Pikë reference e këtij shkrimi është qartësimi i brendisë së konceptit të modernes, ku nuk fshihet asgjë tjetër përveç bashkëkohores, por tejkalimi i kufijve të saj me kohë bie në krahët e degjenerimit, së këndejmi respektimi i rregullave të lojës nënkupton qasje serioze për gjykimin e tjetrit që bëhet për një çështje të caktuar, qoftë edhe i gabuar ai.
Shikuar me syrin e kritikës së mirëfilltë: ka vite që në Kosovë kanë vërshuar antivlerat të cilat po i ofrohen shikuesit në mënyrën më të vrazhdë arbitrare dhe imponuese. Bie fjala për çdo të diel dhe të hënë ( shto edhe përsëritjen e tyre), që i bie katër herë në javë, shikuesi ynë stresohet me dy seri televizive (“Familja moderne” dhe “Kafeneja jonë”). Këto seri të zbehura në vete nuk ngërthejnë koncept të qartë, porosi të shëndoshë, mesazh emancipimi, por as vlera krijuese. Aty përdoret një gjuhë bastarde me një slogan të një zhargoni të papranueshëm, me sjellje megalomanie të personazheve ku iu krijohet komoditet hapësinor i tepruar të cilët me sjelljet e tyre stigmatizojnë kulturën tonë të mirëfilltë. Këto zhvillime po rastisin në kohë e në rrethana të papërshtatshme, kur konsumatorin televiziv e kanë vënë në lajthitje, falë monopolit që kanë mbi shtëpitë televizive shumë nga kuadrot e papërgjegjshme që në fakt nuk i njohin as për së afërmi kriteret e kulturës së mirëfilltë.
Shtrohet pyetja: cilat janë pra, këto fije të padukshme durimi, që kultura e mirëfilltë i ka përqafuar, këto veprime djallëzore, që mbështeten në argëtim, por që në fakt na irritojnë më shumë. Misioni i tyre është shumë negativ dhe dëmprurës për gjeneratat që po rriten, duke devijuar qëllimshëm synimin tonë kombëtar për të kapur vërtet modernen dhe përparimtaren, e cila me paraqitjen e saj do të kontribuonte për ngritjen e kulturës, për përmirësimin e vokabularit tonë, për edukimin e rinisë, për të shprehurit e pastër shqip, për eliminimin e barbarizmave me porosi dhe mision të qartë emancipues?
Kjo mbytje kohe, gati shtatëvjeçare, na obligon të themi të paktën fjalën tonë të vendosur: mjaftë më! Kujt i shërben e gjithë kjo (këtë e thanë shumë pak veta deri më sot – përveç krijuesit të njohur Ahmet Qeriqi, dhe ndonjë shkrimi tjetër të vockël aty-këtu, pjesa tjetër e inteligjencies, njerëzit e letrave që janë të detyruar ta thonë fjalën e vet, siç janë kritikët letrarë, përgjegjësit e kulturës, krijuesit dhe artistët e mirëfilltë etj. nuk u bënë të gjallë, me gjasë atyre sikur iu mjafton që të plotësojnë honorarët e tyre të majme, duke e “shqyer” prapanicën njëkohësisht nëpër dhjetë e më shumë vende pune private e shtetërore!)?!
Imazhi i ngatërruar në relievin e kulturës sonë, që po bartet tash e sa vjet nëpërmjet serive televizive: “Familja moderne” e “Kafeneja jonë”, sikur i ka kaluar të gjitha caqet: një temë pa formë, pa koncept, pa porosi, pa vizion, pa cak, pa fund e fillim. Që nga paraqitja e tyre e parë e deri më sot, e tërë ngjarja dhe evoluimi brenda saj kap një gamë shëmtish e vendnumërimi me një temë që përsëritet nga e diela në të diel si pllakë e gërvishtur gramafoni.
Kemi parë lloj-lloj Kazanovash e Don Zhuanësh; si Lecat e Cimat, Qumilat e Stupcat, Tupanat e Defat, Meselejshat e çka nuk u eksperimentua mbi kurrizin e kulturës sonë, por karagjozë të tillë si në këto dy seri, vështirë se ke hasur ndonjëherë, me një fjalor po aq banal rrugaçërie siç është edhe forma e të folurit “mbrapsht” si: “op” (po), “oj” (jo) “qnak” (kënaq), “ryqk” (këqyr) etj. Ky zhargon është përdorur nga fiset e dikurshme primitive barbare si: vandalet, gotët, avarët, gepidët, saramatët etj. Të cilët kur vendosnin të bënin vepra të ulëta antishoqërore, si: hajni, plaçkitje, imoralitet etj., përdornin të folurit mbrapshtë, në mënyrë që rrethi ku ata donin të vepronin të mos e kuptonte gjuhën dhe qëllimin e tyre të ulët!
E gjithë ajo që u tha nëpërmjet 300 e sa pjesësh të kësaj “familjeje” degjeneruese, nuk thotë më shumë se: ndarje dhe bashkim qiftesh, herë me të huaj e herë me vendës, ndjenja epshore të gjysheve mbi 70-vjeçare për t’u martuar, madje këtë “dert” ato e bëjnë edhe me bijtë e tyre gati 60-vjeçar, duke bërë dhe duke anuluar gjoja shitblerjen e biznese të tjera, duke bartur fjalë koti, duke imituar ca parti politike, duke u munduar që të imitojnë një të folur as shqip, as turqisht, as serbisht – mbase as magjupisht ( kërkoj ndjesë nga komuniteti rom), duke shpërndarë të goditura, pra dhunë, në mënyrë që rininë ta joshin “mirë” për të përdorur edhe dajakun!, aty përdoren barbarizma, vandalizma, gënjeshtra të pakripë – si ato të Longarit, Haverit, Kullerit e Beterit. Të merr mundi kur i sheh figurat e tyre naive e të mjera, që pretendojnë të paraqiten në role të dyfishta; herë si gra e herë si burra, dhe në fund as gra e as burra!…
Një fjalor i zbehtë dhe i mjerë, që ka për qëllim të marrë nam në përdorimin e të folurit të përditshëm në Kosovë, pothuaj se burimin e ka pikërisht nga këto seri të këtyre karagjozëve, si: “ksi”, “asi”, “çashtu”, “çyshtu”, “çikjo”, “çajo”, “trip”, “ ky sen”, “Kull”, “nais”, “i smut, bre djal”, “ryqke tipin”, “be njeri”, “ike be, “ boll”, “flej dath”, “flej- flej”, “tang-tung”, “okei”… vend e pa vend etj., pra fjalor i çoroditur që irriton, që është i dëmshëm e me pasoja të paparashikuara për të ardhmen tonë. Madje, disa nga këto “risi”, kanë filluar e po i përdorin edhe disa gazetarucë në disa nga medie tona!!!
Mendoj se në këto seri njeriu i gjallë nuk ka çka të mësojë për së mbari, çka të zërë ngoje për të mirë, çka të mbajë në mend për të qenë ose ndonjë porosi të mirëfilltë që do të shkonte në adresë të përparimit dhe të emancipimit tonë shoqëror e gjithëkombëtarë etj.
Pothuaj të njëjtën këngë që gërvisht veshët, në mos më keq po e imiton edhe “Kafeneja jonë” që nga fillimi e deri në fund, me përdorim dhune e dajaku, me vjedhje, plaçkitje, njoftime, martesa, ndarje, linçime, mashtrime, falsifikime, fjalë të ndyta dhe tepër të ulëta, me barbarizma, vandalizma, policë, ç’policë, postohu e spostohu, me bile-bile-bile, me logjika e palogjika, e me blaaa e blaaa!… Për dallim nga familja moderne, te kafeneja jonë role të rëndësishme iu kanë besuar edhe kafshëve, si: pula që luante rolin e nënës së Melit, pastaj një lopë larushe, më vonë me një dhi bishtpërpjetë, një qen leshtor, një breshkë e plotë e marrëzira të tjera…! Është për keqardhje dhe neveritëse kur Ademi e Lami, përjargen së koti duke u përpjekur të na bëjnë të qeshim, por, ç’është e vërteta, ne na plas vaji për gjendjen e tij të mjerë që kriset për imoralitet plakarushi marroq etj.! Me ata “tullumba”, “kapuça” e “kokaça”, “kryemadha”, “dangalla”, “batalla”, “qorra” e “binisllosa”, “mele” e “shanca”, “bonboniera” e “shota”, “sarandina” e figura të tjera së koti, o zot a nuk e shohin veten këta njerëz?! O zot: “A nuk kemi ditur të të lutemi ne për më mirë, apo nuk na ke kuptuar ti si duhet, që na dërgove këta të marrë!”- thotë një urti popullore…
Nëse mund të ma sqarojë dikush: kujt i duhen këto bastardime, çfarë të mirë i sjellin këto kombit dhe kulturës sonë, çfarë të mirë i sjellin gjuhës sonë, kinematografisë, artit, filozofisë, estetikës dhe etikës sonë kombëtare, në fund të fundit kë përfaqësojnë këta xhambazë të tërë!? Këto karagjozllëqe me këta karagjozë të padëgjuar më parë po bastardojnë gjuhën dhe paraqitjen tonë kombëtare, madje herë-herë shkojnë aq larg sa shpërfillin edhe figurat e kombit, si: “nipi i nipit” e “daja i dajës”, Skënderbeun, Micin, Hasan Prishtinën dhe shumë figura të tjera kombëtare, duke i përgojuar ato thua se kanë qenë çobanë me ta…!
Më kujtohet shumë mirë, dikur, se për të degjeneruar rininë dhe popullin tonë pushtuesi serb bënte investime të mëdha, madje duke derdhur edhe mjete të majme financiare; nëpërmjet TV-së, radios, gazetave të ndryshme, filmit, shundit dhe kiçit, pornografisë, degjenerimit etj. Sot, ne me vetëdashje po investojmë dhe po stimulojmë degjenerimin dhe degradimin e kulturës dhe të gjuhës sonë të dëlirë në mënyrën më të papranueshme dhe më të papërgjegjshme.
Mendoj se nuk mbeten gjë mbrapa edhe TV-të e tjera në Kosovë, madje edhe në emisionin “Oksigjen”, moderatori i tij z. Dina, sikur e ka bërë shtëpi të vetën dhe nuk ka bir nëne që nxjerr fjalë nga goja para tij?!, ngase ai nuk i lejon të ftuarit të flasin, duke ndërhyrë në bisedë vend e pa vend dhe duke ua zënë fjalën në fyt mysafirëve që i ka ftuar aty! Ai vetë modelon, vetë moderon, vetë pyet, vetë përgjigjet, vetë ndërhyn kur të dojë e kur t’i teket, vetë lavdërohet, vetë lazdrohet dhe shkon deri në bezdi e padurueshmëri të skajshme. Ai burrë i dheut (mbase me orientime të devijuara seksuale), por që nuk është e lejueshme të paraqiten në një emision televiziv publik – mendoj unë, nuk ka lënë emision pa u kërkuar mysafirëve të tij që të martohen me të, qofshin ata meshkuj ose femra! Çka është tepër, është tepër! Madje, ai ua kujton atyre se këtë e lejon edhe Kushtetuta e Kosovës, pra vraponi burra e lidhni kurorë!…
Përtej vajit del zia, përtej makutërisë del pangopshmëria, përtej humorit del bastardimi e babëzia që kalon të gjithë kufijtë e një moderatori, kufijtë e një sjelljeje të mirëfilltë etike. Sjelljet e moderatorit të “Oksigjenit” kalojnë të gjitha caqet etike, nuk kanë të bëjmë asgjë me humorin e mirëfilltë, kanë kaluar që moti në mani narcisoide, kanë kaluar në bezdi për shikuesin e vetëdijesuar, madje të gjithë ata që janë të ftuar si mysafirë tek “Oksigjeni”, kujdes: duhet të jeni të përgatitur që t’i japin përgjigje këtij moderatori në ofertën që ai ua bën për martesë ose për sex!…
Ishte jo pak e mundimshme për mua që ta trajtoj këtë problem, duke u nisur nga pikëpamjet dhe botëkuptimet filozofike dhe estetike në raport me aktualitetin tonë. Në përpjekjet e mia për të konceptuar një vizion të mirëfilltë për të ardhmen e kulturës sonë, mendoj se pretendimet e dhunshme për të qenë modern në këto turbulenca aktrimesh nuk rezultojnë më shumë se mundi që dhunohet mizorisht nga këta imitues naivë e sharlatanë.
Hipoteza e ngritur me rezulton si ide e zbehur, sidomos në rastet krahasuese. Stigmatizimi në këtë rast nuk jep më shumë se ndonjë risi të edemit filozofik me gjithë nuancat e ndryshme kuptimore dhe interpretuese në vazhdën e një belbëzimi të cekët që nuk buron nga realiteti i transformuar mbi të cilin nuk mund të frymoj arti. Harmonia e të kundërtave, e cila këtu është shumë larg arritjes së qëllimit, nuk mund të çlirohet nga zhgënjimi, për më tepër është ky një variant i lodhur dhe i dërrmuar duke u munduar që të imitojë vlera të ndrydhura që nuk i kemi dhe që nuk ekzistojnë, të gjitha sajimet përfundojnë aty ku edhe kanë filluar.
Kjo problematikë do trajtuar edhe me çmimin e mendimit të gjallë konkret dhe filozofik për t’i vendosur gjërat në vend të vet, si shmangia nga natyralizmi vulgar në mënyrë që të mos veprojmë mbi botën e instinkteve të çakorduara.
Këto reagime të vonuara, me gjasë, nuk do të kenë ndikim në misionin për çka edhe kanë marrë rrugë, mirëpo duke u bazuar në karakterin universal që trajtohet në një rrafsh të mirëfilltë artistik, duhet të shprehim qartë revoltën dhe pakënaqësinë tonë shpirtërore kundër këtij fataliteti televiziv që paraqitet para shikuesit tonë krejt qetë e komod.
Zhvillimi i shoqërisë sonë do të duhej të merrej me seriozitet për të tërhequr njeriun me bukuritë, me begatitë dhe me të mirat që jeta na i ofron shumë bujarisht.
Duke e përfunduar, iu kujtoi se esteti ynë i mirënjohur Alfred Uçi thotë:
“Mbi absurditetin e ekzistencës njerëzore, zbulojmë një botë të bukur estetike. Arti duhet të jetë mjeti i arritjes dhe jo qëllimi për të arritur!”…
Janar 2011