Mehmet Bislimi: Fadil VATA (1962-1990)

Shumë nga bijtë e popullit tonë të rritur dhe edukuar në frymën e atdhetarisë, ishin të vetëdijshëm se liria e tokave shqiptare do përpjekje e sakrifica sublime, do përkushtim e qasje shumë serioze, njëkohësisht pjekuri e vendosmëri.
Ata nuk u futen rastësisht në çështjen e pazgjidhur të fatit të atdheut tonë, ata u futën me shumë vetëdije në këtë rrugëtim për të dhënë gjithçka që kërkohet nga vetja e vet para së gjithash, të tillë ishin ata, i tillë ishte edhe Fadil Vata.

Fadili që në rini i edukuar në frymën e mirëfilltë atdhetare, së bashku me shokët e vet mori krahët për të fluturuar drejt përjetësisë në historinë shqiptare.
Lindi më 10 janar 1962 në Solograzhdë ( Lumbardhë) të Suharekës, ku mbaroi edhe shkollimin. Më 2 maj të vitit 1981 Fadili arrestohet. Të dhëna të mjaftueshme për aktivitetin e Fadilit në demonstratat e vitit 1981, UDB-ja e Suharekës kishte dërguar në Komandën Ushtarake të Beogradit ku Fadili po bënte shërbimin ushtarak. Fadilin e arrestojnë dhe e transferojnë në burgun ushtarak të Beogradit, ku pas 17 muaj izolimi, hetuesie e maltretimi e dënojnë me 6 vite burg! Gjatë këtyre 17 muajve hetimesh e torturash, Fadili pëson dëmtime të mëdha në shëndet të cilat më vonë do t’i kushtojnë me jetë. Mirëpo si gjithmonë ai nuk ndalej së vepruari, duke qenë i vetëdijshëm se liria nuk vjen pa sakrifica.

Me Fadilin u njohëm në kazamatet e Pozharevcit. Ishte një djalë modest e i heshtur, i sjellshëm e i kulturuar, i ngritur e i vendosur për rrugën që kishte nisur. Diku nga vjeshta e vitit 1985, pas grevës së urisë që kishim bërë ne të dënuarit politikë shqiptarë, na shpërndanë nëpër dhoma, duke na i ndërruar ato. Unë, pata fatin e mirë kur më caktuan në një dhomë me Fadil Vatën, Afrim Zhitinë e Sabit Veselin. Aty edhe e njoha Fadilin dhe Afrimin më për së afërmi. Me gjithë së që të dy ishin të rinj të habiste e mahniste ngritja e tyre intelektuale. Fadili kishte diapazon të pasur njohurish, lexonte shumë, ishte i afërt me shokë dhe nuk e nënçmonte asnjëherë mendimin e tjetrit. Ai edhe gjatë burgut, por edhe pasi që u lirua, nuk u ndal për asnjë çast së vepruari në shërbim të atdheut, deri sa mbylli përgjithmonë sytë e tij.

Fadili ishte i goditur keq nga sëmundja në mushkëri. Diçka kancerogjene kishte marrë nga torturat dhe plagët e shumta të brendshme gjatë hetuesisë 17 muajsh në burgjet e hetuesisë ushtarake të Beogradit. Mirëpo, ai për asnjë çast nuk kishte humbur kurajën. Atë më pas e transferuan nga “Zabela” e Pozharevcit për në “CZ” të Beogradit. Para së ta transferonin Fadili atje, ai me gjithë gjendjen e rëndë shëndetësore që kishte, nuk e kishte humbur veten, dhe na kishte lënë një letër në dhomë, ku kishte sqaruar shumë gjëra, duke kërkuar nga ne që të mbaheshim të fortë! Këtë letër ne e nxorëm nga burgu dhe kur unë mbarova dënimin ia dërgova familjes së Fadilit në shtëpi. Fadilin së pari e kishin dërguar në VMA të BG. Aty e kishin mbajtur një kohë të gjatë me këmbë dhe duar të lidhura për shtrati! Xhelatët serbë, gjatë tërë asaj kohe sa kishte qëndruar Fadili atje, mbi trupin e tij kishin vepruar me rreze laser e rëntgen, për të përhapur edhe më shumë sëmundjen në organizmin e tij të njomë. Ky eksperiment “modern” që UDB- e Beogradit përdori mbi trupin e Fadilit, dha rezultatet fatale që më vonë solli edhe vdekjen e tij në një moshë shumë të re.

Para së të mbaronte dënimin, gazetarët e gazetës serbe:”Borba”, kishin bërë një intervistë me Fadilin, duke menduar se ky nga gjendja e rëndë shëndetësore, do të jetë lodhur e tërhequr nga aspiratat e tij kombëtare. Mirëpo Fadili ua kishte prerë shkurt: “Unë as edhe një herë në jetën time nuk do të tërhiqem nga rruga e lirisë së atdheut tim, pavarësisht qëndrimeve tuaja të egra e shtypëse. Unë nuk do të tërhiqem me as një çmim, as edhe me çmimin e jetës!”… Ky ishte Fadil Vata, që tmerroi personelin e burgut me qëndrimin e tij të dinjitoz!

Fadili, për asnjë çast nuk e ndali veprimtarinë e vetë atdhetare. Edhe pse në gjendje të tillë shëndetësore, ai vepronte në tërë territorin e Kosovës e më gjerë. Pas mbarimit të dënimit, ai iu rrek studimeve në drejtimin e sociologji-filozofisë në Universitetin e Prishtinës. Fadili tanimë ishte në mesin e shokëve dhe veprimtarëve të palodhshëm të atdheut. Ai së bashku me Afrim Zhitinë e me qindra shokë të tjerë, përgatitën dhe organizuan lëvizjen e madhe popullore të vitit 1988, ku populli ynë liridashës ngriti fuqishëm zërin e tij kundër shovinizmit dhe hegjemonizmit serbosllav. Ai së bashku me Afrim Zhitinë e me shokë të tjerë u bënë krahu i djathtë edhe i grevës së minatorëve të vitit 1989, me këshilla e sugjerime të shokëve të Lëvizjes Popullore, grevë kjo e cila mori karakter gjithëkombëtar e gjithë popullor!

Fadilit, tanimë po i humbnin fuqitë e trupit, sëmundja ishte bërë e pamëshirshme dhe nuk po e linte që të vepronte, por fuqia e tij shpirtërore nuk jepej dot. Shokët (në nivel organizate) kishin vendosur që atë ta nxirrnin jashtë atdheut për shërim. E shtruan në spitalin e Bazelit të Zvicrës, por sëmundjen e rëndë nuk kishin mundësi ta kthenin mbrapa as mjekët më në zë të këtij spitali! Ai me qëndrimin e tij, po forconte shokët e idealit, familjen dhe të gjithë ata që iu gjenden pranë ato ditë të fundit të jetë së tij. Ai shpesh thoshte se: ”As vdekja nuk ka për të na i prerë rrugët e lirisë!”… Ishte edhe një goditje e rëndë, tepër e rëndë për Fadilin, kur mësoi për rënien heroike të shokëve të tij të idealit, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut…. Ky lajm i kobshëm (sa do që Fadili nuk jepej), sikur e fashiti rëndë. Pas disa muajsh qëndrimi në spitalin e Bazelit, gjendja shëndetësore e Fadilit sa vinte e rëndohej. Më 25 prill të vitit 1990 Fadili ynë mbylli sytë përgjithmonë…. Ai na i la amanet rrugët e lirisë!

Lajmi i rëndë për vdekjen e Fadilit trokiti fort në zemrat e çdo shqiptari liridashës. Lumëbardhi i Fadilit ishte shumë i vogël për t’i zënë shqipet tona, të cilët kishin shkuar atje për ta mbuluar Fadilin me flatrat e tyre të dashurisë. Lumi i fshatit ishte shumë i vogël dhe nuk po përpinte dot lotët që po derdheshin për Fadilin e dashur, birin e tokës mëmë! Mbi njëqind mijë njerëz, zemra e sy, drejtuar nga qielli, po prisnin ardhjen e birit të shqipes për t’u prehur përjetësisht në gjirin e ngrohtë të tokës mëmë që aq shumë e deshi! Qindra e mira kurora lulesh zbritën nga majat e maleve shqiptare dhe puthiten varrin e njomë të Fadilit! Kortezhi i përmortshëm së bashku me gjerdanin e luleve të freskëta i mbështjellë me flatrat e shqiponjave, po printe drejt banesës së fundit të Fadilit. Atë ditë edhe toka sikur u trazua, diçka e madhe sikur pëlciti, diçka e madhe gjëmoi si bubullimë e motit të trazuar!…

Nuk me hiqet nga sytë, as sot momenti kur nënë Tahirja e para, vuri mbi supet e saja arkivolin funeral të të birit e po i printe kortezhit të përmortshëm!… ( Nënëmadhja Tahire, që nga kjo pranverë, prehet e qetë pranë varrit të të birit të saj e të Kosovës, Fadilit). Lavdi të përjetshme edhe nënë Tahirës nga duart e së cilës, ne shokët e Fadilit kemi ngrënë shumë bukë!

Po, këto janë nënat tona, që ndër shekuj na bartën herë në djepa e herë arkivole mbi supe, na rriten me copa të thekura buke. Prej nesh kur u ndanë u bënë të forta e nuk qanë, edhe pse zemrat e nënave në dysh u çanë. Eh nënat tona të madhërishme që rriten bijtë dhe bijat e lirisë së tokave shqiptare, të cilave po ju dalin zot!…

Lavdi Jetës dhe veprës së Fadil Vatës!
Lavdi të gjithë Dëshmorëve të Kombit
Qoftë i përjetshëm kujtimi për te!

CH-24 prill 2007

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Dërgut Bajraktari, 1908 - 1945

Bajram Dërgut Bajraktari, 1908 – 1945

Familja Bajraktari e Drenasit, (ish-Gllogovc) i takon fisit të Elshanëve, njëri ndër fiset antike të …