(Me rastin e 30 vjetorit të mbajtjes së saj)
Lëvizja Popullore e Kosovës, duam apo jo, ishte e para që pati guximin ta ngritë zërin dhe të marrë hapa konkret për çlirimin e vendit. Ishte e para që luajti rolin e një subjekti politik të pandikuar, vigjilente dhe largpamës. Ky subjekt ishte sovran në vendimet e veta, kishte program dhe statut, kishte struktura të organizuara, kishte hierarki dhe sektor të rëndësisë së veçantë, kishte përgjegjësi dhe llogaridhënie. Ky subjekt, kishte edhe (organin e vet) gazetën e saj javore, “Zërin e Kosovës”. LPK, ishte e para që kërkoj lirinë dhe bashkimin e plotë të tokave shqiptare të pushtuara nga ish Jugosllavia dhe Serbia dhe fqinjët tjerë grabitqar, duke mos përjashtuar asnjë veprim për të filluar mobilizimin për çlirimin e vendit- që nuk përjashtonte as luftën e armatosur për çlirim e bashkim kombëtarë.
Në një kohë kur një pjesë e partive tjera që u formuan më vonë në Kosovë, rreshtuar krahë LDK-ës, këto së bashku, mohuan në vazhdimësi opsionin e luftës për liri, duke treguar kështu mosgatishmëri për t’i dalë zot atdheut.
“Filozofia politike” e të cilave ishte; qetësi dhe nënshtrim para pushtuesit, me moton e durimit dhe të mos provokimit të pushtuesit Serb!…
Ndërkaq, LPK, vazhdojë së zbatuari objektivat e saja, pavarësisht çka thanë të tjerët atëherë dhe tani. LPK, krijoj dhe shtriu strukturat e radhëve të armatosura që u pagëzuan si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në radhët e së cilës u rreshtua bijtë dhe bijat më të mirë të popullit tonë liridashës.
Në vitin 1992, GOR-i, me urdhër të Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të LPRK-ës, atëbotë filloi organizimin dhe riorganizimin e radhëve të saja edhe për rrethin tonë. Pak ditë pas mbledhjes, që ishte mbajtur paraprakisht në shtëpinë time, ku morën pjesë gati të gjithë ish të dënuarit politik të Komunës së Skenderajt, si: Murat Musliu, Murat Dauti, Bislim Bajrami, Elmi Zeka, Enver Haliti, Ahmet Tahiri, Ramadan Dobra, Gani Koci, Miran Demiri, Ramë Rama, Sali Maliqi e shumë tjerë.
Mbledhja e radhës u mbajt në shtëpinë e Sami Lushtakut me 1992, ku ishin të pranishëm Ramadan Avdiu, Hashim Thaçi, Mehmet Bislimi, Elmi Zeka, Jakup Nura, Sami Lushtaku, Ilaz Kodra, Rrahim Rama dhe të tjerë që kam mundur t’i harroj. Aty u mor vendim që organizatës bazë t’i propozohet formimi i krahut politik dhe atij luftarak. Elmi Zeka prezantoi Këshillin e Rrethit tonë në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme të Organizatës së LPRK-ës, që është mbajtur në tetor 1991, në Ujëmir të Drenicës në shtëpinë e Ukë Shalës ku morën pjesë delegatë nga këshillat e LPRK-ës, si: Muhamet Mehmeti, Xhavit Haziri, Bahri Fazliu, Emrush Xhemajli, Halil Selimi, Xheladin Gashi, Ramadan Avdiu, Ibish Neziri, Ahmet Haxhiu, Ali Lajçi, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Gani Syla, Ilaz Kadolli, Beajdin Allaçi e të tjerë. Në këtë mbledhje u aprovuan ndryshimet programore dhe statutare, u zgjodh Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia e LPK-ës, si dhe kryeredaktor i “Zërit të Kosovës”, Avni Dehari.
Me 28-29 korrik 1993, në Kodrën e Trimave, Prishtinë në shtëpinë e Fatmir Brajshorit, mbahet Mbledhja e IV-ët e Përgjithshme e LPK-ës, me pjesëmarrës: Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Halil Selimi, Adnan Asllani, Hashim Thaçi, Gjeladin Gashi, Mehmet Bislimi, Isa Krasniqi, Fatmir Brajshori, Shaqir Selimi, Ejup Thaçi, Daut Rexhepi, Xhemail Rudi dhe të tjerë delegatë e drejtues nga tereni. Nga delegatët e LPK-ës jashtë vendit, kanë qenë pjesëmarrës: Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Beqir Beqa, Sabri Kiçmari, Bilall Sherifi e të tjerë. Në mbledhje bëhen ndryshime programore e statutare.
Në Program tekstualisht aprovohet si mjet i arritjes së qëllimit lufta e armatosur për çlirimin e Kosovës (me viset shqiptare në ish-Jugosllavi). Aprovohet rezoluta sipas të cilës lufta e armatosur duhej të ishte prioritet i veprimeve të LPK-ës. Ndërsa emri i LPRK-ës u ndërrua në LPK, pra Lëvizja Popullore e Kosovës.
3 gusht 1993, Okupatori Serb, arreston një pjesë të veprimtarëve të LPK-ës. Në mesin e tyre edhe disa drejtues të saj si: Xhavit Hazirin, Binak Berishën, Ahmet Haxhiun, Bajrush Xhemajlin, Sanie Aliun, Ismet Mahmutin, Ramadan Pllanën, Hajredin Hysenin, Beajdin Allaçin, Rexhep Avdiun, Ilaz Kadollin etj.
Pjesa e dytë e vitit 1993 : Një pjesë e veprimtarëve të LPK-ës kalojnë në Shqipëri dhe diasporë. 1994, konsolidohet grupi i gazetarëve të “Zërit të Kosovës” në Prishtinë në përbërje me Nezir Myrtën, Nuhi Paçarizin, Merxhan Avdylin dhe Besim Zymberin. Ndërsa në Tiranë angazhohet Shaban Sinani dhe Naim Zoto.
Mbrojtja e së vërtetës
Mbrojtja e së vërtetës, para së gjithash është kod moral dhe obligon të gjithë, kjo veti fisnike ndërgjegjëson njerëzit, pavarësisht rrethanave që mund të ndodhemi, e vërteta duhet thënë edhe atëherë kur është e ndaluar! E vërteta përjashton gënjeshtrën dhe mbron realitetin, për fatin tonë të mirë, sot nuk mund të të dënojnë kur e mbron të vërteten. Dikur, për këtë shqiptarët kanë mbajtur vite të tëra burgu, vetëm e vetëm pse kanë mbrojtur të vërtetën e madhe, kanë mbrojtur të drejtën për liri e bashkim kombëtar, të drejtën tonë për jetë, të drejtën tonë për fjalën e lirë dhe të drejtën për shtet ndërtim.
Në LPK, së bashku me shumë atdhe e liridashës, isha i angazhuar që herët, po ceki këtu vetëm Mbledhjen e IV të Përgjithshme të LPRK-së, atë kohë, që është mbajtur me 28/29 korrik të vitit 1993 në Prishtinë, kjo nuk ishte pa sakrificë, ngasë po të denoncoheshim, pasonte rezistenca me armë kundër policisë Serbe, dhe ne ishim të armatosur, pra nuk ishim në atë mbledhje që të dorëzoheshim, por që të merrnim vendime të mëdha, natyrisht edhe të jepnim të parët shembullin e rezistencës!…
Sot, dikush, edhe mund të bëj humor të zi, por kjo ka ndodhur edhe më parë, si me rastin e rrethimit të Dëshmorëve të kombit Bajram Bahtiri, pastaj Nuhi Berishës e Rexhep Malës, Afrim Zhitiu e Fahri Fazliu, Hasan Ramadani e deri tek rezistenca e Tahir e Nebih Mehës e kështu me radhe. Prandaj mbrojtja e së vërtetës, para së gjithash është kod moral dhe obligon të gjithë atdhedashësit e vërtetë.
CH-11-07-2024
Mehmet Bislimi