Mehmet Bislimi: Në një vend ku secili kundërshton secilin, është vështirë të mbetesh indiferent!

Nëse këto perceptime aktuale skicojnë klasën politike gjithandej tokave shqiptare, atëherë është i pashmangshëm zhgënjimi i prurjeve të dëshiruara përgjatë një decenie e gjysmë. Me gjithë emocionin e pajustifikueshëm, qytetari ynë ende po vuan nga anemia e guximit për t’i vënë me shpatulla për muri të papërgjegjshmit e ngarkuar me përgjegjësi në kohët e pakohë që kaluam, por që nuk po i lëmë dot pas, pa përjashtim nga të gjithë krihet politik!


Që nga dje e deri tek e nesërmja, në mënyrë analoge, gjatë gjithë këtij rrugëtimi sikur na ka përcjellë një psherëtimë e mëdyshjes dhe zhgënjimit të bazuar përballë operatorëve tanë politike, opusi filozofik i të cilëve nuk ka çka të ofrojnë më shumë. Peshuar me kandarin e paanësisë, rruga politike, kalorësit dhe kalëruesit e saj Kosovën e shpunë deri atje sa të krijon përshtypjen e papërgjegjësisë së shtet-bërjes, e cila nuk mund të jetë e plotë pa forcimin e ligjit, mëkëmbjes ekonomike, pacenueshmërisë territoriale, morale, politike, kombëtar, përgatitja diplomatike, strategjia për të udhëhequr dhe zhvilluar shtetin, sigurinë e qytetarit, fuqinë vendimmarrëse mbi dukuritë e shumta negative që po vrasin Kosovën sot- Jo!, fatkeqësisht jo, shkarjet e njëpasnjëshme nuk ta forcojnë bindjen deri në atë shkallë sa qytetari ynë të mos ndihet me krenari të vrarë pa fajin e tij!


 


Përkundër vullnetit të mirë, në përditshmërinë tonë po forcohet përshtypja e një ndjesie inferioritetit përballë problemeve të shumta të cilat duan trajtim të veçantë dhe emergjent.


Ky kompleks varësie në shoqërisë tonë, sikur ka kaluar në rutinën e politik- bërjes sonë e cila nuk e vret më ndërgjegjen e bartësve të saj. Fatkeqësia qëndron në faktin se; pozitë, opozitë, shoqatë, OJQ e çka jo tjetër, të gjitha këto së bashku valojnë në vorbullën e dështimeve të njëjta, që Kosovës i kanë kushtuar përfundimisht shumë, madje nuk ka fuqi e forcë premtuese që mund të zhbëj kohën dhe dëmin që pësuam. Forca e ligjit (nëse ka), apo nëse do ketë ndonjë herë, nuk duhet të falë askënd.


 


Qasja nga një këndvështrim tjetër, pa përvetësuar të drejtat e rezervuara të dyshimit mbi atë që është bërë dhe mbi atë që ka mundur të bëhet, sigurisht edhe mbi këtë që aktualisht po bëhet, na shpie në evokimet afirmative të momentit të cilat nuk ofrojnë më shumë së një mundësi për të gjykuar; nëse kemi të drejt të besojmë, apo të dyshojmë?, populli ynë, duke njohur aktorët politik të kësaj loje, pa dyshim se mosbesimi vetëm sa do të shtohet, vetiu shtrohet pyetja: deri kur kjo përformancë e mjerë e tyre?!- kjo është për t’u thënë, dhe duhet thënë figurave të caktuara të cilat katërçipërisht kanë devalvuar nga uni i vet.


 


E vetëkuptueshme, rendi i ri e do që „politika moderne“, të ketë edhe fërkimet e saja të cilat do të qojnë pakontestueshëm drejt finalizimit të qëllimit rikuperues e të gjithë asaj, që e keni vrarë nëpër kohë me papërgjegjësinë tuaj- a do të arrihet kjo, jo, asnjëherë, urtësia filozofike e thotë aq bukur: nuk mund të lahesh dy herë në të njëjtin uji!…


 Me gjithë përpjekjet për të kuptuar dhe “justifikuar” këtë shkallë të politikës denigruese, hequr me aq “finesa të holla”, mbi murin ndarës, që është ngritur me shpresë se ndoshta dikush do t’i vë çatinë shtëpisë së re mbi gërmadha të vjetra, për t’ia pritur pikën lagies- jo, nuk më mbushte mendja se kjo do t’i rikthej gjërat në pikën zero, për të zgjedhur problemet e shumta grumbulluar prej kohesh në vendin tonë: A thua besoni ju në këtë; deri dje ishit bashkëpërgjegjës dhe bashkë-bartës të këtyre dukurive, të paktën vrani mendjen se kjo nuk mund t’ju shfajësojë nesër, jo aspak. Nuk e besoj se jeni aq naiv për të mohuar gjëra që ishin bërë dhe zhvilluar nën hundën tuaj për gjatë gjithë asaj kohe.


 


Pajtohem, çështja jonë kombëtare nuk është e re, nuk është diçka që ne nuk jemi përballur me te, nuk është e zgjedhur, duhet të zgjidhet, tokat shqiptare nuk janë të çliruara, nuk janë të bashkuara, përkundrazi janë të pushtuara e poshtëruara, duhet të çlirohen e të bashkohen dhe shumë gjëra tjera afërsisht të ngjashme duhet urgjentisht të marrin formë. A jeni ju ata që zotimet për t’i kryer detyrat kombëtare do t’i bëni realitet!?- nuk e besoj. Dëshiroj të besoj se bartësit aktual të politikës në Kosovë, pozitë- opozitë, të mos hiqen aq naiv për të mos e kuptuar rolin e tyre (parcial), në vorbullën e politikes aktuale e cila thjeshtë, po ridefinon ide të njëjta të kohëve të vjetra, për ndarje dhe rindarje të tokave tona, të njerëzve tanë, të subjekteve tona politike, të shoqatave, të sindikatave, të intelektualëve, të akademikëve përfundimisht të çdo gjëje që është unik, në mënyrë qe dy e dy të mos mbesim të bashkuar- qëllim ky shekullor i pushtuesve tanë. Nëse është i vlefshëm konstatimi se duke qenë unik erdhëm deri këtu, atëherë gjykoni vet se ku do të na shpie zhbërja dhe shkapërderdhja!


 


E saktë, fitues do të jenë vetëm ata që ruajnë esencën konstante të zotimi të dhënë për atdhe dhe në emër të tij, vetëm ata që atdheut nuk ia kanë luajtur t’ëmën- nëse ata janë më shumë se një në numër dhe konsekuent në qëllimet e tyre, aty edhe mund të varët një fije shprese, të tillët kanë çka të bashkojnë në shërbim të atdheut, atëherë bashkohuni admirueshëm, sinqerisht, moralshëm dhe njerëzisht, nëse jeni ata që njëri-tjetrin mund ta shihni në sy, nëse jeni ata që dje i keni ruajtur shpinën njeri-tjetrit, dhe jo shpinën nga njëri-tjetri. Në të kundërtën, ndahuni përgjithmonë dhe sa më shpejt, pavarësisht dëmit që mund t’i bëni vendit. Përvoja duhet t’ju mësoj se kështu stërkequr dëmtoheni edhe më shumë, dëmtohet vendi dhe imazhi i tij, duke krijuar huti tek admiruesit, duke mbjellë dyshim tek ata që ju kanë besuar deri dje shumë sinqerisht e që e kanë shumë të vështirë t’ju besojnë më tutje, pra kujt t’i besojmë; në vendin tonë, ku të gjithë drejtojnë gishtin nga njëri-tjetri, ku të gjithë hedhin gurë e baltë mbi njëri-tjetrin, ku të gjithë shajnë njëri-tjetrin!


 


Ju duhet ta dini se shtegu i ndarjes, nuk është edhe shtegu i bashkimit, madje as neglizhimi i qëllimit për të arritur atje ku është pikësynimi nuk është mjeti i duhur. Kjo strategji shterpë po humbë peshën e vet, dhe sa më shumë që po ikën koha, aq më shumë po zbehet qëllimi i desidentizmit etik e politik në këtë kohë të pakohë, ku po luhet bixhoz me durimin dhe etikën njerëzore! Ndryshe, kjo faturë iu dedikohet të gjithë atyre që u bazuan në perceptimin e figurave të shterpëzuara politike në kohë, me apo pa vetëdijen e tyre.


Perceptimi i figurave dhe figurat e perceptuara kanë dallime të mëdha në shije, ato kanë evoluar nëpër kohë- fatkeqësisht kanë përjetuar ngritje, fatmirësisht edhe rënie!, diçka që bie ndesh edhe me vet ligjet e dialektikës!


 


Nuk qëndron fakti se dikush fitoi, jo, më i saktë është konstatimi se dikush humbi!, dhe atë ishte i dedikuar për të humbur për shkakun e thjeshtë se ata i shoqëronte neglizhenca e asaj që nuk do duhej të neglizhohej, përderisa ata që fituan, në asnjë çast nuk e kishin ëndërruar fitoren mbi shitjen e qofteve në qendër të qytetit në kulmin e fushatës, pra nëse mund të themi: fushatë me qofte, nuk ma zë goja të them se vota e sovranit u shit, nëse jo, u ble për 5 copë qofte e gjysmë lëpijë, ca piper të sertë dhe me shëndet! Shtrohet pyetja, në gjithë këtë fushë të lojës, ishin futur ata për të humbur, apo ishin të humbur që pa u futur në lojë- pra nuk ishin të papërvojë! 


 


Fatkeqësisht, mirësjellja njerëzore në kohët e demokracisë në zhvillim, sikur është e rrallë, nuk bënë ndonjë përjashtim as tek ne. Ky diskurs institucional, moral, tradicional e zakonor, nuk rregullohet mbi platformën e kësaj farse të imponuar, mbase kishte edhe ca hile nga faktori i jashtëm, duke na hedhur në udhëkryqet e historisë sonë të dhimbshme.


Në një vend ku secili kundërshton  secilin, është vështirë të mbetesh indiferent!


shkurt, 2014

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …