Në Zvicër, së bashku me shokët e organizatës, kemi mbajtur me dhjetëra tubime organizative, mobilizuese dhe tjera. Kemi mbajtur edhe mbledhje të karakterit organizative kombëtar, ku janë marrë edhe qëndrime, madje janë mbajtur edhe shumë demonstrata, ku para qarqeve ndërkombëtare janë shtruar kërkesa të qarta për zgjidhjen e fatit tonë kombëtar.
Janë mbajtur me dhjetëra demonstrata tjera të thirrura nga organizata e LPK-ës, si në Cyrih, Bernë, Gjenevë, ku edhe kemi dorëzuar Peticion në Selinë e OKB-ës, unë: Mehmet Bislimi, Bardhyl Mahmuti dhe Naim Mala.
Pashkëputur, kemi mbajtur me dhjetëra tubime që nga Anglia, Norvegjia, Suedia, Danimarka, Finlandë, Holandë, Luksemburgu, Belgjika, Francë, Gjermani, Zvicra, Austri, Itali, madje edhe në Amerikë e Australi. Konsideroj së jemi përpjekur për të kryer detyrat tona në shërbim të atdheut- kaq dhe vetëm kaq pa asnjë interes tjetër personal.
Me të mbërri në Zvicër, së bashku me shokët kemi filluar me angazhimin tonë në shërbim të çështjes sonë të pazgjidhur. Më vonë, kemi mbajtur Mbledhjen e 5 të Përgjithshme të LPK-ës, pastaj atë të 6-të e kështu me radhë, duke i konsoliduar radhët e organizimit. Duke qenë se isha edhe anëtarë i Këshillit të Përgjithshëm dhe më vonë edhe i Kryesisë së përkohshme të organizatës, kemi marrë obligime të rëndësisë së veçantë, duke dhënë gjithçka nga vetja, deri edhe futjen brenda në Kosovë përkrah luftëtarëve të lirisë. Mendojë së nuk ka pasur gjë më të bukur së ato ditë të lavdishme që kemi prekur me dorë tokën mëmë, dhe luftëtarët e lirisë së atdheut tonë të përbashkët!
Në vazhdim… mençuria dhe gatishmëria për t’i dalë zot atdheut, duhet të dëshmohet kur atë e kërkon koha dhe interesi i atdheut, dhe jo pas kohe. Pra ishte kohë lufte kur atdhedashësit trima, hodhën armët e lirisë krahut, dhe iu përgjigjen kushtrimit të atdheut, dhe tani kur lufta iku… nuk ka më vend për rrahagjokseje!
Katërçipërisht, ky është absurdi i kohëve të sotme, rrahagjoksit nuk pushuan as njëzetë vite pas lufte, së e bëri ai apo ky “historinë!”…
LPK, kishte kërkuar mbështetjen e popullit dhe bijve më të mirë për të vepruar në interes të atdheut, dhe kundër interesit dhe synimeve të pushtuesit Serb, duke e paguar edhe me gjak çmimin e lirisë së atdheut. LPK, nuk jetonte në iluzione siç po u pëlqente një pjese tjetër (prese jo), përderisa krijuan iluzionin së lirinë do të na e sjellin të tjerët në pjatë, e kujt nuk do t’i pëlqente kjo, që liria të vinte dhuratë nga qielli!?
Po, tamam iluzion, fati i iluzionistëve është shikimi i filxhanit, fallit, ëndrrat që ata i shihnin natën, dhe i komentonin ditën nëpër kafenetë e qytetit…
Ëndrrat dhe iluzionet, nuk janë më shumë së fati i të dobëtëve, prandaj LPK, nuk kishte iluzione, nuk ëndërronte por vepronte në teren që lirinë e atdheut ta bënte realitet.
Ne, para së gjithash, duhet të jemi korrekt, të arsyeshëm dhe të guximshëm për ta thënë të vërtetën, pavarësisht nëse ju pëlqen të tjerëve apo jo. Parimi më elementar i të drejtave të njeriut është të shprehurit e lirë në kohë dhe me kohë!
E kemi thënë edhe atëherë, po e themi prapë; nuk ka dhe nuk ka pasur shtet të pushtuar në botë, që ka fituar lirinë duke bërë sehir, duke medituar e duke pirë!… jo edhe një herë jo, liria e çdo shteti ka tagrin e vet, natyrisht së edhe Kosova e ka paguar këtë, madje shumë shtrenjtë. Kjo nuk do shumë koment, po shihen shumë qartë sjelljet e Serbisë, madje edhe tani pas 20 e sa vitesh!
LPK, kishte atdhedashës në gjirin e vete, të cilët e kishin dhënë shembullin e vet të sakrificës, dhe atë me dhjetëra herë- dallimi mes një figure që me vetëdije të plotë sakrifikon për atdhe, dhe i një tjetri, që me vetëdije të plotë i përshtatet dhe nënshtrohet rrethanave të pushtimit, është dhe mbetet një lum i madh… Ky pra është dallimi mes figurave historike, dhe atyre që mundohen t’i servohen historisë!
Gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, ne shokët e organizatës, kemi kryer detyra me përgjegjësi, kemi qenë edhe pjesëmarrës të luftës çlirimtare, pra, as gjë më shumë së të tjerët shokë e luftëtarë të lirisë. jemi përpjekur t’i kryejmë obligimet ndaj atdheut, që është obligim yni kombëtarë.
Takimet me mërgimtarët, kanë qenë të nivelit mobilizues në ndihmë të çlirimit të atdheut, nuk ka vend në Evropë, Amerikë, madje edhe në Australinë e largët, që nuk kemi qenë prezent. Në rrafshin Diplomatik, po ashtu janë përpjekur maksimalisht me gjithë kapacitetin e tyre anëtarët e sektorëve të veçantë- për kushtet e asaj kohe.
Veprimi klandestin
Lëvizja Popullore e Kosovës në rrethana të pushtimit, ishte e shtrënguar të vepronte në mënyrë klandestine. Madje edhe në perëndim në shtetet përkatëse ku ajo vepronte. LPK, nuk lejohej të vepronte si organizatë politike. Ish shërbimet e UDB-ës, bënin presion kudo në ato shtete ku LPK vepronte, që kjo organizatë të shpallej e ndaluar, ilegale- pra jashtë ligjit! Fatkeqësisht, këtë UDB-ja e atëhershme, në shumë shtete të perëndimit e kishte arritur, madje edhe kishte likuiduar me atentat disa nga atdhetarët tanë të devotshëm, emra e veprimtarë me nam, si Jusuf e Bardhosh Gërvallën, Kadri Zekën, Enver Hadrin, Musa Hotin e të tjerë.
Gjatë gjithë luftës sonë çlirimtare, LPK, nuk kishte kursyer asgjë për të arritur aspirata tona shekullore. Tani, diku nga fund maji i vitit 1999, Këshilli i saj i Përgjithshëm (mbledhur në Bazel), kishte caktuar një këshill, në përbërje me Ibrahim Kelmendin, Xhevat Bislimin, Ramiz Lladrovcin, Halil Selimin, Mehmet Bislimi, dhe Jakup Krasniqi nga brenda vendit, për ta transformuar LPK-në, në subjekt, që do ta përfaqësonte UÇK-ën, politikisht.
Madje, ishin ndarë edhe detyrat. Ishte caktuar që mbledhja do të mbahej në Tiranë me 20 qershor. Me këtë rast, Naser Idrizi ishte ngarkuar që në Tiranë të përgatisë shërbimet logjistike të kësaj mbledhje, ku do të ftoheshin edhe Komandantet e Zonave, ose përfaqësuesit e tyre nga vija e frontit në Kosove etj. Këtë iniciativë transformimi, në mënyrë të Veçantë e kishin shtyrë Xhevat dhe Mehmet Bislimi.
Me 11 qershor 1999, Serbia, pranoj kapitullimin e saj, nënshkroi “marrëveshjen e Kumanovës”, para faktorit ndërkombëtarë. Në vazhdim, LPK, nuk e ndryshoj qëndrimin e vet, këtë mbledhje e mbajti me 20 qershor, veçse kësaj radhe në Prizren. U mblodhën aty Komandantët e Zonave, anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, Drejtoria e saj politike dhe Shefi i saj z. Thaçi.
Mbledhja filloj punimet, pro Shefi i Drejtorisë Politike të UÇK-ës, z. Thaçi nuk pranoj që të vihej në krye të këtij subjekti (ishte e qartë, ai ishte ende përfaqësues ushtarak!), dhe kjo nuk e lejonte atë të kalonte në krah politik.
Atë ditë, një pjesë e organizatës, nuk pranoj që të kaloj në këtë subjekt politik, ata vazhduan, ta themi, si një lloj fraksioni i LPK-ës, që do të vazhdonte më tutje, ishin; Fazli Veliu, Gafurr Elshani, Ali Ahmeti, Emrush Xhemaili, Murat Bytyqi e të tjerë.
Atë ditë u themelua si të thuash Këshilli Nismëtarë i Subjektit, i cili u quajt Partia e Progresit Demokratik të Kosovës, PPDK, të cilës i priu Bardhyl Mahmuti, deri në mbledhjen e saj të konsolidimit, ku u zgjodhën Organet e saja mandatare, në krye me Hashim Thaçin, subjekt ky që u pagëzua përfundimisht me emrin Partia Demokratike e Kosovës- PDK.
Kjo ishte pak a shumë, përpjekja për transformim të LPK-ës, në krah politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila do ta kishte subjektin e vet pasues politik, Iniciativë kjo e cila nuk u realizuar asnjëherë në tërësinë e saj.
LPK, më vonë doli edhe si subjekt politik me vete, garoj në konkurrencë vlerash politike me rastin e zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë- fatkeqësisht, nuk u rendit lartë, mbase si pasojë e njëmendësisë së bartësve të saj, dhe shantazheve tjera- mendimi im. Ka vite që LPK, si subjekt politik në Kosovë është në një farë forme pasive!…
Nga e gjitha kjo, aktualisht në Kosovë, me këtë emër vepron “Shoqëria Lëvizja”, e cila ka edhe një dritare- portal elektronik që përditësohet po me këtë emër, të cilës i prinë Xhevat Bislimi.
Atë kohë LPK, krahas transformimit në krah politik, kishte vendosur edhe transferimin e saj në Kosovë, ku solli arkivin e gazetës “Zëri i Kosovës”, madje në Kosovë nxori edhe disa numra të saj. U kthyen inventari, arkivi i saj dhe njerëzit u përkushtuan për punë. Por që nuk iu qëndruan shantazheve, intrigave dhe linçimeve tjera të cilat ia pamundësuan jetëgjatësinë e saj të veprimit!
Zvicër, dhjetor 2022