Mehmet Bislimi: BEDRI KUKALAJ, njeriu që vdekjen e takoi disa herë në jetë!

 


Njerëzit e përkushtuar të cilët marrin rrugët e jetës në sy, nuk pyesin shumë, nuk mendohen shumë, nuk vuajnë shumë nëse do të shpëtojnë, apo jo nga të papriturat e saj? Ata iu përveshën rrugëve të saja me përkushtim dhe nuk u hamenden e nuk u zmbrapsen kurrë para sfidave që hasen në rrugëtimin e tyre!
Dhe krejt në fund, kur ndodhin befasitë, kur luftëtari i lirisë takohet me vdekjen, qëndrimi i tij mospërfillës para saj, sikur e ringjallë atë, të tillë janë heronjtë tanë të gjallë, për të cilët ne kemi shkruar dhe kemi folur pak e në fakt Kosova ka shumë të tillë!
Në mesin e qindra pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët ishin matur dhëmbë për dhëmbë me vdekjen është edhe Bedri Kukalaj. Në mesin e të gjallëve jeton sot mrekullia e triumfit mbi vdekjen anë e kënd Kosovës, bijtë më të mirë të popullit tonë të cilët sot ndrydhin plagët me dhembë, për më shumë se humbjen e gjymtyrëve të trupit, për më shumë se margjinalizimin e tyre, për më shumë se injorimin e tyre dhe familjeve të tyre, për më shumë se mëria kur sheh burra që shtyhen bërrylas për t’u dukur të pamerituarit, për më shumë se të sheh Zoti e nuk të sheh robi!…
Ata sot ndrydhin përnjëherësh plagët e trupit dhe plagët e shpirtit më dhëmbë, por krenarinë për të kaluarën e tyre, ata nuk e shanë, nuk e mohuan, dhe nuk u penduan asnjë herë për atë që bënë në shërbim të çlirimit të atdheut tonë. Ata nuk u zhgënjyen, ata dhanë shumë për Kosovën tonë të dashur, ata dhe vetëm janë meritor për ditët e reja që aguan në Kosovë!
A thua, cilat plagë rëndojnë më shumë o ushtarët e atdheut që buzët iu kanë vënë shkrumb për një pikë drejtësi; ju që hytë dhe dolët nga lufta pa bujë e nam; ju që u plagosët dhe u shëruat pa zhurmë e prononcime pompoze; ju që u arrestuat dhe u liruat pa pritje e ceremonira të tjera bombastike, ju që me dorën tuaj të butë ua mbyllët sytë trimave- bashkëluftëtarëve tuaj, duke i bartur thellë në gji amanetet e tyre për liri të atdheut…, ju që Kosovës ia falët gjymtyrët tuaja e që nuk kërkuat asgjë nga Kosova- veç nder e krenari! Ju, që nuk e neveritët shoqërinë me paraqitje neveritëse, ju që të heshtur ikët për në frontin e luftës dhe të heshtur e fitimtarë u kthyet nga fronit i saj!
A thua ky vend, kjo tokë, kjo shoqëri, do të mund ta laj borxhin moral ndaj juve ndonjëherë, ndaj familjeve tuaja, ndaj fëmijëve tuaj, ndaj gjakut tuaj?… Këta janë bijtë tanë, janë krenaria jonë kombëtare, në mesin e të cilëve është edhe Bedri Kukalaj me shtatë plagë në trup si dikur Jakup Ferri!

Bedri Kukalaj, lindur me 1978 në fshatin Priljep të Deqanit, rrjedh nga një familje atdhedashëse, dhe pa dyshim ky brez me përkushtimin e vet për çlirim e bashkim kombëtar nuk ndenji duar kryq. Si shumë shokë të tij, edhe Bedriu iu bashkëngjitë radhëve të UÇK-ës, gjatë luftimeve me pushtuesin serb, Bedriu ishte plagosur rëndë dy herë. Me 27 prill 1998, gjatë kalimit të kufirit Shqipëri- Kosovë, duke sjellë armatim për luftëtarët e lirisë, ky grup has në pritat serbe, ku pas luftimeve të ashpra, bien tre luftëtarë të lirisë ( Haxhë Tolaj, Sadri Latifaj dhe Edmond Dabiqaj). Plagoset për vdekje Bedri Kukalaj, Fadil Dabiqaj, Hysen Latifaj dhe Armend Mazrekaj, të cilët edhe zihen rob nga forcat serbe. Pa dyshim se kishte humbje edhe nga ana e forcave serbe, por ata kishin tërhoqën ushtarët e vet të vrarë më herët.
Policët serbë të koordinuar me forcat ushtarake serbe, kishin përgatitur një skenar të veçantë me këtë rast për mjetet e informimit se gjoja kishin zënë rob ”terroristet” shqiptarë, ata po filmonin këto ngjarje para kamerave me qëllim të përhapjes së dezinformatave për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku kishin grumbulluar edhe armatim që nuk i përkisnin grupit të luftëtarëve të lirisë! Mirëpo, bota demokratike dhe e civilizuar këta skenar të Serbisë i kishte të çartë tanimë, ashtu siç e kishte të çartë se ushtria dhe policia serbe po ushtronte dhunë dhe gjenocid mbi popullatën shqiptare në Kosovë. Të plagosurit i mbajtën aty që nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 15, pastaj me një helikopter i bartin për në Nish. Atje fillon tmerri serb mbi ta. Bedriu ishte i plagosur në katër vende të trupit të tij, policia serbe, as që denjoi t’iu japi ndihmë mjekësore, kështu që të plagosurit shqiptarë gati për një muaj u detyruan që të bëheshin mjek të vet- vetës, madje Bedriu, duke mos mundur që t’i durojë dhembjet, kishte hequr vet plumbin nga trupi i tij!!!
Pas mbi tre muaj paraburgim këta djelmosha i nxore para trupit gjykues dhe Bedriun e dënuan me 13 vjet burg. Dënimi total i katër ushtarëve të lirisë nga gjykata e Nishit ishte drakonik, ata i dënuan me 47 vjet burg! Pasojnë transferimet e tyre për në burgun ushtarak të Beogradit, pastaj prapë në kampin e përqendrimeve në Nish, pastaj në Pozharevc, Lipjan, Dubravë etj. Kudo nëpër këto burgje, këta të plagosur e të zënë rob i kishin maltretuar jashtë çdo norme njerëzore, maltretime këto të cilat nuk mund të përshkruhen me fjalë!
Kishte fillua bombardimi i forcave aleate të NATO-s- rrëfen Bedriu: ”Me 30 prill ’99, na lidhen me zinxhir duke na vendosur në autobusë për të na nisur në Kosovë, e dinim se këtë po e bënin që me trupat tonë të mbrojnë objektet e tyre ushtarake e policore, ishim shumë të vetëdijshëm se kufiri mes jetës e vdekjes më nuk paraqiste gjë!… Skenarët ishte planifikuar e detajizuar në Beograd, gjate rrugës për në Kosovë në fshatin Arllat, tanku që me parë iu printe autobusëve, në të cilët ishim ne, pra shqiptarët e zënë rob, ky tank qëllimisht ishte futur në mes të kolonës së autobusëve, kolona ishte ndalur afër urës, prisnim se çdo të ndodhte…, dhe pas ca; dëgjuam një shpërthim të fuqishëm, ne ishim të pafuqishëm për të bërë diçka më shumë- ishim të lidhur me zinxhir! Më pas kanë hyrë në autobus militarë serb të maskuar, me thika e shkopinj druri në duar, të cilët kanë ushtruar dhunë të pa parë mbi ne, madje na kanë therur edhe me thika!… Më pas na dërguan në burgun e Dubravës, pikërisht në ato pavijone ku më parë kishin qenë të vendosur ushtarët dhe policët serbë, këtë e bënë me qëllim që kur të fillojnë bombardimet e trupave aleate, ne të mbeteshim, siç thotë populli: “mish për top!”…
Dhe kjo ndodhi, me 19-maj 1999. aeroplanët e NATO-s bombarduan burgun e Dubravës. Me atë rast ne kishin rreth 12 te burgosur shqiptarë të vrarë, me 22 maj 1999, ushtria dhe policia serbe, por edhe ish të burgosur ordiner serb të gjithë të mobilizuar dhe të armatosur deri në dhëmbë, ne shqiptarëve na urdhëruan që të rreshtoheshim pranë murit rrethues të oborrit të burgut të Dubravës… Filluan breshëri të shtënash me armë të ndryshme automatike, bomba dore e çka jo…
Me atë rast kanë mbetur të vrarë 170 të burgosur shqiptarë! Jam plagosur edhe vet rëndë, nën trupat e pajetë të shqiptarëve kam qëndruar plot 38 orë. Në fakt, aty nuk po dihej më se kush ishte ende i gjallë dhe kush ishte i vdekur!”- përfundon rrëfimin e tij tronditës luftëtari i lirisë, Bedri Kukalaj me trupin shoshë, por me zemër guri.
Peripecitë e lirimit të Bedriut nga burgu, si dhe të shqiptarëve të tjerë, të cilat i referohen deri në një masë edhe Kryqit të kuq ndërkombëtarë, por më shumë ndërhyrjes së diplomacisë ndërkombëtare, prirë nga shtetet e bashkuara të Amerikës. Është kapitull në vete pastaj shërimi i tij nëpër spitale të ndryshme, deri te gjendja e tij shëndetësore sot; rrëfimet vazhdojnë pambarimisht në vete, duke e bartur në gji historinë e vet secili nga ata, historinë e triumfit gjithëkombëtarë mbi të zezën robëri, që bijtë e popullit tonë e paguan shumë shtrenjtë…
Kjo ishte historia e njërit prej trimave të anëve të Dukagjinit, po histori e trimave të tjerë nga anët e Drenicës, të Llapit, të Gollakut, të Gjilanit, të Pashtrikut, të Lubetenit, të rrafshit të Kosovës etj. Kjo ishte histori e njërit prej luftëtarëve të lirisë së Kosovës. Kjo ishte historia e tmerrshme e Bedri Kukalës i cili për lirinë e Kosovës, fali pjesët e trupit të vet.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …