Mehmet Bislimi: Gjenerali nuk ka kujt i ankohet

Gjeneral, Sami Lushtaku po mbahet i pranguar në burgun e Dubravës! Vetë fakti që është dënuar një gjeneral dhe njëkohësisht një kryetar komune të bën të shtrosh disa pyetje të cilat shikuar nga aspekti i përgjithshëm bëjnë që të zbrazësh tërë mllefin e arsyeshëm mbi këtë veprim, i cili denigron ligjin dhe drejtësinë në legjislaturën e re të Kosovës dhe atë deri në banalitet, madje prodhimi i insinuatave të tilla konfliktuoze nga administrata e UNMIK-ut, nuk përkon as për së afërmi me standardet e ligjeve bashkëkohore evropiane. 
Që nga dita e arrestimit të Kryetarit të Komunës së Skënderajt, zotit Lushtaku, më 8 maj 2008 e deri më sot kam besuar se administrata ndërkombëtare në Kosovë është aq e vetëdijshme sa që të mos “gdhendë në këmbën e vet!”, dhe me kohë do të përmirësojë gabimin duke e lënë të lirë kryetarin e komunës së Skenderajt. I bindur se kjo administratë po vepron për të implementuar ligjin dhe drejtësinë, zhvillimin ekonomik e njerëzor, sigurinë qytetare dhe atë minoritare. Kisha një besim të plotë se e tëra kjo do të finalizohej me sinqeritetin dhe punën e jashtëzakonshme të zotit Lushtaku, i cili me autoritetin e tij moral e politik kishte arritur që të qëndrojë vertikalisht si në rrethana lufte, po ashtu edhe në rrethana paqe. Sami Lushtaku në luftë, me shembullin e tij të përkushtuar prej luftëtari të lirisë, kishte vënë jetën e tij në shërbim të lirisë dhe të vlerave universale e kombëtare. Samiu është një figurë e virtytshme dhe këtë e ka argumentuar sa e sa herë bindshëm me sjelljet e tij prej një Gjenerali dhe Komunari të shkëlqyer. I përkushtuar, i disiplinuar, i përgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe punës së tij, i palodhshëm dhe mbi të gjitha i vendosur që komunën e Skënderajt ta shpijë drejt zhvillimit dhe progresit ekonomik, ku do të funksiononte ligji dhe siguria e plotë qytetare. 
Mirëpo, ky besim dhe shpresat e mia, por edhe të qytetarëve të Skënderajt e më gjerë, tentuan të trazoheshin nga administrata e UNMIK-ut, kur ajo mori hapin naiv dhe “ gdhendi në këmbën e vet!”, duke dënuar një udhëheqës të një komune zgjedhur bindshëm me votën e lirë të popullit! Ky veprim i administratës së UNMIK-ut, do të thotë: dënim i votës së lirë të popullit, dënim të ardhmërisë së një komune, dënim i zhvillimit të saj ekonomik, politik, dënim i etikës, goditje ligjit dhe drejtësisë! Më këtë hap, kjo administratë edhe një herë (për të satën herë) tregoi arbitraritetin e saj të pabazë, tregoi paaftësinë dhe naivitetin e saj për të avancuar ligjin dhe drejtësinë, apo mosdashjen që t’i kontribuojë shtetit të brishtë të Kosovës. Burgosja e kreut të një komune do të thotë stopimi i investimeve atje. Ky veprim bartë me vete; ngritjen e urrejtjes dhe zbrazja e mllefit atje, shpërthimin e revoltës nga qytetarët e ndrydhur nga varfëria e skajshme dhe mbase mbi këtë bazë UNMIK-u ka menduar që të veprojë për të krijuar probleme mbi të cilat do të zgjaste kohën e veprimit të jetës së vet luksoze në Kosovë! Ndryshe zbatimi i dënimit për Gjeneral Lushtakun sot ka mundur të harrohet. 

Në një emision të RTK-ës, “ Jeta në Kosovë”, mbledhur aty edhe disa “analistë”, udhëhequr nga Jeta Xharra, arsyetuan veprimin e UNMIK-ut kundër Gjeneralit Lushtakut, nga se gjithnjë sipas Xharrës dhe “Xharra analistëve”, Lushtaku paska penguar administratën e UNMIK-ut në kryerjen e detyrës, prandaj këtë arrestim dhe dënim të gjeneralit, ata e quajtën si veprim të drejt!… 
Xharra, kishte harruar me këtë rast një ndodhi pak vite më parë përtej urës në Mitrovicë, kur Milan Ivanoviq, pati plagosur me granatë dore rreth 20 paqeruajtës polakë! A thua për këtë veprim sa u dënua Milani me burg, mbase sipas administratës së UNMIK-ut, hedhja me granatë mbi paqeruajtësit ndërkombëtarë nuk është pengim në detyrë, kurse dueli verbal po!… Populli nuk e ka të qartë ndarjen e kësaj “drejtësie” ndërkombëtare të UNMIK-ut, që po zbatohet në Kosovë, madje as qëndrimin tuaj dhe të “analistëve” tuaj!?, mbesim me shpresë se Xharra me të pranishmit e asaj nate, do të na e shpjegojnë këtë fenomen mbi ndarjen e drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë! 
UNMIK- gjuajti në kohë të pakohë me qëllime të caktuara?! Gjenaral Lushtakun që në fillim e kishte shpallur në kërkim pushteti kriminal i Millosheviqit, nën akuzën e përpiluar nga Gjyqtarja Danica Marinkoviq që në tetor të 1996-të, ku kërkohej koka e tij dhe e shokëve të tij në mesin e të cilëve edhe koka e Komandantit Legjendar Adem Jasharit dhe e kryeministrit të sotëm të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi! 

Kronologjikisht ndjekja e gjeneral Lushtakut rrodhi kështu: 
– Gjyqtarja serbe Danica Marinkoviq më 1996, shpalli fletëarrest për Sami Lushtakun! – Lushtaku, atëbotë dënohet nga “drejtësia” serbe me shumë vite burg (në mungesë)! – Përjashtohet nga radhët e TMK-së në korrik të vitit 2001 me një arsyetimin absurd! – Arrestohet dhe mbahet për 10 ditë i burgosur në muajin prill 2004! 
– Rrethohet fshati Prekaz, në veçanti lagjja Lushtaku, ku me ekskavator gërmohet kopshti i Gjeneral Lushtakut, në mënyrën më brutale dhe më të neveritshme nga forcat e KFOR-it dhe të UNMIK-ut. Deri më sot asnjë sqarim nuk është dhënë çka gjetën apo më mirë se çka kërkuan në oborrin e Gjeneralit ata, një lagje e tërë në shtetrrethim! 
– Me 8 maj 2008, arrestohet Gjenerali dhe dërgohet për të vuajtur dënimin në burgun e Dubravës, tani në pozitën e Kryetarit të Komunës së Skënderajt! 

Ky veprim i administratës ndërkombëtare të UNMIK-ut, për këto gati 10 vite në Kosovë, vetëm sa ia ka zënë frymën ligjit dhe progresit tonë. Për më shumë, ky veprim sikur tregon fare hapur e më këmbëngulje një disponim shumë armiqësor kundër pjesëtarëve të radhëve Çlirimtare të Kosovës e në veçanti kundër bartësve të këtyre proceseve. Kjo politikë diskriminuese, vetëm sa thellon hendekun politik të veprimit mes kësaj administrate dhe popullit tonë liridashës. Deri me tani, hapa të tillë nuk u ndërmorën kundër kriminelëve dhe pjesëtarëve të makinës vrastare serbe që në Kosovë me vite bënë mira e mira vdekje, krime dhe gjenocid mbi shqiptarët. Jo ata u lanë të lirë në Kosovë madje edhe të ruajnë organizimin e tyre politik në veri të Kosovës. Ndryshe si mund të shpjegohet fakti ose pse deri më sot nuk u arrestuan: 
– Milan Ivanoviq i cili me bombë plagosi mbi 20 paqeruajtës polakë?! 
– Kush u arrestua për vrasjen e një polici ndërkombëtarë në Albanik (Zubin Potok)? 
– Kush u arrestua për vrasjen e policit shqiptarë në Lumbardh? Fshat ky afër Milloshevës, shih më këtë rast serbi vrasës i policit shqiptar, kishte shkuar drejt e te Tadiqi në Beograd!? 
– Kush u arrestua nga serbet për vrasjen e paqeruajtësit ukrainas më 2008? 
– Kush u arrestua nga policët e kontingjentit rumun që vranë dy të rinj shqiptarë në pikë të ditës, mu në mes të Prishtinës? 
– Kush u arrestua për vrasjen e shqiptarit në mënyrën më kriminale (me kmesë) në Gojebulë të Vushtrrisë, vrasësi serb, sot jeton i qetë e pa ferrë në këmbë në Beograd? 
Ku janë të arrestuarit tjerë: 
– Ku është polici vrasës egjiptian, që vrau në Pejë Violetë Berbatin 22 vjeçe? 
– Ku po vuan dënimi polici pakistanez i cili kishte abuzuar seksualisht minoret rome? 
– Ku po vuan dënimi Trashaluci që Kosovës i rroi 4 milion euro e shumë të tjerë?… 

Nga ana e qytetarëve tanë, me të drejt shtrohet pyetja; a thua, të gjitha këto veprime a nuk të bëjnë të dyshosh: në mos vallë Kosova është bërë arenë interesash e makutërisë politike të ndërkombëtarëve, të cilët u zhytën në llumin e interesave më të ulëta individuale? Në Kosovë sot apo thënë më së buti, deri dje një pjesë nga stafi i ndërkombëtarëve, duke qenë “beqarë” ia nxorën bojën kabareve dhe punëve të ndyra të imoralitetit. 
Një pjesë tjetër doli se ishte e lidhur pas ish ministra vendorë të korruptuar, që padyshim të dy palët së bashku mbushën strajcat e tyre me lekë si në kopsht të babës. Disa vodhën vetë e ashiqare nga 4 milionë e më shumë euro, disa Galuqë e të tjerë u pozicionuan hapur për ndarje të Kosovës në dobi të agresorit serb, disa bënë sehir etj. 
Pra, shtrohet pyetja: Ku është ky ligji i ndërkombëtarëve në këto raste, ku janë të arrestuarit, apo të dënuarit për këto vepra. A ka burg në Kosovë që duhet t’iu hapen dyert për punëtorët dhe bashkëpunëtorët e UNMIK-ut që meritojnë qelitë e burgut për fajet e tyre që kanë bërë në Kosovë gjatë këtyre viteve?! UNMIK-u pse nuk vepron njëjtë për të gjithë, apo mos është në pyetje “ ligji dhe Maliqi?!”- siç thotë populli ynë… 
Gjenerali nuk ka kujt t’i ankohet! Dhe kjo nuk çon shumë peshë për drejtësinë ndërkombëtare, pasi që UNMI-ku, ka gjetur zgjedhjen- për të gjitha këto të pabëra, dënimin dhe haraçin e padrejtësive të tyre po e “lanë me nam” sot gjenerali dhe kryetari i një komune, Sami Lushtaku.

Kontrolloni gjithashtu

A. Vuçiq: Kryeministri Kurti, u detyra nga Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për lejimin e mallrave serbe

Për heqjen e ndalesës së mallrave serbe në vetëm një pikëkalim kufitar në Merdare, presidenti …