Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Dilema që nuk u zgjodh as sot!

E solli lufta paqen, apo paqja luftën, e solli zjarri ngrohtësinë apo ngrohtësia zjarrin, e solli nënshtrimi lirinë apo rezistenca heroike e gjithë atyre trimave, që janë e nuk janë sot në mesin tonë, ata të cilët sot nuk po mund të na thonë me sa zë kanë: “ o të mjerë, edhe sa kohë ju duhet, që të kuptoni se liria nuk erdhi nga nënshtrimi e ngërdheshja por nga pushka e rezistenca, nga gjaku i derdhur rreke, për këtë tokë, për këtë dhe!!”…

Me vite të tëra, aksidentalistët politikë, çirren deri në histeri, çakej të llojit binom të çoroditur e përjargur deri në gërdi; se kush do t’i prijë bisedimeve me Serbinë?! zoti i madhe, po si ka mundësi që hiqen kaq fodullë, këta injorantë të tërë, sikur kanë harruar kaq shpejt, se ishte një kohë kur edhe nën dhe kërkonim: a ka shqiptarë e birë shqiptarësh, që i dalin armikut përballë!

Dhe pas gjithë asaj ploje gjaku, që nuk ishte e lehtë të përgjakësh, që nuk ishte e lehtë të përflakësh, që nuk ishte e lehtë të lakohesh, shahesh, digjesh e përdhunohesh, për t’i thënë pushtuesit Serb: Unë jam këtu denbabaden, jam trungu i atdheut, jam zot i vendit tim, jam palca e tokës, jam zoti i vendit tim që flas me sa zë kam; në emër të lirisë, në emër të tokës, në emër të gjakut, në emër të atyre që nuk janë më, me gjakun e të cilëve lulëzoj liria e vendit tonë- Kosovë e lulëkuqeve që ranë në pranverën e parë, në kohët më të rënda për ty, KOSOVË, ZOT KUSH TË KA DALË!?…

Si ka mundësi që ende, edhe sot çirren pa pra, të gjithë ata, që dje pushkët e lirisë i hodhën për tokë. A ka nevojë ende t’ju themi se: bisedimeve me pushtuesin duhet t’ju prijnë të gjithë ata që dje me armikun, janë përgjakur, e jo ata që me pushtuesin janë përjargur- kërkoj ndjesë, por është tepruar më, kjo temë është përulur deri në përçudnim- një herë e përgjithmonë;  bisedimeve duhet të ju prijnë ata që me armikun, janë parë përmes grykës së pushkës, dhe jo ata që me armikun janë puthur prej qafës e gushës!… Do duhej të paktën të turpëroheshim e të thoshim si burrat: “Në kohën kur unë kam qenë në Bllacë, luftëtarët e lirisë në Kosovë digjeshin në flakë!” – dhe kush e mohon ketë është i paburrë, i pa dinjitet. Duhet të jetë e qartë njëherë e përgjithmonë: nuk mund ta mbrojë interesin e Kosovës njësoj si ai që për Kosovën ka derdhur gjak, si ai që atë kohë diku larg zjarrit të luftës, ka ngrënë meze e ka pirë konjak!, dhe pikë.

Ka një kufi diku, kush jeni ju që sot diktoni se kush do t’i prijë bisedimeve me pushtuesin gjakatar Serb?! Janë ata që nuk lejojnë më: gjaku i foshnjave, nënave, nuseve, motrave, pleqve, gjaku i Ademit, Hamzës, Shabanit, Zahidës, Xhevës, Fehmiut, Zahirit, Hakifit, Edmondit, Luanit, Skëlzenit, Adrianit, Mujit, Agimit… kush jeni ju, që sot keni ngritur kaq lartë pazarin e pordhës?!

CH-14.06.2020

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …