Mehmet Bislimi: Çka anashkalon Ekrem Murtezai në librin “Fadil Hoxha siç e njoha unë

Konsideroj se autori i librit, “Fadil Hoxha siç e njoha unë”, Ekrem Myrtezai, ideologu i shkollës komuniste-titiste për Kosovën, me një hipokrizi politike, duke shfaqur sheshazi mungesë ndërgjegjësimi dhe papërgjegjësi të një bjerrakohësi të dikurshëm, që privilegjet personale i kishin vënë mbi të gjitha, madje edhe mbi interesat kombëtare, bën përpjekje për ta pasqyruar ndryshe biografinë plot damka të Fadil Hoxhës! 
Ky ish partiak titist dhe bjerrakohës të tjerë të tillë, mbështetur mbi iluzionet e rrejshme brenda konceptit dogmatik jugosllav, fare dukshëm, pa hequr dorë nga arroganca e dikurshme politike, as nga petku i ish sistemit titist, pretendon ta bind lexuesin se, ja si paska qenë “Fadil Hoxha, siç e njoha unë”, na thotë ky, Myrtezai i tanishëm, pa i treguar lexuesit te ri shqiptar, si cili na qenka ky farë filozofi marksist titist, i cili ka plehëruar shumë gazeta dhe revista të kohës me analizat e tij marksiste të shkollës së Kumurovcit. 

Më duhet t’i them këtij Murtezait, se atë kohën e tij të artë të bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbë e sllavë të tjerë, populli ynë tasmë e ka dënuar dhe e ka hedhur në plehun e historisë, madje së fundi e ka vrarë edhe me tytën e pushkës! Do të duhej që të ishte e qartë, thjesht, për faktin se nuk ka më paragjykime për konsum të brendshëm si metodologji e dikurshme për të arsyetuar kohën e të dëshpëruarve! Si kundërpeshë të këtij titulli, unë vështrimin time për këtë libër do ta shtroj nga një segment tjetër, madje të titulluar ca më ndryshe nga ju zoti Murtezai: 

Fadil Hoxhën, sikur e njeh populli ynë 

Autori Murtezai shkruan për Fadil Hoxhën, me qëllimin e vetëm, që të mbulojë një të kaluar të hidhur të asaj kohe, protagonist i së cilës ishte edhe ai vetë. Mendoj se nuk duhet shumë për të sqaruar se kush ishte Fadil Hoxha dhe bartësit e asaj politike në Kosovë. Në fakt, do duhej kohë e përpjekje për t’i “ngritur” ato figura- gërmadhë, punë kjo që ka marrë përsipër ta bëjë autori i këtij libri. 
Populli ynë e ka shembur një herë e përgjithmonë atë sistem monist së bashku me bartësit e asaj politike, prandaj as që mendon ndonjëherë që mbi ato gërmadha ta ngritë të ardhmen e vet. 
Është e çartë se tek-tuk, ende do të ketë nostalgjikë të asaj kohe, të cilët do të mundohen që të ndërtojnë kalanë nga kashta, por kalaja e historisë së kashtës ishte e mykur që në fillimin e ngritjes së saj, nga se bijtë liridashës të popullit tonë kurrë nuk ishin pajtuar me pushtuesin serb e jugosllav, as para luftës e as pas Luftës së Dytë Botërore. Populli shqiptar, i mbetur padrejtësisht jashtë trungut të vet, jo pak herë është djegur e pjekur për lirinë e vet. Populli ynë ka dhënë shumë që një ditë të jetë i lirë, prandaj kur dikush ia kujton ditët e pushtuesit dhe bartësit e mekanizmit të pushtimit, unë mendoj se ai bën gabime të pafalshme, sepse janë faktet e argumentet që e demantojnë çdo përpjekje të tillë, krejtësisht të papërgjegjshme dhe të dënueshme kombëtarisht. 
Dhe ja vetëm disa nga faktet, që flasin vetë, për kohën kur njeriu i parë në Kosovë ishte Fadil Hoxha: 
Sa shqiptarë u pushkatuan që nga 1945 e këtej, pa gjyq? -Si i pushkatuan e si u zhdukën mijëra shqiptarë vetëm, në Tivar të Malit të Zi në vitin 1945? 
-Ku i kanë varret ata, a nuk janë edhe ata të zhdukur sot e gjithë ditën? 
– Sa shqiptarë i dënuan e internuan me vite të tëra burgu padrejtësisht? 
Sa shqiptarë i larguan nga puna, banesa shtëpia dhe i shpërngulën në Turqi? 
– Sa shqiptarë i leqitën e diskriminuan padrejtësisht? 
– Sa shqiptarë i shkatërruan psikikisht dhe fizikisht me dajak e torturë, në emër të çarmatosjes, në emër të prishjes së “vëllazërim- Bashkimit”, në emër të prishjes së socializmit Jugosllav etj. 
– Sa shqiptarë i larguan nga shkollat, fabrikat, institucionet? 
– Sa nëna, baballarë, motra dhe nuse shqiptare i lanë me duar në gji? 
– Sa fëmijë shqiptarë u rritën jetim, pa prindër të cilëve pushtuesi Jugosllav ua kishte pushkatuar, internuar, shpërngulur, burgosur, likuiduar tinëzisht, apo mbytur me dajak prindërit e tyre, si të madhin mësues Fazli Graiqevcin, e shumë të tjerë? 
– Sa shqiptarë kishin dergjur rininë e tyre nëpër kazamatet Serbe, për faktin se e donin flamurin kombëtar, gjuhën tonë të bukur, e donin Kosovën Republikë të barabartë me republikat tjera brenda Jugosllavisë, e doni lirinë e fjalës dhe të mendimit, e donin barabarësinë me të tjerët, e donin shkollimi dhe vendin e vet? 
– Sa milionë ton e tonelata minerale, thëngjill e pasuri tjetër të Kosovës pushtuesi serb i eksploatoi nga vendi ynë, pa na e dhënë sa më të voglën llogari? 

– Dhe krejt në fund shtrohet pyetja e zakontë: Ku ishte Fadil Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij politikë në kohën kur ndodhen të gjitha këto monstruozitete? 

Sa herë e ngritën zërin e arsyes këta për t’i dalë në mbrojtje popullit të vet, në emër të të cilit zhvaten përfitime enorme? 
Cili prej tyre pësoi nga pushtuesi, për shkak se mbrojti interesat kombëtare? 
– Të gjitha këto gjëra të shëmtuara pushtuesi serb i ka ushtruar nën hundën e tyre, e shumë nga këto edhe me përkrahjen e tyre të tërthortë e të drejt për së drejt! 
– Populli ende i ka të qarta reagimet arrogante e të pakulturë, të mjera e antikombëtare të asaj klase poltike të shitur, sikur ishte reagimi i këtij Fadil agait të kuq, kur popullit ia tregoi vrimën e miut, kur e fyu dhe e shau rininë më të shndritshme të Pranverës së vitit 1981, duke i quajtur “plehu i Kosovës”. 

Pushtuesi jugosllav, në mbështetje të plotë nga ish udhëheqja komuniste e politikës në Kosovë, kurdoherë i pati duart e lira të veprimit kundër shqiptarëve. Në vitin 1981, vrau e plagosi me dhjetëra demonstrues, pastaj në vazhdimësi arrestoi e dënoi mijëra studentë, nxënës, arsimtarë, punëtorë e qytetarë të Kosovës, vetëm e vetëm pse kërkonin liri dhe barazi! Populli është si deti i qetë, o Ekrem Murtezai, ai duket sikur heshtë, por nuk i harron veprimet antikombëtare të pushtuesit dhe të përkrahësve të tij. 
Për fatin tonë të keq, Fadil Hoxha, si në kohën kur ishte në pozitat e pushtetit, por edhe në kohën kur ishte i harruar, nuk e mori as edhe një herë guximin qytetar për të sqaruar ekzekutimin e shqiptarëve pa gjyq anë e kënd Kosovës!? Fadili iu bashku dhe miratoi luftën kundër forcave kryengritëse të Shaban Polluzhës në Drenicë. Ai kurrë nuk e ngriti zërin e tij protestues kundër këtyre padrejtësive që po i bëheshin nga pushtuesi serb popullit të tij, sepse po ta kishte ngritur zërin e ndërgjegjes, do të humbiste favoret që kishte nga regjimi, të cilit i shërbeu me krejt qenien e tij të mjerë, madje i shërbeu derisa nje dite, disa shkina plaka të Prishtinës, e futen mu në vrime te miut, në banesen e tij, në Prishtine. Ai nuk la një dokument të shkruar se kush dha urdhër, kush ishin ekzekutorët, ku u varrosën, pse u pushkatuan shqiptarët liridashës, cili ishte qëllimi, çka fshihej pas këtyre akuzave, etj. Madje nuk u tregua se ishte i zoti që ta linte një dokument të shkruar për këtë, qoftë edhe në formë memoaresh, edhe post-mortum!? 

Fadil Hoxhën, autori në fjalë mundohet ta nxjerr kryeideolog të Konferencës së Bujanit! Përse autori nuk ka shpjeguar se si ndodhi që po ky Fadil Hoxha nga kryeideologu për vetëvendosje të popullit shqiptar në Bujan, të shndërrohet në kryeideologun e mbetjes së Kosovës nën Serbi, në mbledhjen e Prizrenit të verës së vitit 1945. Si duket Murtezai nuk i njeh këto prapakthesa të Fadil Hoxhës, të cilit edhe ky mjeran i kishte shërbyer verbërisht ashtu sikur Fadili i sherbue po verbërisht regjimeve jugosllave të kohës. Ai Fadilin e tij e njeh ashtu siku ia kënda atij, pa ia përmendur krimet dhe tragjeditë që ia ka shkaktuar shqiptarëve liridashës, ai dhe klasa e tij bastarde projugosllave. Dhe nuk ka si ta njohë ndryshe Ekrem Myrtezai Fadil Hoxhën, pa ia hequr petën lakrorit dhe pa e parë edhe veten e vetë nën ate petë të pistë e të prishur. 
Fadil Hoxha kurrë nuk i kërkoi të falur popullit të vet, madje as kur ishte në shtratin e vdekjes nuk kërkoi falje për sharjet dhe fyerjet që i kishte bërë atij, sidomos në vitin 1981! 
Të vetmen fjalë që mund të mbahet në mend ( përkundër asaj që ish kryetari i LDK-së z. Rugova nuk e ka thënë as një herë), Fadili e ka pranuar dhe e ka përshëndetur luftën dhe qëndresën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është e tëra që mund të mbahet mend për të mirë nga Fadil Hoxha! Po kjo ka ndodhur pas luftës dhe fitores së UÇK-së, atëherë kur ishte e sigurtë edhe për çiliminjtë, se regjimet serbe ishin përzënë njëherë e përgjithmon nga Kosova. 
Të përkujtojmë me këtë rast lexuesin e këtij shkrimi se në shërbim të politikës diskriminuese të LKJ-së, kundër bashkëkombësve të vet, ishin grumbulluar si në një kor kukuvajkash edhe shumë puthadorë të tjerë të Jugosllavisë, si: Ali Shukriu, Sinan Hasani, Kolë Shiroka, Veli Deva, Xhavit Nimani, Mehmet Maliqi, Mahmut Bakalli, Azem Vllasi, Shaban Kajtazi, e shumë të tjerë, të cilëve iu printe Fadil hoxha. Nga ky kor kukuvajkash, përpjekja për ta nxjerr Fadil Hoxhën “të pastër”, është krejt e pamundur, sidomos është e pamundur për ta bërë këtë farë pune, një Ekrem Murtezai, i cili ishte jo vetëm aminxhiu më besnik i titizmit, por edhe njëfarë ideologu i njohur i regjimit, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Beograd e më gjerë, meqë veprat e tij për bashkim vëllazërimin dhe barazinë e plotë të shqiptarëve në Jugosllavi u përkthyen edhe serbisht.

Kontrolloni gjithashtu

Në paraqitjen e tij të parë Gjykatës Speciale në Hagë, Haxhi Shala nuk është deklaruar rreth fajësisë apo pafajësisë së tij ndaj tri akuzave. Në seancën e djeshme atij i është lexuar aktakuza, gjoja përpjekje në pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale. Haxhi Shala, i cili ndodhet në paraburgim, ka konfirmuar se ka pranuar aktakuzën në gjuhën shqipe. Haxhi Shala është arrestuar më 11 dhjetor dhe një ditë më vonë u transferua në Qendrën e Paraburgimit në Hagë. Ndërsa, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari janë arrestuar në Kosovë më 5 tetor 2023 dhe janë transferuar në objektin e paraburgimit, më 6 tetor 2023 në bazë të aktakuzës së konfirmuar.

Gjykata Speciale cakton panelin e gjyqtarëve, lidhur me shqyrtimin e kërkesës së Haxhi Shalës për mbrojtje ligjore

Dje më 19 shtator, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka caktuar Panelin e Gjykatës …