leoni

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Ekzekutimi politik i Thaçit dhe Veselit, pa gjyq!

Për aq sa na tregon historia e njerëzimit, në luftë futën popujt e robëruar, jo pse duan luftën, por pse duan lirinë dhe paqen! Prandaj detyrohen të mbrohen nga agresorët, duke e ndjekur pushtuesin për të fituar lirinë e vet, ani pse me gjak e peripeci të shumta, sepse  ky është çmimi i lirisë, që Kosova e pagoi shumë më shtrenjtë nga shoqet e saja në rajon.

Shkenca filozofike e ka vërtetuar se: sikur të mos ishte robëria, popujt nuk do të dinin për fjalën Liri! Populli shqiptar, me shekuj ka luftuar për lirinë e vet, as një herë nuk kanë qenë luftënxitës dhe agresor- gjithmonë liridashës dhe paqësor- të tillë do të jemi gjithmonë.

 Në mesin e shumë emrave, që tanimë janë në faqet e historisë si: Azemi me Shotën, kjo përsëritje e historisë… Ademi me Adilën, Hamza me Feridën, Shabani me nënë Zahidën , Fehmiu me Xhevën!, mijëra fëmijë e të moshuar, djem e vajza... Kosovë të qofshim falë, gjak ky që solli lirinë. Jo, jo, asnjë herë nuk do të ketë kthim mbrapa, as një herë, me asnjë çmim, jo vetëm kërcënimi me burgje e akuza, por as me varje në litar, nuk ka presion e forcë që Kosovën, shtetësinë dhe lirinë e saj mund ta kthej mbrapa, asnjëherë!

Kur shfryen mot i lig me erë e furtunë, natyrisht, se më së shumti atakon lisat shtatlartë. Furtunat e çastit, edhe mund të bëj zhurmë, por lista nuk i shkul dot, ngase kanë rrënjët thellë në tokën e vet. Emra të mëdhenj, si tani edhe në të kaluarën, janë lakuar gjithmonë, si: Abdyl Frashri, Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi e të tjerë, që pushtuesi i syrgjynosi, i dënoi, madje edhe i vari në litar, por Shqipërinë nuk e zhbëri dot, ngase kishte lisa tjerë, që bartën flamurin e lirisë deri tek ditët e sotme, si Qemali, Noli, Curri, Prishtina, Boletini, Adem Legjendari, Luani, Muja, Adriani, Zahiri, Edmondi e qindra luftëtarë tjerë.

Kjo furtunë e pakohë tani, lista e Kosovës, nuk i luhatë dot, ata edhe mund t’i dënojnë, syrgjynosin e varin në litar!, por lirinë e Kosovës nuk mund ta zhbëjnë, as sot e mot, as kurrë! Lisat e Kosovës, që pushtuesi ynë shekullor po mundohet t’i lëkundi nga rrënjët e veta, e ka të kotë (madje është për të u habitur ngazëllimi dhe përjargja e disa kokëshkretëve tanë, të cilët nuk arritën të lirohen ende nga ndjenja e robit- as sot, mëshiroj o zot!)… dhe këta nuk kanë faj, ngase lisat për ca kohë i kishte zënë adrenalina, dhe këta servilë i sillnin nëpër t’lina!…

Pushtuesi, gjithmonë ka lakuar vetëm lisat e mëdhenj, dhe asnjë herë shkurret! Luftëtarët e lirisë, bijtë tanë, që kishin dalë malit me pushkë krahut, jetën e kishin vu në zemrën e tokës së Kosovës, si dëshmi e gjakut të derdhur për liri- atyre Lavdi e përjetshme.

Të gjithë ata që kanë shpëtuar nga flakët e luftës, jetën e kanë dhuratë, tani pak rëndësi ka lakimi i emrave të përveçme, si Hashimit, Kadriut, Ramushit, Azemit, Jakupit, Limajt, Lushtakut, Selimit, Xhavitit e mijëra bashkëluftëtarëve tjerë, ata Kosovës ia kanë falë jetën në ditët më të vështira të saj. Sot, ata më së paku duhet ta kenë brengën se duhet ballafaquar me faktet kokëforta, se: ne jemi mbrojtësit e atdheut, mbrojtësit e lirisë, mbrojtësit e paqes së Kosovës, dhe asgjë më shumë!

Këtë e kanë paraqitur më shumë së një herë, aq argumentueshëm, madje edhe në Hagë, si Ramushi, Limaj e të tjerët, kaq dhe vetëm kaq. Po kaq bindshëm e argumentueshëm, kanë për ta thënë edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë, këtë, koha do ta vërtetojë katërçipërisht.

Po, më këtë akt furtune shpifjesh politike e akuzash të stisura, që kanë për qëllim degradimin e luftës sonë çlirimtare, dhe pavarësinë e Kosovës, forca të errëta, që nuk e duan shtetin dhe lirinë e tonë, edhe një herë, për të fundit herë, po mundohen që lirinë e Kosovës, ta zbehin e ta kthejnë mbrapsht- kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Lisat si Thaçi, Veseli, Haradinja, Limaj, Krasniqi, Syla e qindra luftëtarë të lirisë- janë  lisa, që nuk shkulen dot nga rrënjët e veta. Kjo tokë nuk i braktisë asnjëherë flamurtarët e lirisë- bijtë e vet!

Tani shtrohet pyetja:  Po sikur, po sikur, sikur… të kishin rënë në luftë; Thaçi, Veseli, Haradinaj, Limaj, Krasniqi, Syla, Buja, Haliti, Lushtaku etj. Të gjithë këta që sot po përjargën, duke ngritur dolli për “shëndetin” e të lartpërmendurve, do të ishin të parët, që do të kujtonin të rënët me buqete lulesh në duar, duke u fotografuar me mburrje pranë lapidarëve të tyre!

O politikë lakuriqe laviresh, ti shpirtngushtësi që u vure kaq lehtë në sprovë, një kastë debilësh gërdallë, që luftëtarët e lirisë nuk i shohin dhe nuk i duan dot të gjallë!…

I kujtojmë Evropës plakë dhe Botës së madhe, se ishin Serbët ata, që i vunë flakën ish Jugosllavisë, që vranë, mbi 300 mijë qytetarë të përkatësive të ndryshme etnike, si sllovenë, Kroatë, boshnjakë, shqiptarë etj. Bashkësia Evropiane, si për ironi të fatit, agresorin Serb po e ledhaton, ndërkaq liridashësit po i dënon, vetëm e vetëm pse deshën lirinë!

O tempora! O mores!- do thoshin Latinët e vjetër…

Kjo nuk kalon kaq lehtë, tani më shumë se kurrë; populli ynë duhet ta kuptojë se shtetin mund ta bëjmë vetëm duke qenë të bashkuar përreth interesave kombëtare (interesat e politikës ditore, lëni buzë greminës politike, që vet i keni ngrehur me pahir njeri-tjetrit!).  Jam më së i bindur, se po të ishte gjallë edhe Adem Jasharin, do të akuzohej, po nga kjo gjykatë e dolli do të ngrehnin, po këta servilët dhe tam-tamët kokëshkretë e gërdallë!…

Shpresoj se të gjithë ne po e kuptojmë, se duhet të mobilizohemi me shumë përkushtim, vetëm bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një shtet, do të krijoj stabilitet dhe paqe të përhershme në Ballkan e më gjerë. Ky rreth i organizimit, duhet të filloj përgatitjet, tani dhe menjëherë!

Respekt, për të gjithë ata që ranë, ditën me diell, me besimin e madh tek Zoti dhe Liria, nga jeta e rëndë nuk u ankuan kurrë. Ata e çmonin jetën më shumë nga ne, mbi të gjitha e çmonin lirinë, së cilës ia falën edhe jetën. Ata ikën, mbase me të vetmen brengë; se nuk do të jenë gjallë, kur atdheu do të jetë më i mirë, më i bukur, më i çliruar dhe përfundimisht i bashkuar-kjo ishte aspirata e tyre që nuk u përmbush. Deri në përmbarimin e saj, ata prehen të qetë, por prehja nuk i qetëson!…

 Për të gjithë ne, që kemi mbetur gjallë: as një herë, në asnjë kohë, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nuk guxojmë të shkelim mbi këto aspirata, kushdo qofshin ata: Hashimi, Kadriu, Ramushi, Fatmiri e të tjerë. Të bëhesh Lis dhe të mbetesh Lis i papërkulur, kjo është çështja. jam me lisat!…

 

CH-01.07.2020

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …