Mehmet Bislimi: KOHË KONTRADIKTASH

Pa dashur që të hiqem prej pozitave të të gjithë diturve, madje larg saj por me qëllimin tepër të sinqertë duke u sjellë me përgjegjësinë më të madhe të qytetarit të rëndomtë të Kosovës, por me seriozitet e këmbëngulje për ta thënë dhe për ta mbrojtur pa hezitim të vërtetën, do duhej të ndihemi që të gjithë të gjallë, duke i paraqitur sheshazi shqetësimet tona të mëdha për fatin e atdheut tonë. Nuk do të doja që lexuesi të na keqkuptojë, mbase ndonjëherë, edhe fërkohemi për subjekte të caktuara politike, që veprojnë në Kosovë e që në disa raste, kjo është edhe e pashmangshme, mu për shkakun e veprimit të tyre herë të mbara, por edhe herë – herë të mbrapshta e shumë të dëmshëm për atdheun! Ky shkrim, në fakt nuk ka për qëllim të ndërhyjë në preferencat politike të askujt, njëkohësisht së nuk do të lejoja ndërhyrjet e të tjerëve në preferencat e mia. Ky konfrontim i çuditshëm në këtë kohë të kontradiktave të mëdha, kthyer pashpjegueshëm gati në përditshmëri nuk i zbehë deklarimet e përditshme e aq kundërthënës të institucioneve tona të cilat lëvizin më keq se çmimet e zarzavateve në tregun e blertë të Prishtinës të këtyre ditëve me vapë!
Deklarimet e përditshme të krerëve tanë politikë, (përderisa vetë me votën tonë i kemi vënë atje lartë!) shkojnë deri atje sa thonë: Pavarësia e Kosovës është e panegociueshme, ose, Kosova duhet të jetë e pavarur dhe sovrane me shtrirje në tërë tërësinë e saj territoriale, ose asnjë nga pikat e pakos së Ahtisarit nuk do të hapet për diskutim, ose, nuk ka ndarje të Kosovës etj. Ndërkaq për zgjedhjet, që tani janë në përgatitje e sipër deklarohen pro dhe kundër, duke dhënë arsyetime shumë të pashije e po aq kontraverse, ata thonë: Të bëhet statusi një herë e pastaj zgjedhjet. Zgjedhjet e pengojnë statusin?! Zgjedhjet nuk mund të mbahen pa u definuar statusi dhe se ato interferojnë drejtpërsëdrejti në statusin e Kosovës etj.
Më se e qartë?! Me qenë se koalicioni qeverisës duke e parë se nuk kishte kapacitetin , madje as kompetencat e fuqinë e duhur morale e politike për të finalizuar si e vetme statusin përfundimtar të Kosovës, kulaçin e nxehtë të statusit e ndau me opozitën. Pa pretenduar që të gjykojmë këtu veprimet dobiprurëse, apo dëmprurëse, nga distanca jonë kohore me parametrat e arbitrarizmit në kohën e qytetërimit tonë laik, ne duhet t’i interpretojmë ato nga pozitat e një shtjellimi të drejtë në këtë kohë krizash, ku në të vërtetë ka një mbështjellim vlerash të pakuptimta. Në fakt partitë opozitare, duke e ndarë kulaçin e ngrohtë të statusit, së bashku me koalicionin qeverisës aktual, ata ndanë së bashku edhe dështimin e tyre, duke humbur kështu shumë nga pozicioni i të qenit opozitë e vërtetë dhe me peshë politike. Nga ana tjetër, nuk është aspak serioze që në një rast të fyesh diçka, kur në një rast tjetër e ke përkrahur e arsyetuar dhe mbrojtur atë deri në skajshmëri e pa mbulesë si: 
Zgjedhjet në Kosovë janë mbajtur dhe atë disa herë, madje edhe në kohën e luftës, që ka qenë një absurd i padëgjuar më parë jo vetëm për vendin tonë. Pra, ato janë mbajtur pa u definuar statusi përfundimtar i Kosovës!, dhe shih për këtë atë botë zgjedhjet nuk e kanë penguar statusin e pazgjidhur të saj! Si na qenka e mundur që tani po penguakan statusin, madje cilësohen edhe pengesë?! Ky interpretim i shëmtuar i realitetit edhe ashtu të hidhur, duke i përshtatur për veten e vet improvizimet institucionale të vetë institucioneve pa mandat. Do duhej të qartësohet një herë e mirë se procesi i pavarësimit nuk lidhet me partitë politike të cilat bëjnë qeverisjen aktuale të skaduar, përkundrazi, ky proces është i lidhur ngushtë me përkushtimin e shoqërisë sonë për të jetësuar një shtet funksional! Prandaj, batutat se zgjedhjet do të pengojnë definimin e statusit, nuk janë më shumë se tentim për të interpretuar rolin e “miteve të dikurshme” të cilat përfundimisht i ka varrosur koha, nga ana tjetër, na del sheshit pangopësia e tyre për të vazhduar jetën e pushtetarëve që fati rastësisht i përplasi atje ku edhe pretendojnë të mbesin me çdo kusht, po prapë në përplasje!

Deklarime retorike se pavarësia e Kosovës është e panegociushme, sikur e humb kuptimin kur në Vjenë shkohet pikërisht për të negociuar dhe jo për zarzavatet e rrafshit të Dukagjinit, por pikërisht për negociata për statusin përfundimtar të Kosovës. Në fakt ata harrojnë se kur një çështje deklarohet e panegociushme, ajo do duhej që të ishte kapitull i mbyllur!
-Deklarimet se Kosova duhet të jetë shtet sovran dhe i shtrirë në tërë tërësinë e tij territoriale që nënkupton edhe mos ndarjen e saj, janë më shumë se farsë (flasim jo vetëm për periudhën kohore tetë vjeçare, por edhe para saj!)… Kosova ishte dhe është e ndarë, kthimi i kufijve të Kosovës në ata të para vitit 1953 është i arsyeshëm, madje i nevojshëm, ku komuna e Leposaviqit do t’i takonte Serbisë, ndërkaq Medvegja, Bujanoci dhe Presheva do t’i takonin Kosovës – pse jo?! Kjo nuk është as ndarje, as këmbim territoresh, në fakt është kthimi i gjërave në vendin e vet! Kjo çështje është shumë më e kapshme mes këtyre trazimesh të mëdha shpirtërore se sa bashkëjetesa e detyrueshme me të ligën dhe me pasigurinë e një pjese të madhe të shqiptarëve që jetojnë në tokat e veta gjithandej. Mendoj se elita jonë politike në Kosovë ( nëse ekziston fare), do duhej të ishte më racionale në veprime e mendime rreth këtyre ndarjeve skematike që kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore e historike, do të duhej të ishte më transparente dhe më e guximshme për hapa po aq të guximshëm, do duhej të kishte një strategji më të qartë politike, diplomatike e kombëtare. Madje kjo elitë ka për obligim që të pengojë edhe format tjera të organizimit të shtetit monstrum Serb të pa konsoliduar që pretendon prapë primatin në mos mbi tërë tërësinë tonë gjeografike të paktën pjesërisht, ambicie hegjemoniste serbe këto të cilat ata nuk i fshehin fare!
– Jo pak herë janë transmetuar deklarata të pa mbulesë ku thuhet se pakoja e Ahtisarit nuk do të hapet për bisedime, e njëkohësisht thuhet se: Pako-ja e Ahtisarit do të jetë bazë për bisedime?! Duet paqartësish mbi pozicione krejt kontradiktore. Pakoja e tij është pensionuar së bashku me vet zotin Ahtisari! Ndryshe bisedimeve do t’iu printe vet ai e jo treshja e Grupit të Kontaktit të cilët në mënyrë të prerë para medieve kanë deklaruar se : “Ne pranojmë çdo kompromis të mundshëm mes palëve!”- çka duhet thënë më shumë për të kuptuar se kjo pako nuk është më baza e marrëveshjes së këtyre bisedimeve?! Prandaj Ekipi i Unitetit, paraprakisht, do duhej që këtë pako ta shpallte inekzistente, me çka do të binin në ujë të gjitha pikat e saja me gjithë eksterritorialitetet që të tjerët i ligjësuan mbi kurrizin e tokave tona e tek më pastaj pavarësia e Kosovës të jetë temë e panegociushme dhe e padiskutueshme!
Zërat e mekur të kreut të Qeverisë ( së fundi), që pavarësia e Kosovës të shpallet më 10 dhjetor, ku do të njihej në mënyrë unilaterale më pastaj nga SHBA-të dhe nga shtete të caktuara të kontinentit të vjetër evropian, nuk janë më shumë se një daulle e shurdhër si ajo e mëhershmja, që pretendohej të kumbonte më 28 nëntor! Këto deklarata të mykura nga lagjja po ashtu e mykur e qeverisë sonë, sikur emitojnë të sëmurin që fletë përçartë! 
Zotërinj! Pavarësia nuk ka si njësi matëse datën se kur do të shpallet, por ka punën që bëhet për ta arritur atë. Ju të paktën do duhej ta dinit këtë se tek pas datës 10 dhjetor Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-ve, z. Ban Ki Mun, do t’i dërgohet një raport i detajuar nga GK-ja e më pastaj raporti do të analizohet e shqyrtohet për të marrë hapa të mëtejmë. 
Ndërkohë që në Kosovë do të mbahen zgjedhjet në të dy nivelet, më pas do të konsolidohen institucionet e reja të Kosovës të cilat do të dalin nga vota e lirë e qytetarit të saj. Prandaj bërja e pavarësisë për fatin e lig të institucioneve aktuale, nuk do të jetë medalje në gjoksin e saj. Nuk janë pa domethënëse edhe deklaratat, që herë pas herë përsëritën, madje edhe nga vet ministrat e Qeverisë së koalicionit aktual se: “ Moti e kishim dhënë dorëheqjen, por që nuk kemi para kujt ta japim, institucionet e Kosovës janë pa mandat!”- Këtë do duhej ta kuptonte edhe kreu i Qeverisë së Kosovës më në fund…

Në fakt është edhe logjike, pavarësinë nuk mund ta shpallin institucionet pa mandat, qoftë edhe njëanshëm ngase ligjërisht mbi baza të së drejtës ndërkombëtare kjo çështje do të mund të ishte anuluar shpejt nën pretekstin e ilegjimitetit të institucioneve të Kosovës, dhe më pas përfaqësuesit e koalicionit qeverisëse do të thoshin: “ Ne e shpallem, por ja që bota nuk na e njohu!”… Jo zotërinj nuk ju lejohen më lojëra të tilla mbi kurrizin e Kosovës. Edhe sikur kjo të kalonte, nuk do të ishte aspak morale që këta rrahagjoks për pavarësi t’i mbesin në bythë historisë më të re të Kosovës, kur dihet nami i tyre mbi gjithë këto keqpërdorime e keq menaxhime të buxhetit të Kosovës, që në gjuhën e popullit quhen hajni. Absurdi më i madh qëndron në atë se e gjithë këtë e kanë bërë dhe po e bëjnë mu në emër të pavarësisë dhe të statusit të Kosovës! Nga ana tjetër nuk do të ishte në favorin e Kosovës që të luajmë lojë ruleti me pavarësinë e saj si edhe më parë me 2 korrik e 7 shtator! Tanimë janë kohë tjera, dhe shpallja e saj duhet në mënyrë të pa shmangshme të mishërohet me sakrificën për te, ndryshe zgjatje e veshëve tanë në pakufi do bëjë që të pëlcas mllefi i qytetarëve tanë tashmë tejet të papërmbajtur dhe më së paku ata do të jenë përgjegjës!

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …