Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Mbrojta e së vërtetës është kod moral

Mbrojtja e së vërtetës, para së gjithash është kod moral dhe obligon të gjithë, kjo veti fisnike ndërgjegjëson njerëzit, pavarësisht rrethanave që mund të ndodhemi, “ E vërteta duhet thënë edhe atëherë kur është e ndaluar!”- thotë urtësia popullore. E vërteta përjashton gënjeshtrën dhe mbron realitetin, për fatin tonë të mirë, sot nuk mund të të dënojnë kur e mbron dhe e thua të vërteten. Dikur, për këtë shqiptarët kanë mbajtur vite të tëra burgu, vetëm e vetëm pse kanë mbrojtur të vërtetën e madhe, kanë mbrojtur të drejtën për liri e bashkim kombëtar, të drejtën e tyre për jetë, të drejtën e tyre për fjalën dhe mendimin e lirë! Duke mbrojtur të vërtetën, krijon armiqësi me gënjeshtarët dhe intrigantët, kjo është e shëndetshme dhe i bënë mirë mjedisit shoqërorë. Gënjeshtarët dhe intrigantët, në të gjitha rastet janë edhe servil, veti kjo e urryer në jetë, ata gjithmonë janë pakicë. Ne si shumicë, në çdo kohë duhet ta themi dhe ta mbrojmë të vërtetën, duke e thënë të vërtetën, nuk i hy në hak askujt, pa asnjë hamendje, kërkoni falje për gabimet që bëni, në mungesë informacioni, apo pa dashjen tuaj. Të kërkosh falje kur gabon pa dashje, është virtyt dhe fisnikëri e lartë njerëzore- urtësia popullore thotë:

“ Gabimet e paqëllimshme janë njerëzore, ato të qëllimshme janë djallëzore!”…

Askush në asnjë rast e rrethanë, nuk duhet harruar se nuk fshihet dot historia e një organizimi, bashkëveprimi, kontributi etj., duke mohuar shokët, bashkëveprimtarë dhe mitë e vërtetë, qoftë kjo edhe për qëllime të caktuara, ambicie të ulëta, vuajtje patologjike apo kundërshti personale që mund të kenë pasur kundër njërit- tjetrit, kjo sjellje e pakëndshme nuk shpie askund. Është e saktë, për fat të keq kjo shëmti ka përcjellë njerëzimin nëpër kohë që nga lashtësitë. Në të gjitha kohët, janë grindur e urryer rivalët për vdekje, si; tiranë, sundimtarë, sulltanë, mbretër, despotë, princër, mjeshtër, filozofë, krijues, artistë e deri tek njerëzit e politikë- bërjes sot! Prandaj nuk bëjmë ndonjë përjashtim as ne. Shajnë dhe linçojnë figura të caktuara që shqiptarisë i kanë dhënë më shumë së të tjerët nga brezi i vet, si Skënderbeu, Zaharia Gropa, Rrapo Hekali, Gjoleka, Curri, Boletini, Noli, Gurakuqi, Qemali, Prishtina e deri tek familja Adem Jashari.

Përse linçohen këta? Sepse në raport me kohën dhe në krahasim me të tjerët, këta i kanë sjellë shoqërisë më shumë të mira nga të tjerët. Kanë qenë më largpamës, më të vendosur dhe më të guximshëm së të tjerët. Ky fenomen epërsie psikologjike, nuk paraqitet vetëm tek njerëzit, por edhe tek kafshët, të vetëdijshëm se njeriu i takon botës shtazore dhe jo e asaj bimore. Pra, vetëdija jonë si qenie, ka një shkallë më të avancuar të zhvillimit: përderisa kafshët, në shenjë dominimi mbi kundërshtarin, përdorin brirët, dhëmbët dhe shqelmat, në të mirën e njerëzimit është që të distancohemi nga kafshët, pra të mos “kafshojmë” më dhëmb, të mos i gjuajmë me shqelma njëri-tjetrin, por t’i respektojmë ata që shoqërisë i kanë dhënë, dhe po i japin më shumë nga të tjerët!…

Në grupimet tona politike dhe kombëtare, konsideroj se shumica e tërësisë së anëtarëve, kanë qenë të përkushtuar shumë sinqerisht, kanë dhënë gjithçka nga vetja e tyre për liri e bashkim kombëtar. Pa dyshim se duke qenë për një kohë të gjatë në krye të një organizimi, “dashurohesh” në vetvete, dhe kjo të krijon përshtypjen së vetëm ti je i gjithëdijshëm, i gjithanshëm  dhe i përjetshëm, madje edhe i pazëvendësueshëm!

Prandaj nuk e duron dot mendimin e tjetrit, mendimin ndryshe, apo përplasjen e të kundërtave, aq më pak largimin nga posti, detyra, karrigia e kështu me radhë (gjëra që ne, sot po i dëgjojmë dhe po i shohim përditë me sytë tanë), madje tek të gjithë liderët partiak në Kosovë, Shqipëri, Ballkan e më gjerë.

Pikërisht, në rrethana të tilla, kanë lindur diktatorët që kanë bërë kërdinë, përderisa një ditë populli është detyruar t’i largojë me revolucione. Është e ligjshme, që në krye të një organizimi politik, ekonomik, kulturor, sportiv, krijues, një shoqate kulturore apo humanitare të ketë të zgjedhur, të emëruar, të caktuar, të ngarkuar, persona apo personalitete, që ushtrojnë një detyrë për një kohë të caktuar, por jo përgjithmonë e pafundësisht! Duke u përpjekur që të bëhemi të përjetshëm dhe të pazëvendësueshëm, ne, më pastaj bëjmë gabimin trashanike, çmim ky që zakonisht përplaset mbi kurrizin e shoqërisë, dhe ne si shoqëri e civilizuar, e ngritur dhe atdhedashës, nuk do duhej ta lejojmë këtë.

 

CH- 09 – 10 – 2024

Mehmet Bislimi

Kontrolloni gjithashtu

Dr. Skënder Demaliaj: Adoleshentët, shkolla, familja dhe shoqëria I

Sjelljet devijante të adoleshentëve e kanë burimin në faktorët ekonomikë, socialë dhe psikologjikë. Baza është …