Atë po e gërryente diçka përbrenda qenies së tij, ishte futur thellë në mendime, dhe me një dozë të dukshme shqetësimi, sikur nuk po gjente fillin e humbur të lëmshit!…
Jam i shtrënguar të respektoj rregullat e lojës- pëshpëriti ai me vete, duke thyer heshtjen që e kishte ngërthyer. Më duhet të reflektoj mbi paragjykimin tim për të tjerët, qofshin ata në rrugë të gabuar apo jo. Etika njerëzore më obligon të argumentoj sprovën mbi të urtën krijesë, të cilën mund ta rëndoj së koti, nga smira, nga urrejtja, nga rivaliteti apo xhelozia.
Megjithatë, një urrejtje e papërmbajtur më shtynë ta bëj diçka të ligë, dhe atë, vetëm pse ai është i çiltër dhe i patundur në qëndrime, veprimet dhe mendimet e veta. Më duhet ta pranoj se ai, nuk i ka bërë lajka asnjërit deri me sot, për më së dy decenie, nuk i tha asnjërit:
“Ju lutem, më bëj këtë, apo atë nder!”, jo asnjë herë, as s’iu përkul askujt, ai eci vertikalisht, duke e kryer punën e vet me nderë e ballëlartë, virtyt burri ky, që është për të u admiruar!
Ai nuk vuante për emër, ngasë e kishte atë. Ai nderonte të tjerët, ngase vet ishte i ndershëm. Mua për vete, duhet ta pranoj përulësisht, më mungonte kjo dhunti, prandaj më duhet ta linçoja atë me çdo kusht, në mënyrë që unë të dominoj dhe të arritur qëllimin tim. Për arritur këtë, unë nuk do të zgjedh mjete, madje pafundësisht, mua ma kishte endja të më thërrisnin të tjerët zoti kryetar, zoti kryetar… dhe nga kjo ambicie, unë nuk kam hequr e nuk heq dorë asnjëherë!
Të qenit kryetar është një ndjesi e veçantë, o ju miqtë e mi ziliqarë. Është diçka që nuk ta shpjegoj dot, diçka që të gudulis në gjoks, diçka që nuk të lë të qetë, diçka që të mban lartë, si të të them përmbi të tjerët, diçka që pa e kuptuar as vet, të çon sqetullat lart si të kaposhit. Është diçka që të bën të ndihesh hijerëndë dhe autoritar, të bën të sillesh shpërfillshëm ndaj të tjerëve. Prandaj u përcaktova për këtë rrugë, nuk i dihet nëse do të dalë mbarë, apo rrugë për në theqafje, megjithatë, unë për të u bërë kryetar do të gërmojë deri në pafundësi?!
Sidoqoftë, unë u përcaktova me dëshirë e ambicie të papërmbajtur për të qenë i pari, i pari që t’i shkeli të tjerët, që mos të guxoj kush të më dalë përpara. U përcaktova për këtë rrugë, për të qenë i pari në kuvend dhe kasabanë tonë, realisht për të mos bërë asgjë, por që më fascionon tek më thërrisnin të tjerët, zoti Kryetar!…
Mes mëdyshjes së krekosjet që po i bëj, në mos janë fare të panevojshme, mos të hiqem më shumë nga ai që jam, mos të hiqem më rëndë sesa peshoj se do të më dalë boja shpejt- sikur i doli një zë nga brenda vetes! Kuptoje, dhe pranoje me qetësi se edhe ti je krijesë si gjithë të tjerët, pavarësisht se sot mund të jesh kryetar, por që nesër mund të jesh kalimtar i thjeshtë, sot të ofrojnë postin, nesër të groposin e kështu me radhë- përfundoi pëshpëritjen ai…
Nuk kam së si të mos e pranoj; kujt nuk ia kishte endja që të jetë i parë në këtë vend të mrekullive të asfiksuara, o krijesë amorfe, Kosova është vend i mundësive të mëdha!…
A nuk e shihni ju se “Elita” jonë politike, sot po vuan shpirtërisht, edhe më keq së në kohët e Pashallëqeve të mëdha! Është për keqardhje, kjo vuajtje që po i shkatërron ata përbrenda, nuk po i lë të qetë ditë as natë, po i vret me raki e duhan, veç sa nuk po e hanë njëri-tjetrin me dhëmbë! Ambicie kjo, që ka ngrënë mbretër e sulltanë, ka ngrënë kokat më të mëdha të historisë së hijeve përrallore për të qenë i pari!, më në fund, kjo yshtje ka ngrënë dynjanë, e sigurisht së nuk do të më kursej as mua- përfundoi mendimet e turbullta, dhe u përmbys mbi shtratin e tij, si pa ndjenja.
Ashtu shtrirë në shtrat vazhdoi mendimet, sikur nuk po nxirrte dot nga gjoksi ndryshkun e djegur; E di, e di, por nuk po e kuptoj as vetë së ç’po ndodh me mua, sa marr vendim të tërhiqem nga kjo rrugë ankthi e pasigurie, më ligështohet shpirti, më këputën këmbët, dhe nuk po mund ta marr dot atë vendim, sa bëj para prapë, tërhiqem e them me vete jo; o do të bëhem i pari i vendit, o do të pi kupën e helmit!…
Në plogështi të plotë u ngrit nga shtrati, dhe teksa po fliste me vete, ishte ndalur para një ikone që ishte varur në mur, poshtë së cilës po digjej një gjysmë qiriu, në flakën e të cilit ai po ndizte herë pas herë një bisht cigareje, dhe tek zbrazi gotën e radhës me verë të kuqe, prapë vazhdoi grindjen me hijen e tij, duke ardhur në përfundim se janë ca gjëra që duhen pranuar ashtu siç janë. Ai shfryu me vete; jam a s’jam unë për kryetar, ooo mjerë!…
Për të qenë elitar duhet sakrificë, prandaj me gjithë pasigurinë që e kishte ndryrë thellë në gjoksin e tij- ai prapë tha: do t’i futem kësaj loje hileqare e cila nuk e di se ku do të më nxjerri? Mirë, nëse veç kam vendosur ta marr këtë hap, mos ta marr me kaq pasiguri, ka me dhjetëra mundësi për t’i zbutur këto yshtje e ambicie të përdala. Vërtet, këto ethe që kanë kapluar elitarët tanë, tamam si ethe kolere, apo jo, si shpjegohet ndryshe kjo- veç përballje me unin e të dobëtit lakmitarë! Por mos të harrojmë edhe një gjë; këta janë krye kolera e kësaj shoqërie!, megjithatë, nëse e zbërthejmë çështjen me hile e me dredhi, ka hapësirë sa të duash për t’i ngopur të tërë me nga pak pushtet, si thua ti- iu drejtua ai më në fund vartësit të tij që e kishte aty pranë, të cilit nuk i kishte folur për më së gjysmë ore?!
Po- ia ktheu ai, ka vend që të ngopën të gjithë!…
Si ka vend për të gjithë- ndërhyri ky me ngritje të dukshme zëri?
Po, ta zëmë, ka vend për kryetar partie, kryetar dege e nëndege, kryetar manaferre e qershie, ka kryetar këshilli e rrethi, ka kryetar horri e leshi, ka edhe kryetar që rri pas dere, ka kryetar bashkie, ka kryetar e shef bixhozi, ka kryetar shef rakie, ka kryetar krejt kot, ka kryetar tamam rrotë! Ka kryetar shoqate, ka edhe kryetar shkërdhate, ka kryetar trim e dai, ka edhe kryetar dilenxhi, ka kryetar faqezi e dallaveraxhi. Ka kryetar tinëzar e dinak, ka edhe kryetar hajvan e tarak, ka kryetar për rini e për gratë, ka edhe kryetar lesh-rënë e tru-thatë, ka kryetarë që nget Chevrolet, ka edhe kryetar analfabet. Pa dyshim, ka edhe Kryetar të ndershëm, të përkushtuar dhe atdhetar që nuk peshohet as me ar!…
Kështu pra, ka vend për të gjithë, zoti im, që ta shijojnë pozitën e kryetarit e të mos shkojnë në botën tjetër më dëshirën e djegur për t’u parë, për t’u hequr e për t’u bërë…
Vartësi im, shërbëtor i zotit, po digjem përbrenda nga dilema e madhe, më thuaj të lutem:
Cilës kategori i takoj unë, më saktë, çka mendojnë të tjerët për mua, pra çka mendojnë kundërshtarët e mi, në cilën kategori më rendisin mua?
Këto çështje kaq të ngatërruara duan guxim dhe vendosmëri për t’ju dhënë rrugë njëherë e mirë. Ç’është e vërteta, është shumë e vështirë t’i kënaqësh që të gjithë përnjëherësh, prandaj kërkoj ndonjë ide. Një jetë më ka ikur, duke bërë përpjekje mbinjerëzore për të zbuluar ndonjë ilaç ose ndonjë fallxheshë, që do të më ndihmonte t’i zmbrapsja pretendimet e konkurrentëve të mi. Çka të ndërmarr, që t’ia ndali turrin gjithë kësaj katrahure që ka kapluar vendin, kur dihet se ky vend i bekuar nuk është më shumë se një bythë kusie, dhe si për inat, edhe këtë bythë kusie e rrihnin me shkop analistë të tërë dikur. Flitej e përflitej gjithandej, së me të rrahur bythën e kusisë, ata po synonin t’i mbesin në bythë historisë, mesele e madhe kjo!…
Çka nuk i pjell mendja njeriut të bekuar, por ai kishte harruar fare se rrota e filozofisë, këto kohët e fundit, nuk po sillej rreth bythës së kusisë, madje as rreth strategjisë së kotësisë!
Koha i ndryshku këto ide primitive, tani kanë ardhur kohë tjera, dhe me sa po shihet, pretenduesit e të parit, janë të sfiduar më seriozisht. Ke dëgjuar ti imzot, së në kasabanë tonë ia behu një figurë e madhe, të cilën ju nuk keni kaçik ta sfidoni. Zoti im, kam frikë se përballja juaj me hijen e tij impozante, do t’ju godasë për çdo ditë e më shumë, dhe dalë e ngadalë do të sfiliteni si kashta në diell.
Unë nuk e di sa jeni i përgatitur për të përballuar situatën, jo fort të lakmueshme për ty dhe për soj sorollopin tuaj!? Pra me këtë dëshiroj t’ju njoftoj që të jeni në rrjedha se në kasabanë tonë po vjen Gjergji, kupton ti, Gjergji dhe atë, me at e me shpatë- ia shpjegoi vartësi i tij.
Befasisht, si në jermi, ai e pyeti:
Po kush është ky Gjergji vallë, që guxon të vijë me at e me shpatë në kasabanë time?! Ai u turbullua fare nga ky lajm që mori, dhe dërgojë vartësin e tij në shesh tek Gjergji, me urdhra të prerë:
Menjëherë Gjergji t’i zbresë atit e atkisë, t’i dorëzojë shpatë e heshtë dhe i çarmatosur të sillet në seli të partisë!… Më vete ai bëri plane që të shtrojë një dialog me Gjergjin, me shumë maturi, po deshi Gjergji, të dalë me një parti, ose të kthehet prapa, marsh në shtëpi!…
Këtu në shesh, me armë në brez, maje kalit, pastaj si t’ia bëj unë hallit?! Jo, t’i thoni Gjergjit, këtu ka ligje e demokraci, ka KFOR e Polici, ka kryetar se jo mahi, prandaj nuk lejohen njerëz të armatosur e maje kalit, ka rrezik se prishet rendi e qetësia, luteni i thoni Gjergjit, më mirë zbrit nga Gjoku së në Bruksel na prishet dialogu!…
Propozoj dialog me Gjergjin:
T’ia shtrojmë me verë e raki, me aderim në ndonjërën parti, me duhan turli-turli, me paqe e demokraci… për ndryshe këtu, jam vet i pari, jam vet kryetari. Them të vërtetën, kohët e fundit më ka humbur durimi, dhe nuk e frenoj egon time aspak, ani pse unë apeloj për durim. Në fakt durim me armikun po, jam dakord, por durim me mikun- jo, kurrë!…
Konkurrenca po më vret, sidomos ky Gjergji hipur në at, nuk më le ta bëj as gjumin rehat!
Ai kalorës e unë këmbësor jo, kjo kurrë nuk ka për të ndodhë, fundja ç’ ka bërë ai më shumë nga unë, a nuk jam unë gushëpëllumb?!… Ai iu drejtua vartësit të tij, unë urdhëroj:
Të zbresë Gjergji menjëherë nga kali, se përndryshe e arrestoj, dhe nuk e fali!…
… Vërtet, po më vjen keq që nuk i paskam vërejtur me kohë, ambiciet tuaja kaq të ulëta. Ju nuk kurseni asnjë mjet për t’u bërë kryetar i kotësisë!, dhe duke qenë i vetëdijshëm se shkurtpamësia ime, nuk më shkarkon nga përgjegjësia, për aq kohë sa kam qëndruar pranë teje. Sado që jam munduar të të orientoj nga e mbara, përfundimisht, ikja ime sa më larg jush, mbeti e vetmja zgjidhje e logjikshme- ia ktheu vartësi i tij.
Do të mundohem të ikë sa më larg mendimeve tuaja me plotë zymtësi, të cilat të kanë ngërthyer keq në vorbullën e ëndrrave të marra deri në pakufi, me shpresë se me kohë do të lirohem nga ai makth që ma kishe imponuar në mënyrë aq banale!
Ndërkohë, vartësit i tij vazhdoi për të ia kthyer përgjigjen që kishte marrë nga Gjergji.
Ai, ngadalë e me druajtje i thanë kryetarit tek veshi, unë po iku por ti, ke të fala nga Gjergji:
Sa për kërcënimet që i bëre, për këtë punë, Gjergjit s’i hëngër leshi!…
Megjithatë, lum kryetari, Gjergji të dërgoi të fala, ai nuk zbriti as nga kali, as nga shala, por na porositi e tha:
Të m’i thoni kryetarit, le të vijë e të më kapi për majës së frerit të kalit!…
Shtator, 2021