Mehmet Bislimi: LDK-ja plëngprishëse

 


Ikën gati dy decenie që kur u formua Lidhja Demokratike e Kosovës. Faktikisht ky subjekt në esencë nuk ka ndryshuar asnjëherë, mbarsur me njëmendësinë e vet ideologjike, madje as në formë, mbeti po ajo që ishte: besnike e ideologjisë moniste, parti e linçimit, parti plëngprishëse, parti bërrylash e kurthesh, parti që kurrë nuk u rreshtua me kohë në të mirë të interesave të popullit, parti që ngriti kulte si në kohën e sistemeve moniste, parti që hëngri bijtë e vet, parti që dëmtoi Kosovën dhe interesat e popullit tonë në kohët më të vështira, parti me pozicion të paparashikuar, parti e papërgjegjshme, parti që së fundi flaku edhe liderin e saj së bashku me “filozofinë” e tij si në leckë në emër të të cilit janë zhgërryer kaq kohë!>>>


LDK- nuk zgjedh mjete për të ardhur në pushtet, megjithëse metodat makiaveliste i kanë takuar një kohe tjetër më të errtë se kjo jona, prandaj edhe nuk janë i vetmi mjet për t’u hequr zvarrë shkallëve të hierarkisë partiake zotërinjtë LDK-së! Veprimet e fundit që po ndodhin në këtë subjekt nxorën në shesh kundërmimin e mykut të këtij subjekti që kishte zënë vend që herët nën rrogozin e saj.


Tani së fundi, kundërthëniet mes pretendueseve të brendshëm të këtij subjekti që synojnë hierarkinë r partisë, nxorën sheshit shpirtngushtësinë e tyre në fakt ata zhgënjyen jo pak simpatizuesit e tyre fanatikë e naivë, të cilët për vite të tëra nuk kanë dashur të shohin dhe ta besojnë një realitet të tillë, ani pse kaq dëshpërues për ta.


LDK-ia, qysh në ditët e para të saj, kishte filluar t’i hante bijtë e vet, në fakt kjo parti hëngri edhe disa prej figurave të kombit që ishin mjaft me peshë, e që me bagazhin e vet kombëtar kishin ndihmuar LDK-në për të bërë emër, por që më vonë qëndrimi i tyre atdhedashës u bë pengesë për këtë subjekt i cili dëshironte të meditonte në rrugët e saja të kotësisë dhe vetëm kaq, por jo më shumë. Fillimisht, LDK-ja eliminoi Ukshin Hotin, Halil Alidemën, Isa Kastratin, Muhamet Pirrakun etj., pastaj linçoi edhe themeluesit e saj, si: Mehmet Krajën, Jusuf Buxhovin, Ali Aliun, Rexhep Gjergjin, Ibrahim Berishën, Mujë Rugovën etj., mohoi Nikë Gjeloshin, Anton Kolën, Edi Shukriun, Edita Tahirin, e dhjetëra të tjerë si Ali Lajçin me shumë ish-shokë të cilët mëkatonin me faktorin kohë duke vendnumëruar në gjirin e këtij subjekti e disa vërtet po vendnumërojnë edhe sot e kësaj dite. Realisht, këto figura kishin bërë shumë për këtë subjekt, pa emrin e të cilëve LDK-ë nuk do të kishte mbijetuar deri më sot.


E tillë, çfarë edhe është, LDK-ia ndër vite vazhdoi rrugën e përçarjes deri te ditët e sotme kur edhe doli nga koalicioni i Qeverisë së Kosovës pa u skuqur fare në një kohë kur pas vendimit të GJND-së dhe pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kosovës i duhej një unitet i dëshmuar para popullit edhe para faktorit ndërkombëtar. Për hir të çështjes, kur po prisnim me dhjetëra njohje të reja, ky subjekt do të duhej të përballonte, po qe edhe i varur në litar, për të dëshmuar kështu orientimin e vet atdhetar! Jo, kjo nuk mund të ndodhte, pikërisht për shkak se LDK-së i mungon dhe i ka munguar gjithnjë përkushtimi atdhetar. Këtë të ligë ky subjekt e ka dëshmuar sa e sa herë: në një kohë kur nga pushtuesi serb mbylleshin shkollat tona në Kosovë, LDK- grinte sallatë me “Shën Egjedion!”, ajo nuk i mbështeti punëtorët kur milicia serbe i përzuri nga puna, ajo u solidarizua atëbotë me shpalljen e “Republikës së Kosovës” tek pas tri ditëve, pasi që e kishin shpallur delegatët e ish-KSAK-së, ajo nuk i mbështeti publikisht minatorët, nuk u solidarizua me protestat e nxënëseve për mbrojtjen e shkollave, pranoi të ulej në bisedime me “delegacionin” serb të cilit i printe Bajramoviq Sejdo (!), ajo kërkonte që të mbeteshim nën ish Federatën Jugosllave, ajo trumbetonte nënshtrimin duke bërë apel për çdo të “xhuma”, që të mos provokohen forcat serbe, ajo nuk i mbrojti policinë e Kosovës, ajo mohoi “Ministrinë e Mbrojtjes”, kreu i saj kërkoi FBI-në dhe INTERPOL-in për të zbuluar pjesëtarët e UÇK-së, nuk u solidarizua me luftëtarët e lirisë të radhitur nën flamurin e UÇK-ës, për më shumë formoi FARK-un, që përbëhej prej disa bashibozukëve të cilët ia dorëzuan armët Serbisë(!), shkoi edhe më tej duke i akuzuar forcat çlirimtare si dorë e zgjatur e Serbisë, kreu i saj nga Beogradi kërkoi të ndalen bombardimet e NATO-s mbi Serbinë e gjakatarit Milosheviq, ky subjekt nuk e njohu QPK-në, kështu neglizhoi dhe pengoi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, shkeli Kushtetutën e Kosovës në mënyrën më të papërgjegjshme, zhgënjeu miqtë tanë ndërkombëtarë dhe fare në fund iku nga koalicioni qeverisës në një kohë kur priteshin me dhjetëra njohje të reja për shtetin e Kosovës.


Me dalje nga koalicioni LDK Kosovën dhe institucionet e vendit i futi në kolaps politik, me këtë veprim frikëson dhe neglizhoi investitorët vendor dhe të huaj, me ç’rast dëmtohet biznesi, i hapet rrugë anarkisë krijohet imazhi negativ për shtetin e ri që kemi pritur më se një shekull ta ndërtojmë, të cilin LDK, me vetëdije ose pa të, dëshiron ta destabilizojë, veprim ky që i shkon aq mirë për shtati vetëm pushtuesit Serb!…


Kërkesat e përsëritura për prishje të koalicionit, fillimisht të bartura nga Fatmir Rexhepi, por që nuk dihet nga cili shtet janë iniciuar e dirigjuara, pastaj nga Lutfi Hairi, kur edhe mbylli gojën me kundërpeshën e postit të ministrit, nga Melihate Tërmkolli, e cila iku e djegur pa iu dhënë rasti  që këtë katrahurë ta përjetonte sa ishte vetë në gjirin e LDK-së! Shpresojmë që Fatmir Rexhepi ta ketë realizuar me sukses dëshirën e Serbisë për të futur institucionet e Kosovës në një rrugëkryq pa dalje. Prishjen e koalicionit nuk është kaq e thjeshtë, duhet vënë mekanizma të tërë në veprim nga organizimi i brendshëm, si: zgjedhje të jashtëzakonshme, kjo çështje krijon jostabilitet të brendshëm, zbeh shpresat dhe besimin e miqve tanë ndërkombëtarë se ne do t’ia dalim për të bërë një shtet të qëndrueshëm, forcon dhe trimëron pozicionin e Serbisë, të Rusisë dhe të kundërshtarëve të shtetit tonë më të ri, zbeh presionet e ndërkombëtare dhe gatishmërinë e shteteve të tjera për ta njohur shtetin tonë, krijoi një realitet të ri dhe të pakëndshëm për Kosovën duke lëvizur nga pozitat dhjetëra ministra, zëvendësministra, sekretarë, drejtorë, përgjegjës të tjerë, ambasadorë, konsuj, të cilët janë emëruar mbi baza partiake, provokon trazira ashtu siç po i provokojnë ata vetë në Kodrën e Trimave, kësaj radhe të “Trimave të LDK-së!” , ata sot po merren me demonstrata, grafitë, banderola e veprime të tjera të papërgjegjshme në një kohë kur kurrë nuk kanë guxuar ta bëjnë as edhe një demonstratë, as edhe një grafit, as edhe një banderolë në dëm të pushtuesit serb! Dhe krejt në fund, ky veprim i LDK-ës, më së shumti i shkon përshtati Serbisë, Rusisë dhe bllokut të lindjes që nëpërmjet mekanizmave të vet të krijojnë imazhin e një Kosove që prodhon kriza, pasiguri, dhe konflikte në rajon.


Tanimë është detyrë mbi detyra që elektorati ynë kësaj radhe me përgjegjësinë maksimale, atdhetare e intelektuale, Kosovën ta shpëtojë njëherë e përgjithmonë nga të papërgjegjshmit e LDK-së, pra që me anë të institucionit të votës së vet të shpëtojnë vendin tonë nga këta plëngprishës.

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …