Burgu

Mehmet Bislimi: Burgu!

(Tani që arritëm të përjetojmë mbylljen e një burgu!)

“Një të sapo liruar nga burgu, po e pyeste fqinji i tij tërë kureshtje:

-pashë besën si është burgu, sa kam qejf me qenë si ti, i dënuar politik mor burrë?!

– Fare lehtë, ia ktheu ish i dënuari: dil në qytet dhe shaje Titon dhe LKJ-në!

– Jo që besa, nuk guxoj se më fusin në burg! ia kishte kthyer ai.

 

Stigmatizimi dhe akuza të akorduara brenda shoqërisë, kryeneçësia dhe forca e treguar e pushtetit autoritar, mbi kurriz të popullit, shantazhi politik që dikur ka sjellë profit politik në sistemet moniste, që fatkeqësisht edhe sot, po paraqiten si episode të shëmtuara të një kohe që ka ikur me turp, tani, në forma më të sofistikuara, gjithsesi të dështuar. Megjithatë, parimi më elementar etik është; të mos frikohemi nga e vërteta, të gjithë ata që frikohen nga e vërteta, do të thotë se i kanë hyrë dikur kohës në hak. Më së e vërtetë: na ishte një herë një kohë, kur shqiptarët dënoheshin nga shqiptarët, për qëndrime politike! Pra ata dënonin bijtë e vet, vetëm e vetëm pse ne donim liri, donim bashkimin e tokave shqiptare me Shqipërinë, injoronim e diskreditonim Titon, dhe të gjithë anëtarët e LKJ-së, majtas e djathtas!…

Cili ishte dallimi në këtë mes, fare e thjeshtë: ata që kundërshtonin pushtuesin dhe ata që i shërbenin pushtuesit (pavarësisht rrethanave), pra ishin dy taborë: njëra si kundërshtare e pushtuesit, e persekutuar, e burgosur dhe dënuar, tjetra në shërbim të pushtuesit e privilegjuar dhe avancuar në hierarki – kaq e thjeshtë ishte kjo!

Dorën në zemër: edhe ish të burgosurit politik, kishin mundësi të mos burgoseshin e dënoheshin!?, të vetmen gjë që duhej të bënin ata, ishte: te lavdëronin Titon dhe t’i shërbenin LKJ-së, ta shanin Enverin dhe Shqipërinë, po kaq e thjeshtë ishte edhe kjo!, por ata nuk e pranonin mohimin e atdheut me asnjë çmim, po aq fuqishëm dhe bindshëm nuk pranonin as të jenën në shërbim të pushtuesit, prandaj burgoseshin, dënoheshin dhe persekutoheshin nga ish regjimi i pushtuesit serbo-jugosllav- titist!

Tani, duam s’duam, duhet ta pranojmë realitetin: një pjesë e këtyre poltronëve, nuk e ka pasur guximin dhe bindjen te bijtë e vet, së një ditë do ta mposhtin pushtuesin, për faktin e vetëm së këta ish shërbëtorë, me kohë ishin gjunjëzuar para pushtuesit, madje edhe shpirtërisht. Këtë e vërteton katërçipërisht fakti se kjo Kastë, as tani, nuk ka arritur ta çlirojë shpirtin e vet prej robi! Nga ana tjetër, ish të dënuarit politikë, asnjë herë nuk i kanë urryer këta kokëshkretë, ngase ne, me kohë kishim kaluar kufijtë e frikës dhe urrejtjes, ne donim vetëm lirinë e vendit tonë, dhe këtë e mbronim me forcë e vetëmohim, edhe kjo ishte po kaq e thjeshtë.

Në fakt, Kosova ishte e tëra një burg i madh,  i pushtuar nga gjakatarët serbo- jugosllavë, për aq kohë sa kërkesat e shqiptarëve për liri e pavarësi po rriteshin dhe nuk kishin të pushuar. Ish pushtuesi gjakatar, para së gjithash, nuk ishte i lirë as vet për veten e tij, ngase përditë e më shumë i duhej të zbulonte e zbatonte metoda të reja, për të mbajtur shqiptarët të burgosur, të robëruar dhe të pushtuar. Prandaj çdo pushtues është i gjykuar të bie, por ai nuk bie vet, duhet bërë përpjekje sublime për ta rrëzuar e shporrur. Shqiptarët e bashkuar e shporrën pushtuesin serbo-jugosllav, një herë e përgjithmonë, robërinë e vranë me pushkët e lirisë, prirë nga bijtë e saj më të mirë- rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

 

Burgu si objekt:

 

Godinat e burgut dhe vet fjala burg, në vete ngërthen; diçka të keqe, të rëndë, të frikshme dhe të vetmuar. Në burg!, ishte terr burg!, u kalb në burg!, ka mbetur ngujuar si në burg!, nuk doli i gjallë nga burgu…sinonim i së keqes etj. Burgu si godinë, me mure të larta, të trasha, të vjetra, rrethuar me tela e gjemba, me grila e hekura, me qeli e izolime, me gardian e roje, me karakollë e siguri të veçantë, me tortura e britma, me greva urie, me mall e vuajtje, por edhe me këngë rezistence e lirie, me frymëzim e krenari, me mos përkulje para pushtuesit, me greva e barrikada, përfundimisht me bindje të patundur në fitore!…

Ish të burgosurit politik shqiptarë të të gjitha kohëve, kudo që kanë vuajtur dënimin, kanë lënë përshtypje të mira, sjellje të dinjitetshme, të papërkulur, të vendosur në rrugët e lirisë dhe krenar për atdheun e vet. Prandaj burgu nuk na ka thyer, ngase ne, shpirtërisht kemi qenë të lirë. Kemi pasur ndërgjegje të pastër, nga burgu, kemi dalë edhe më të fortë se sa kemi hyrë!

E saktë, shumë prej të burgosurve politikë nuk kanë dalë gjallë nga andej, si: Omer Muhaxhiri, Fazli Grajçevci, Zija Shemsiu, Xhemajli Berisha, Abedin Bala, Ibrahim Krasniqi, Ibrahim Kelmendi- Dushanova e dhjetëra tjerë. Si pasojë e torturave, me qindra të dënuar shqiptarë, kanë dalë me pasoja të rënda shëndetësore nga burgjet e ish pushtuesit.

Mos të harrojmë: si askund në botë, madje as në shtetet me regjim fashist, nuk janë dënuar më shumë se shqiptarët nga ish diktuara moniste- serbo-titiste e LKJ-së!, madje as në regjimin e Stalinit, Hyseinit, Pinoqet etj. Diktatori Tito (që ishte aq i përkëdhelur nga Evropa plakë!), kishte dënuar shqiptarët me mbi 30 mijë vite burg, të cilët, kishin marrë guximin për ta kundërshtuar regjimin dhe vijën e tij politike hegjemoniste.

Ky Tito (fotografinë e të cilit e mbanin në oda titistët!),  në forma dhe kohë të ndryshme, kishte pushkatuar pa gjyq, mbi 30 mijë shqiptarë, kishte shpërngulur nga tokat e veta, mbi 300 mijë të tjerë, shpërngulje kjo, e cila vazhdon edhe sot në viset shqiptare të Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, tani edhe nga titistët e rinj!

Në burgje, kishte edhe vrasje!, vrasja e të burgosurve brenda burgut, ishte fare e thjeshtë: të dënoni 30 ditë me qeli- vetmi, të hidhnin në gjellë medikamente gjumi si Apaurin etj. të varnin me çarçaf të shtratit natën vonë në dhomën e vetmisë, dhe në mëngjes e ftonin gjyqtarin hetues për të bërë një raport, mbi “vetëvrasjen” e një të dënuari politik, dhe kaq!…

Megjithatë, kjo asnjë herë, në asnjë kohë, nuk i ka zmbrapsur shqiptarët e dënuar politikë. Ne, ishim të gatshëm edhe për të vdekur për atdhe, prandaj kjo gatishmëri nuk e njihte frikën, natyrisht se triumfonte mbi pushtuesin dhe e tmerronte atë!

 

Sot, kam vetëm një lutje: luteni, mos e shani Avniun!

 

E habitshme, ves i keq ky, që u poq, as sot nder ne nuk u hoq, edhe sot na shajnë: ngase ne, e donim Enverin, dhe e shanim Titon!… Po, po, shumë e natyrshme, prandaj për këtë edhe na kishte burgosur e dënuar ish pushtuesi! Jetojmë me absurditetin nën sqetull: sot, disa shajnë Kastriotin, Avniun, Currin, Nolin, Gurakuqin, Prishtinën… po sot, disa lavdërojnë, Sulltan Muratin, Zogun, Esatin, Titon, Fadilin, madje edhe ngrehin shtatore për ta!…

Në fakt, burgu është i rëndë, dhe i vret shpirtërisht dy herë më shumë, ata që vrasin, vjedhin, dhunojnë, plaçkitin, mashtrojnë dhe bëjnë njëqind të zeza në dëm të popullit të vet. Prandaj burgu si institucion, deri me tani, në asnjë shtet të botës, nuk ka arritur që përfundimisht të kalojë në Muzeun e historisë!, jo dhe jo, përderisa ka keqbërës në botë, burgu do të jetë i hapur, dhe do të mbyllet vetëm atëherë kur shoqëria do të kaloj në një shkalle të lartë të zhvillimit.

Po, është mirë, që të paktën një burg në Kosovë të kalojë si kujtim i një gërmadhe, që do të rikujtojë të zezat e kohëve zezonë, për bijtë më të mirë të popullit tonë, me veprat e të cilëve, ne duhet të krenohemi përjetësisht.

Ata ishin faqja më e ndritur e historisë sonë, krejt e saktë; disa nga ta, edhe në burg e kanë ndier lirinë, ndërkohë sot, pas burgut, vuajtjen dhe mundin e tyre e kanë vënë hipotekë në ankandin e klaneve të caktuara politike gjithandej… dhe nuk arritën ta ndërtonin ngrehinën e tyre autoriale politike, as sot, nuk e kaluan lumin dot!

– Botë me hile: si nuk ia ngritën lirisë një shtatore, ku do të përkuleshin në shenjë pendimi, vrasësit e saj!…

 

CH-18- 06 -2020

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …