tërheqjes së tyre, unë dhe fqinji im, Jakup (Rexhep) Hamiti e kemi përcjellë dhe parë shumë qartë, ne ishim mbi lagjen Dushkaj (në vijë ajrore diku rreth 500 metra), duke u kthyer nga Skenderaj dhe nga aty ne i numëruam një nga një:
Ishin gjithsej 16 autoblinda, 4 tanke si dhe mjete tjera përcjellëse me alarme vezulluese dhe alarme burish, si dhe të shtëna të herë pas hershme gjatë tërheqjes së tyre nga vend rrethimi, drejt lagjes së Jasharajve në drejtim të Skenderajt, në vazhdim drejt Mitrovicës. Në Skenderaj kam shkuar me kërkesën e Hamzës, atje takova kryesine e LDK-së të asaj kohe, prirë nga Idriz Rrecaj dhe anëtarë tjerë. Më vonë (diku nga ora 14:00), arritën nga Prishtina Fehmi Agani, Zenun Çelaj, Anton Kola dhe shoferi i tyre. Nga ky takim, unë u zhgënjeva për faktin së prisja më shumë nga ata. Jo, ata në një farë mënyre, kërcënuan kryesinë e LDK-së së Skenderajt dhe kryetarin e saj!, duke i thënë decidivisht se:
… “Keni për ta parë ju mirë vetëm sa të kalojë kjo, si guxoni të lejoni që njerëzit të ngrehin armët kundër milicisë serbe!” … këtë e tha me gojën e tij, Anton Kola!
Më herët në Skenderaj, kishte qenë edhe Veton Surroi dhe Zekeria Cana, të cilët kishin shkuar drejt e në stacionin e policisë Serbe të Skenderajt për të marrë leje tek Komandanti Ilia, që të lejoheshin për të shkuar tek Jasharajt në Prekaz, njëjtë vepruan edhe këta të dytët, të prirë nga Fehmi Agani dhe Anton Kola!…
Nga Skenderaj u ktheva diku rreth orën 16: 00, sa kishte filluar të errësohej, dhe sa kishin filluar të tërhiqeshin tanket dhe autoblindat Serbe. Më vonë, diku nga ora 19: 00 të po asaj mbrëmje, unë dhe Xhafer Haxha nga lagja Brahaj e Prekazit, kemi shkuar tek lagja Mehaj për t’i takuar Jasharajt dhe luftëtarët tjerë. Sipas informatave që na i dha nëna e Gani Mehajt, Luftëtarët e lirisë (në krye me Ademin), kishin shpëtuar pa lëndime, pa dëmtime në njerëz, pastaj diku rreth orës 17:00- 18:00, ata kishin kaluar në fshatin Polac në konakun e Gani Kocit, më vonë për në Negroc te Jakup Krasniqi, më pastaj tek Shaban Shala, pastaj tek Elmi Zeka e kështu për disa kohë.
E hënë-30-12-2024
Mehmet Bislimi