Mehmet Bislimi: KOSOVA SHTET I PAVARUR

Krejt natyrshëm, krejt lirshëm dhe arsyeshëm, vetëkuptohen emocionet e shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, Greqi, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, në Amerikë e Australi, në Evropë e Azi, dhe kudo ku janë ata nëpër botë!

Që nga kohët e mes historisë e mitologjisë, që nga koha kur kronikët e rastit kanë lënë diçka të shkruar në gurë e letër për ne, që nga Lufta e Kosovës e në vazhdim, nga lufta e Gjergj Kastriotit, e Ali Pashë Tepelenës, e Lidhjes së Prizrenit e Rilindjes dhe independencës së një copë tokash shqiptare e deri tek lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krye me Komandantin tonë Legjendar Adem Jasharin edhe me tej deri tek ditët e sotme, kur Kosova u shpall shtet i pavarur, kanë kaluar shekuj të rëndë robërie për ne, të cilët kanë lënë po aq plagë të thella në shpirtin tonë. 
Shekuj qëndrese për liri, shekuj lumenjsh me gjak, me lot, me plagë, me sakrifica sublime, që populli ynë i ka bërë për lirinë e vet, më rënie e ngritje heroike… 
Shqiptarët rezistuan shekuj dhunimi, burgosje, persekutime, shtypje e mjerimi. Këta shekuj të gjatë robërie, ishin shekuj qëndrese e pathyeshmërie, shekuj triumfi e ngadhënjimi deri tek realizimi i pjesshëm i aspiratave të popullit tanë! Kjo rrugë e gjatë, shqiptarët nuk i lodhi, nuk i zmbrapsi, nuk i tjetërsoi, nuk i asimiloi, nuk i nxori nga uni i vet, pra ne, as edhe një herë nuk mohuam përkatësinë e tonë kombëtare. Kjo rrugë e trasuar breza me radhë, që nga koha e Millesh Kopiliqi e këtej, ne e kemi thënë gjithmonë e me krenari: JEMI SHQIPTARE E SHQIPTARË JEMI!… 
Kjo krenari kombëtare na mbajti gjallë e të fortë si shkëmbi gjatë udhëtimit tonë nëpër shtigjet e lirisë, shqiptarët me punë e sakrificë, më luftë e përpjekje triumfuan mbi të ligën, mbi të ultën, mbi të zezën robëri që kaq gjatë na kishte ngërthyer! 
Data, 17 shkurt 2008, mbase, shpejt e me kohë, do t’i takojë të kaluarës, ashtu sikur i takon sot 28 nëntori i vitit 1912. Pa dyshim se shqiptarët do ta kenë një datë më të madhe një ditë! Për këtë, duhet punë e përkushtim, meqë sot bota është më ndryshe, është demokratike e liridashëse, ka vizion tjetër më të qartë e më të avancuar për lirinë e popujve, me çka ia shton lumturinë dhe shpresat për ditë më të mira njerëzimit. Prandaj, shqiptarët kudo ku janë, duhet të jenë shumë të përkushtuar për të ndërtuar dhe përparuar shtetin e vet- URIME KOSOVË! 

Sot, jemi këtu ku jemi, nuk duhet të harrojmë për as një çast ndihmën e nënës Shqipëri që bëri nder shekuj për bijtë e saj. Bëri aq sa mundi, që nga qeveria e Ismail Qemalit e deri tek kjo e Salih Berishës. Nëna Shqipëri, pranoi dhe u dha strehë bijve të saj, i ndihmoi ata me bukë e kripë, me përkrahje morale e materiale, më ngritjen e fuqishme të zërit, për të na mbrojtur, me vepra konkrete, po për aq sa ishin mundësit e saj. Ajo nuk i mohoi bijtë e vet as një herë, dhe u përpoq që obligimet të ligjshme t’i kryej me nder ndaj popullit të saj, mbetur peng të hipotekave të fuqive të mëdha, madje të ndarë edhe nga trungu i vet. Sot mes Shqipërisë dhe Kosovës u thye edhe një mur në Evropë, që ishte vu, si ai i Berlinit dikur, pra u thye muri që Serbia kishte ngritur mes popullit shqiptarë për rreth një shekull me radhë- URIME SHQIPËRI, URIME SHQIPTARË! 
Nuk duhet të harrojmë as edhe një herë, bijtë e bijat më të mirë të kombit, që gjakun e tyre të njomë e derdhen në altarin e lirisë së atdheut; Ushtria Çlirimtare e Kosovës i vuri themelet përfundimtare të lirisë së Kosovës, liri kjo e përpjekjeve tona shekullore, që mbi kështjellën e vet si simbol mbanë të bardhë si dëborë plisin e Komandantit Legjendar Adem Jashari! 
Për as një çast nuk duhet harruar miqtë tanë të botës përparimtare, të cilët ngritën fuqishëm zërin e arsyes për të mbrojtur popullin shqiptarë të Kosovës nga gjenocidi dhe shfarosja, që aparati diktatorial i pushtetit Serb- Millosheviqian po ushtronte mbi ne. 
Bota përparimtare mbështetur fuqishëm nga forcat alete në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglisë, Francës, Gjermanisë dhe tërë Evropës, më në fund shqiptarëve ua njohën të drejtën për të jetuar të lirë në tokat e veta, dënuan pushtuesin Serb gjakatar, dhe kështu sollën në vend të drejtën morale e cila ishte shkelur para më se një shekulli, me të dyja këmbët, po nga vet disa prej këtyre fuqive të mëdha! 
Ky gabim u përmirësua, pa çka se haraçin e madh e paguan shumë shtrenjtë shqiptarët! Kosova, sa herë që do të kujtojë pavarësinë e saj, për herë e me respektin më të madh për qëndrimin e tyre njerëzor përballë çështjes sonë kombëtare, do të kujtoi: Bill Klintonin, Toni Blerin, Medlin Ollbrajt, Xhorxh Bushin, Uesli Klarkun, Ulliam Walkerin, Shein, Hollbrukun, e dhjetëra personalitete tjerë të botës së lirë e të civilizuar dhe demokratike, që dhunës serbe i prenë rrugën. 
Sot Shqipëria dhe Kosova kanë për obligim dhe detyrim moral, demokratik e kombëtar, që vëllezërit tanë, të mbetur ende peng i kohës, t’i mbrojnë e t’i përkrahin në të drejtat e tyre legjitime për të jetuar të lirë e të pa cenuar në tokat e tyre, t’i përkrahin në të drejtën e tyre në shkollim, emancipim…

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …