Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi; Kosova arriti të përjetojë mbylljen e një burgu!

Po e filloj me humor. Një të sapo liruar nga burgu, po e pyeste fqinji i tij terë kureshtje:

– Pashë besën, si është burgu, sa shumë kam qejf të jem si ju, i dënuar politik edhe unë!?

– Fare lehtë, ia ktheu ish-i dënuari:

– Del në qytet dhe shaje Titon dhe LKJ-në!

– Jo, qe besa, nuk guxoj, se më pastaj më fusin në burg!…

Stigmatizimi dhe akuza të akorduara brenda shoqërisë, mos kursimi i mjeteve për të përdorur dhunën si mjet për të treguar gjithë  pushtetin autoritar, mbi kurriz të popullit shqiptarë, shantazhimi politik, që dikur për lëpirësit, ka sjellë prova avancimi në sistemet moniste, fatkeqësisht, edhe sot po shfaqen si episode të shëmtuara të një kohe që ka ikur me turp, tani në forma më të sofistikuara, gjithsesi të dështuara. Megjithatë, parimi më elementar etik është, të mos frikohemi nga e vërteta! Të gjithë ata që frikohen nga e vërteta, do të thotë se i kanë hyrë dikur dikujt dhe kohës në hak.

Më se e vërtetë: na ishte njëherë një kohë, kur shqiptarët dënoheshin nga shqiptarët- poltron këta  të fundit, në gjuhën e sotme i quajnë “lëpirës”  të pushtuesit. Bijtë tanë dënoheshin kryesisht  për mosbindje dhe qëndrime politike përball pushtuesit. Pra, ata (lëpirësit), zbatonin politikën e pushtuesit dhe dënonin bijtë e popullit, vetëm e vetëm pse ne kërkonim liri, kërkonim bashkimin e tokave shqiptare, shanim Titon dhe të gjithë anëtarët e LKJ-së, majtas e djathtas, pa dallim!…

Në fakt, Kosova ishte e tëra një burg i madh, atëherë cili ishte dallimi në këtë mes?

Fare thjeshtë: ata që kundërshtonin pushtuesin dhe ata që i shërbenin pushtuesit (pavarësisht nga rrethanat), pra ishin dy taborë: njëra kundërshtare e pushtuesit; të persekutuar, të burgosur, të dënuar etj,. dhe shtresa tjetër që ishte përcaktuar me vetëdije në shërbim të pushtuesit; që ishte e privilegjuar në hierarkinë e LKJ-së. E cila zbatonte mekanizmin e dhunës me fanatizëm të shfrenuar sadist- Kaq e thjeshtë ishte kjo!

Dorën në zemër: edhe ish-të burgosurit politikë kishin mundësi të mos burgoseshin e të mos dënoheshin, e vetmja gjë që duhej të bënin ata ishte: të lavdëronin Titon dhe t’i shërbenin LKJ-së, të shanin Enverin dhe Shqipërinë, të mohonin atdheun! Po, kaq e thjeshtë ishte edhe kjo, por ata nuk e pranoni mohimin e lirisë së atdheut për asnjë çmim! Po aq fuqishëm dhe bindshëm nuk pranonin të ishin në shërbim të pushtuesit dhe pjesë e atij mekanizmi, prandaj arrestoheshin, prangoseshin, torturoheshin, dënoheshin dhe persekutoheshin nga ish-regjimi i pushtuesit serbo-jugosllav-titist, dhe nga lëpirësit e tij!

Tani, duam s’duam ne, realitetin duhet ta pranojmë: një pjesë e këtyre poltronëve, nuk e kanë pasur guximin dhe bindjen tek bijtë e popullit së një ditë do ta mposhtin pushtuesin, për faktin e vetëm se këta ish lëpirës, dhe me kohë ishin gjunjëzuar edhe shpirtërisht para pushtuesit. Këtë e vërteton katërçipërisht fakti se kjo Kastë, as tani nuk ka arritur ta çlirojë shpirtin e vet prej pengu të robit! Nga ana tjetër, ish-të dënuarit politikë asnjëherë nuk janë hakmarrë kundër këtyre  kokëshkretëve të ndyrë, Të dënuarit politik, me kohë kishin kaluar kufijtë e frikës dhe të urrejtjes, ata donin vetëm lirinë e vendit të vet dhe këtë e mbronin me forcë e vetëmohim, ata kishin kaluar kufijtë e vetëmohimit për diçka më të madhe, më të shenjët- siç ishte kauza jonë kombëtare. Edhe kjo ishte po kaq thjeshtë, vetëm duhej guximi dhe vetëm guximi për t’iu kundërvënë pushtuesit!

Kosova ishte e pushtuar dhunshëm me hekur e zjarr nga gjakatarët serbo-jugosllavë, për aq kohë sa kërkesat e shqiptarëve për liri e pavarësi po rriteshin dhe nuk kishin të pushuar. Ish-pushtuesi gjakatar, para së gjithash, nuk ishte i lirë as vetë për veten e tij, ngase përditë e më shumë i duhej të zbulonte e të zbatonte metoda të reja të dhunës si mjet të vetëm që kishte në dorë, për t’i mbajtur shqiptarët të pushtuar, burgosur, të robëruar dhe persekutuar. Prandaj është vërtetuar shkencërisht se herët a vonë; çdo pushtues është i gjykuar të bjerë, por ai nuk bie vetë, popujt e robëruar duhet bërë përpjekje sublime për ta rrëzuar e shporrur pushtuesin dhe robërinë. Shqiptarët të bashkuar e shporrën pushtuesin serbo-ju- gosllav, një herë e përgjithmonë, robërinë e vranë me pushkët e lirisë, prirë nga bijtë tanë më të mirë- rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Sinonimi burg

Godinat e burgut dhe vetë fjala burg, në vete ngërthen diçka të keqe, të rëndë, të frikshme dhe të vetmuar. Si në burg, ishte terr burg, u kalb në burg, ka mbetur ngujuar si në burg, nuk doli i

gjallë nga burgu, në burg nuk e sheh diellin me sy… sinonim i së keqes etj.

Burgu, si godinë, me mure të larta me kangjella përmbi mureve të trasha, të vjetra, të mykura, rrethuar me tela me gjemba, me grila e hekura, me qeli e izolime, me zinxhirë e pranga hekuri me gardianë e rojë, me karakollë e siguri të veçantë, me tortura e britma, me maltretime deri në alivanosje, me varje e vrasje të të burgosurve, me greva urie, me mall e vuajtjeje, por edhe me këngë rezistence e lirie, me frymëzim e krenari, me mos përkulje para pushtuesit, me greva e barrikada, me kokën lartë në shërbim të atdheut.

Shpesh herë kanë thënë se burgu është për burra- JO, e pasaktë; burgu është për trima e trimëresha, për njerëz të përkushtuar me vetëdije të lartë dhe me bindje të patundur në fitore- njëkohësisht me kundërshti të patundur përball pushtuesit!…

Ish-të burgosurit politikë shqiptarë të të gjitha kohëve, kudo që kanë vuajtur dënimin, në burgjet e ish pushtuesit serbo-jugosllav, kanë lënë përshtypje të mira, sjellje të dinjitetshme, të pa përkulur para prangave të pushtuesit, të vendosur në rrugët e lirisë dhe krenarë për atdheun e vet. Prandaj, burgu nuk i ka thyer, ngase ata shpirtërisht kanë qenë të lirë. Kanë pasur ndërgjegje të pastër, nga burgu kanë dalë edhe më të fortë se ç’kanë hyrë aty!

E saktë, shumë prej të burgosurve politikë nuk kanë dalë më gjallë nga andej, si: Omer Çerkezi, Fazli Graiçevci, Zija Shemsiu, Xhemajli Berisha, Abedin Bala, Ibrahim Krasniqi, Ibrahim Kastrati, Ukshin Hoti, shtojmë këtu se vetëm në burgun e Dubravës janë ekzekutuar mbi 140 të burgosur shqiptarë e qindra mijëra raste tjera që nga viti 1912 e këtej. Si pasojë e torturave, dhe vrasjeve tinëzare, që pushtuesi i ka bërë mbi ne. Ishin me qindra të dënuar shqiptarë të Kosovës, pjesëve shqiptare të shkëputura nga Malit të Zi, Maqedonia, Greqia, Serbia e Presheva, Bujanoci, Medvegja e shumë fshatra tjera gjithandej deri tek Molla e Kuqe etj. Shumë nga ta, kanë dalë nga burgu- vuajtja e dënimit me pasoja të rënda shëndetësore, pasoja që i vuajnë edhe sot, por kanë dalë me kokë lartë dhe të paepur!

Të mos harrojmë: si askund në botë, madje as në shtetet me regjim më fashist, nuk janë dënuar më shumë se shqiptarët nga ish-diktuara moniste-serbo-titiste , madje as në regjimin e Stalinit, Hyseeinit, Pinoqet, Asadit, Putinit etj. Diktatori Tito, (që ishte i përkëdheluri Evropës plakë!), kishte dënuar shqiptarët me mbi 70 mijë vite burg në total, vetëm e vetëm së shqiptarët kishin marrë guximin ta kundërshtonin regjimin pushtues gjakatarë- serbo-sllav, dhe vijën e tij politike-hegjemoniste, thjeshtë; shqiptarët kundërshtonin robërinë. Diktatori perfid  Tito,  në forma dhe kohë të ndryshme, kishte pushkatuar pa gjyq mbi 30 mijë shqiptarë, kishte shpërngulur nga tokat e veta mbi 300 mijë të tjerë, shpërngulje kjo e cila vazhdon edhe sot në viset shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi, Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, tani edhe nga diktatorët e rinj gjakatarë serb pos millosheviqian!

Në burgje, kishte edhe vrasje tinëzare! Vrasja të të burgosurve brenda burgut, kjo bëhej fare  thjeshtë: Bie fjala, të dënonin 30 ditë me qeli – vetmi, për asgjë fare, më pastaj të hidhnin në gjellë (racioni i darkës), medikamente gjumi si Apaurinë etj., të varnin me çarçaf të shtratit natën vonë në dhomën e vetmisë… dhe në mëngjes ftonin gjyqtarin hetues për të bërë një raport mbi “vetëvrasjen” e një të dënuari politik shqiptar!, dhe kjo përfundonte me kaq, nuk duhej më shumë në sistemin titist!… Megjithatë, kjo asnjëherë, në asnjë kohë, nuk i ka zmbrapsur shqiptarët e dënuar politikë, ata ishin të gatshëm për të vdekur për atdhe, prandaj kjo gatishmëri nuk e njihte frikën. Triumfi mbi frikën e tmerronte pushtuesin.

Në burgjet serbo- jugosllave, kishte të dënuar shqiptarë. veç burrave edhe  femra, trimëresha legjendare, por edhe të rinj të mitur të dënuar politikisht- deri aty kishte shkuar urrejtja fashiste serbe kundër shqiptarëve pavarësisht, gjinisë, moshës dhe profilit!

Edhe sot kam të njëjtën lutje: Mos e shani Avniun!

E habitshme, ves i keq ky, që u poq, as sot ndër ne, nuk u hoq, shqiptarë  shajnë shqiptarët!, pra shajnë të burgosurit politik: ngase ata e donin Enverin dhe e shanim Titon!… Po, po, shumë e qartë, prandaj për këtë edhe i kishte burgosur e i kishte dënuar ish-pushtuesi. Jetojmë me absurditetin nën sqetull: sot, disa shajnë Kastriotin, Avniun, Currin, Nolin, Gurakuqin, Luigjin, Prishtinën… po sot, disa lavdërojnë, Sulltan Muratin, Zogun, Esatin, Titon, Fadilin, madje edhe ngrenë shtatore për ta!…

Në fakt, burgu është i rëndë dhe i vret shpirtërisht dy herë më shumë lëpirësit, ata që vrasin njëri-tjetrin, ata që vjedhin, dhunuesit e përdhunuesit, plaçkitësit, mashtruesit e zhvatësit, të gjithë ata që bëjnë njëqind e një të zeza në dëm të popullit dhe atdheut të vet. Prandaj, burgu, si institucion, deri me tani, në asnjë shtet të botës nuk ka arritur që përfundimisht të kalojë në Muzeun e historisë! Jo dhe jo! Përderisa ka keqbërës në botë, burgu do të ekzistoj, mbase një ditë e një kohë do të mbyllet, por do të mbyllet vetëm atëherë kur shoqëria do të kalojë në një shkallë të lartë të zhvillimit të vetëdijes intelektuale, kombëtare etj. së kur do të arrihet kjo?,,,

Po, është mirë që të paktën një burg në Kosovë (siç ishte ai i Prishtinës), të mbetët si kujtim i një gërmadhe, që do të rikujtojë të zezat e kohëve të shkuara zezonë, për bijtë e bijat më të mirë të popullit tonë, me veprat e të cilëve, ne duhet të krenohemi përjetësisht. Ata ishin faqja më e ndritur e historisë sonë, krejt e saktë; shumica nga ta, edhe në burg e kanë ndier

lirinë, ndërkohë që sot, pas burgut, vuajtjen dhe mundin e tyre e kanë shkapërderdhë e vënë hipotekë në ankandin e klaneve të caktuara të politikës ditore gjithandej tokave shqiptare… dhe nuk arritën asnjë herë (deri tani), që ta ndërtonin ngrehinën e tyre autoriale politike- nuk e kaluan lumin dot, as dje, as sot, as mot për faktin e thjeshtë; ata ëndërruan dhe dëshiruan vetëm lirinë dhe bashkimin e atdheut!

– Botë me hile: si nuk ia ngritën lirisë diku në kryeqytetit një shtatore, ku në shenjë pendimi, kohë pas kohe, do të përkuleshin vrasësit e saj!…

 

CH-12-11-2020

Mehmet Bislimi

 

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati; Inflacioni (rritja e çmimeve) konsiderohet si një problem ekonomik që ndikon shumë në mirëqenien e qytetarëve

Problemet ekonomike të Kosovës kanë një dimension të gjerë dhe fatkeqësisht mungesa e një orientimi …