(Me rastin e zgjedhjeve të fundit në Kosovë)
Në Gjilan, në Prizren e në Lipjan u mbajtën zgjedhjet lokale, madje për të tretën herë më radhë! Është për t’u përshëndetur fakti që për të satën herë populli ynë po tregon shembullin më të mirë të mundshëm të pjekurisë së tij politike, jo vetëm në rajon! Në këto zgjedhje, si edhe më parë, elektorati shqiptar me respektin më shembullor të rregullave të lojës demokratike u përcaktua për atë që e dëshiroi. Sovrani i votës së lirë shprehu vullnetin e tij për të zgjedhur më të mirët në mesin e më të mirëve, madje për të tretën herë(!)- në mos të paktën kështu rezultoi nëpërmjet votës. Ky shembull inkurajon, duke treguar anën më pozitive të medaljes se ne duam, dimë, mundemi dhe dëshirojmë të bëjmë shtet, kemi kulturë politike, i njohim rregullat e lojës dhe sovrani popull, më në fund e meriton – Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, përfundimisht dhe asgjë më pak se kaq!
Urime dhe me fat PDK!
Që në fillim u vërejt se kjo fushatë do të tentojë të rikthejë në skenë metodën e fushatës së kohërave të shkuara titiste-komuniste, kur me çdo kusht kërkonin votën dhe pushtetin! Kjo metodë ishte tejet e mundimshme për qytetarin tonë, që kishte përjetuar terrin e plotë në shumë fusha të jetës për decenie me radhë! Vetë figura gërmadhë e titistit Rexhepi flet më shumë se çdo koment, por në këtë mes më mbeti e pazbërthyer figura e mistrecit Isufi, në mos ishte viktimë e diktatit nga subjekti i tij. Paraprakisht në esencë këto figura mbetën shabllon i së kaluarës, pavarësisht nga tentimet që në formë të duken si të moderuar. Është shumë mirë, që ata nuk mund të transformohen dot, dhe si të tillë ata pashmangshëm dhe përfundimisht do të duhej të iknin dhe t’i takonin të kaluarës së mallkuar, dhe vetëm asaj!
PDK, në këtë fushatë ishte shumë më lart se subjektet e tjera që po garonin. Ishte më lart në kuptimin e përgatitjes për të hyrë në këtë fushatë, ishte më lart për një gamë të madhe në paraqitje me takt e kulturë para elektoratit, ishte më lart me përfaqësimin e saj në të gjitha nivelet zgjedhore, më lart me përmbajtje dhe me mençuri, ishte me koncept të qartë, me premtime deri diku të balancuara dhe të bazuara, me sjellje tejet domethënëse e premtuese, dhe definitivisht ishte më larg arrogancës dhe fjalorit të rrugaçërisë, që subjektet e tjera të papërgatitura për një maratonë të gjatë, më në fund u bënë konak edhe sharjeve dhe etiketimeve më të pahijshme për misionin që pretendonin ta bartnin para elektoratit dhe popullit në përgjithësi. PDK, ishte lart, ngase kandidatët e saj nuk kishin si hipotekë mbi kurriz bagazhin e së kaluarës moniste, të cilët do të hiqeshin edhe zvarrë si kërmijtë për të marrë votën me çdo kusht! Jo. PDK- çdo herë i pranoi rezultatet, ajo çdo herë i respektoi vendimet e KQZ-së dhe të GZAP-it, megjithëse e vetëdijshme se këto vendime po prishnin imazhin e këtyre zgjedhjeve, e vetëdijshme së këto vendime po dëmtonin rëndë buxhetin e konsoliduar të Kosovës, e vetëdijshme së këto vendime (të yshtura edhe nga ndonjëri faktor dashakeqës ndërkombëtar), po sfidonin pikërisht aftësinë tonë kombëtare për të qenë të zotët që të mbajmë dhe të përfundojmë me sukses zgjedhjet e lira dhe demokratike, qofshin ato lokale, apo qendrore. PDK, me gjithë shantazhet e bllokut opozitar, që u sul me tërë fuqinë e tyre të mbrapshtë: “O tani, o kurrë!”, nuk humbi besimin dhe ekuilibrin e të qenët në garë elektorale, dhe këto shantazhe nuk ishin të pakta, nuk ishin të dobëta dhe nuk ishin pa mbështetje edhe nga jashtë!…
Janë faktet kokëforta që sqarojnë se veprimet adoleshente dhe donkishotiane të Lutës me shokë bënë që kuota e tyre të pësojë rënie rapide të vazhdueshme, duke u nisur nga shumë fakte, por më shumë nga fakti kur ai filloi të “dredhë bishtin e të kërcënojë” koalicionin qeverisës, duke dashur që miu të frikojë elefantin!… Kërcënimi i Lutës herë me “armë” e herë me prishje koalicioni u bë si një zhurmë teneqeje që me gërvishtjet e saja rutinë, sikur lëndon veshin e qytetarit, kështu që kjo filozofi prej teneqeje e Lutë fukarasë me shokë, sikur ndihmoi fundin e kësaj odisejade kaq aventureske dhe të pakuptimtë! Së fundi është imperativ i kohës që të kuptojnë se e gjithë pesha e partive të tjera politike në Kosovë, peshuar në kandarin e filozofisë, nuk ia prishin PDK-së terezinë e kafesë!
Hileja mbetet hile dhe pavarësisht nga avancimi i saj me metoda të sofistikuara, ajo prapë mbetët hile, dhe thoshim ne dikur, kur ishim të vegjël: hileja nuk ndihmon! Mendoj se nuk ka filozofi më të qëlluar. Në këtë vegsh gjelle ishin të përziera gati të gjitha strukturat vendimmarrëse, që kësaj radhe, të gjitha së bashku (si në kor), dëshironin ta gjunjëzonin PDK-në! Pra filozofia popullore doli së është më e saktë: hileja nuk iu ndihmoi dhe kurrë nuk ka për t’ju ndihmuar, ngase është diçka e kundërligjshme, e kundërnatyrshme, joetike dhe aspak morale. Po ku ka ndodhur në botë që në zgjidhje lokale të rivotohet tri herë me radhë (!?) vetëm e vetëm për t’i përmbushur ambiciet e ulëta të personave të caktuar për pushtet të pafund! Jo askund. Të paktën të na e thotë dikush nëse e di vetën një rast të tillë për këtë fenomen të padëgjuar historik në botën demokratike! Kjo nuk do të na habiste sikur të kishte ndodhur në Kinën e Maos, në Rusinë e Stalinit, në Jugosllavinë e Titos, në Kubën e Kastros, në Iranin e Ahmedinaxhad! A nuk është kjo maja e majës së një absurdi që ka ndodhur sot në Kosovën demokratike me një shoqëri e sistem pluralist të mbikëqyrur nga përfaqësuesit e mbi njëzet shteteve ndërkombëtare, të cilët hiqen me një traditë shumë të gjatë pluraliste?! Në mos dikush do të përpiqet të na bindë se kjo formë e dhunimit të votës së lirë për Kosovën është e shëndetshme?!… Dhe krejt në fund: kush do t’i paguajë të gjitha ato mjete që u shpenzuan kot e kot nga buxheti i Kosovës? Kush do ta riparojë zhgënjimin dhe lojën me votën e lirë? Kush do ta marr përsipër mekanizmin e terrorit moral e shpirtëror që iu bë votuesit tanë? Kush do ta shpaguajë imazhin e vrarë të këtyre zgjedhjeve që kishin një nismë shumë të mbarë? Kush do ta bartë tërë këtë papërgjegjësi të kësaj maskarade të ripërsëritjes së zgjedhjeve deri në pakufi, kur vota e sovranit në të tria rastet ishte shumë e qartë dhe bindshëm në favor të PDK-së. E gjithë kjo në botën demokratike ka një kosto, dhe ka bartësit e përgjegjësive të këtij skandali që në këtë rast do të duhej ( nëse ekziston institucioni i moralit diku) të pasonin me dorëheqjet e parevokueshme të të gjithë atyre aktorëve të inkriminuar, po edhe t’u kërkohet përgjegjësi penale para ligjit, pse jo, para votuesit dhe para popullit të Kosovës, të cilit ia përdhunuan votën e lirë tri herë radhazi për teke dhe qejfe të vasalëve modernë!