Kërkesë për ndërhyrje në Kushtetutën e Kosovës, kishte edhe në kohën e Millosheviqit, dhe atë, shoqëruar me tanke e masa tjera represive- e habitshme, çfarë koincidence “historike”: pas më shumë se 31 vitesh, të njëjtën kërkesë e bënë edhe zoti Lajçak, si atë të Millosheviqit në vitin 1989! Dallim mes tyre është, së: z. Laçak, ndërhyrjen në Kushtetutën e Kosovës e kërkon që ta bëjmë ne, për të ngopur orekset e sëmura të Serbisë.
E pa dëgjuar kjo deri tani, një emisar paqeje, kërkon ndërhyrje në Kushtetutën e një shtet tjetër, pra kërkon shpërbërjen e një shteti që do dhe respekton lirinë- siç është Kosova, për të përmbushur ambiciet e një shtetit tjetër grabitqar- siç është Serbia, që pretendo ta mbajë Kosovën të robëruar! Nëse kjo na qenka paqja që ofron përfaqësuesi i BE-së, zoti Lajçak, mos qoftë!?…
Emisari sllovak i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë kërkesë të hapur për të përdhunuar Kushtetutën e Kosovës. Kërkesë kjo, për të ngopur apetitet e shovinizmit Serb, natyrisht edhe për të mos prishur rehatinë e hileve të vjetra të BE-së, përballë shqiptarëve.
Emisari Lajçak, po kërkon ta ndryshojë Kushtetutën e Kosovës. Krejt kjo ka vetëm një qëllim: që Serbisë t’i ofrohet mundësia e formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, edhe më qartë; që të formohet një shtet brenda shtetit, që do të nënkuptonte se pakica serbe në Kosovë, do të mund të shpallnin autonomi dhe shkëputjen kur të duan!…
Përdhunimi i Kushtetutës së Kosovës, po kërkohet nga Lajçak, duke thënë se ajo nuk është “bibla!”. E habitshme, deri ku shkon mospërfillja e këtij mujshari, që shpërfaqët pa asnjë përgjegjësi etike prej diplomati dhe përfaqësuesi të BE-së!
Kjo kërkesë i bëhet Kosovës, dalë nga lufta e përgjakur çlirimtare, me mbi 15 mijë qytetarë të vrarë të të gjitha moshave dhe gjinive, të dëbuar, të përdhunuar, të djegur e zhdukur… Nëse kjo është marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, një marrëveshje e tillë, nuk na duhet z. Lajçak dhe ju Laçakërit e tjerë- më këtë, ju po kërkoni që në Kosovë të derdhet gjak përsëri!
Duam t’ia kujtojmë z. Lajçak dhe Lajçakërve të tjerë, se në pranverë të vitit 1989, ish Kuvendi i Krahinës Autonome Socialiste të Kosovës, rrethuar me tanke, milicë e ushtarë, rrethuar me mjete lufte e gjendjeje të jashtëzakonshme, nga regjimi i Serbisë Milosheviç-iane, Kosovës ia suprimoi autonominë e saj, që ishte Element Konstituiv i ish Federatës Jugosllave. Kjo datë shënon një nga aktet më dramatike në historinë e Kosovës, një nga aktet më të përgjakura, ku në pranverën e atij viti, nga forcat gjakatare të regjimit Serb të kasapit të Ballkanit, në Kosovë u vranë mbi 33 demonstrues shqiptarë të Kosovës!
As sot e kësaj dite, regjimi gjakatarë serb, as nuk u hamend për të kërkuar falje, dhe për të marrë masa tjera ligjore dhe obligime ndërkombëtare, për sqarimin dhe përgjegjësinë e vet për vrasjen e qytetarëve shqiptarë të Kosovës, shifër kjo që kalon dhjetëra mija shqiptarë të vrarë, qytetarë të pafajshëm, në mesin e tyre mbi 1600 fëmijë! Lajçak, me apo pa vetëdije, po kërkon që historia e përgjakur në Kosovë të përsëritet, kërkesë kjo kaq e vrazhdët dhe e paskrupullt, duke kërkuar publikisht: Ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës!
19-11-2020