Mehmet Bislimi: Në përkujtim të veprimtarit të përkushtuar, XHAVIT HOXHA ( 1952 – 2007 )

 


Për çdo ditë dhëmbi i kohës po na gërmon nga pak miq e shokë. Për çdo ditë nga rrethi ynë po shkëputen lulet e kopshtit të jetës sonë miq e shokë. Për çdo ditë jemi dhe nuk jemi më së bashku miq e shokë. Për çdo ditë na dhemb shpirti kur ndahemi nga më të dashurit tanë dhe papritmas na vjen kumti se iku: ky, ai, ti, unë e kështu me radhë!… Ligjet e natyrës kanë caktuar që gjenerata të ndërrojë gjeneratën dhe ne nuk mund të jemi kundër natyrës edhe po deshëm. Në pamundësi të ndërrojmë këto ligje që shumë herë na krijojnë dhimbje, na mbetet të kujtojmë me respekt të thellë shokët, miqtë, bashkëveprimtarët, atdhetarët e denjë, dashamirët dhe burrat e dheut që ikën nga kjo jetë. Duke përkujtuar, njëkohësisht ne do të bartim këtë kujtesë tek brezat që na pasojnë. Pranojmë shumë çiltër se ka disa ndarje që peshën e dhembjes e kanë më të rëndë, ka dhembje që rëndon më gjatë e më shumë e që përmallshëm e përjeton secili në mënyrën e vet.
Ikja e të madhit Xhavit Hoxhës për në botën e përtejme sikur nuk na lejon që të pajtohemi se ai nuk është më në mesin tonë, ani pse sot po bëhet një vit! Familja e tij ngrysët dhe zbardhë ditët me emrin dhe kujtimet e Xhavitit. Ne shokët takohemi dhe ndahemi me fjalët e tij në gojë. Atdheu marshon për t’u forcuar nga shtytjet dhe veprat e tij të mëdha. Populli mbanë valë në gji kujtimet dhe shëmbëlltyrën për te.
– Xhavit Hoxha, heu burri i dheut, sa ëmbël do të tingëllojë emri yt në rrugët tona të pafundme drejt çlirimit dhe bashkimit të kombit! Nuk më bënë dora punë të rendis një shkrim nekrologjie. Se nuk mund të shkruhet rëndomtë për ty, se ishe dhe mbete i veçantë, i jashtëzakonshëm. Na dridhet dora dhe buza ne – shokëve dhe miqve tuaj, dhe nuk po lirohemi dot nga malli për ty dhe për shokët tjerë që nuk janë më në këtë botë! Megjithatë dua të përpiqem që të gjurmoj më shumë në thellësitë e shpirtit tim, në kujtimet e pashlyera dhe të bukura që kam për ty. Ditët dhe muajt po kalojnë. Tash do fillojnë të rrokullisen edhe vitet. Megjithatë familja jote, ne shokët tuaj, atdheu, për jetë do të jemi krenar me kujtimet për ty. Nga dora jote edhe Edi ndezi kandilin e lirisë, që iu bë dritë popullit tonë. Nga mësimet tuaja shumë vëllezër patën guximin dhe diturinë për të luftuar heroikisht për lirinë e Kosovës.
Mungesën tënde dhe të shumë shokëve tanë, tani po e ndiejmë për ditë e më shumë, fuqinë e shpirtit të poetit që dikur kishte shkruar, tani po e kuptojmë më shumë: …“ 0oo, ka ra shiu e s’ka me la, ka ra dielli e s’ka me tha!”…
Atdhetari i devotshëm, Xhavit Hoxha ishte veprimtar i palodhshëm i çështjes kombëtare, profesor i nderuar, ish i burgosur politik dhe i angazhuar në periudha të hershme, themelues i celulave të para në rrethin e vet për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare. Ai së bashku me trimat e orëve të para të lirisë, me sakrificat dhe përpjekjet personale, ata bënë që të zbardhë faqja e atdheut tonë të zhuritur nga flakët e lirisë. Në oxhakun e familjes Hoxha, nga babë Hysniu e nënë Nuria, në fshatin Junik, zunë e rritën shtat luftëtarët e lirisë, bijë të denjë të atdheut, njëri i pushkës dhe tjetri i penës – vëllezërit Xhavit dhe Edmond Hoxha të cilët në tabanin e historisë sonë më të re kombëtare, lanë veprat e tyre madhështore. I brumosur me guxim intelektuali, i gatshëm që në çdo kohë të vepronte në bashkëveprim me të gjitha shtresat që për synim kishin çlirimin e atdheut nga falanga serbe, Xhaviti bënte pjesë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në ish Jugosllavi. Ishte anëtar aktiv i grupeve ilegale të asaj kohe që vepronin edhe në Deçan si: “ Komiteti i Deçanit”, në kuadër të lëvizjes se udhëhequr nga atdhetari i devotshëm, Jusuf Gërvalla.

Xhaviti një kohë ka punuar si profesor në Gjakovë. I nderua në ato anë si mësimdhënës, edukator, prind dhe atdhetar i pashembullt. Pushteti jugosllav me shërbëtorët e vet po gjurmonte për të këputur fijet e atdhedashurisë së shqiptarëve. Kështu duke rënë edhe në gjurmë të këtij komiteti, pasuan arrestimet. Ndër shumë emra të njohur atdhetarësh si: Ismail Haradinaj, Hasan Ukëhaxhaj, Jashar Salihu e të tjerë, arrestohet edhe Xhavit Hoxha. Ishin virtytet e këtyre intelektualëve të guximshëm, që me vendosmëri iu kundërvunë pushtetit antishqiptarë titist. Veprimtari Xhavit Hoxha, në kushte të një trysnie politiko hegjemoniste-policore të asaj kohe, pas vëzhgimeve dhe gjurmimeve të shumta të titistëve të atëhershëm u shtrëngua që të merrte vendimin e arratisjes nga vendlindja për të marrë në sy rrugët e mërgimit politik. Ai u vendos në Zvicër për të vazhduar atje veprimtarinë politike në shërbim të atdheut, për të mos u ndalë deri sa mbylli sytë përgjithmonë. Ishte njëri nga ideatorët dhe pikërisht në banesën e tij u vunë themelet e Fondit për të ndihmuar luftën çlirimtare në Kosovë. Institucionalizimi i “ Fondit Vendlindja Thërret”, pa dyshim se ishte edhe meritë e Xhavit Hoxhës.
Ai ishte i përkushtuar me tërë qenien e vet në shërbim të atdheut. Ai nuk u ligështua e nuk u lëkund as edhe një herë. U mbajt i fortë siç dinë të mbahen veç burrat e mëdhenj edhe atëherë kur mori vesh për rënien e të vëllait të vetëm – Edmondit, i cili ra heroikisht në zemër të atdheut së bashku me çlirimtarët Zahir Pajazitin dhe Hakif Zejnullahun. Xhaviti më këtë rast na forcoi edhe ne të gjithë shokëve, duke na thënë:” Nuk ka liri pa gjak dhe ne me vetëdije iu kemi qasur kësaj lufte, prandaj duhet të jemi të përgatitur për rrugë të gjata. Ne e kuptojmë se liria ka edhe tagrin e saj, prandaj duhet që t’i përgjigjemi zërit të atdheut flakë për flakë! Rruga e çlirimit dhe e bashkimit të tokave shqiptare nuk është e lehtë. Për këtë kemi qenë të vetëdijshëm dhe me guxim duhet të veprojmë. Vetëm për një gjë me mbetët merak: Sikur unë ta kisha pasur fatin për të rënë në vend të tyre. Ata do të duhej të jetonin më gjatë, ngase ishin më të ri dhe atdheut do t’i shërbenin më gjatë e do t’i jepnin më shumë nga unë!”… Derisa fliste kështu i madhi Xhavit Hoxha, më dukej se nga goja nxirrte flakë e shkëndija….
Në muajin maj të vitit 2006, veprimtari i nderuar Kadri Rexha, pati bërë një intervistë me Xhavit Hoxhën, intervistë kjo që u botua ne shumë media të shkruara dhe elektronike shqiptare.
Në atë intervistë, pra në maj të viti 2006, Xhavitin, intervistuesi Kadri Rexha, ndër të tjera e kishte pyetur edhe për qëndrimin e tij përballë gjendjes aktuale si dhe për pozitën e ish të dënuarve politikë?
Xhavit Hoxha ishte përgjigjur:” Ne jemi dergjur burgjeve dhe hetuesive, të torturuar e të fyer në mënyrat më çnjerëzore, të dënuar e të degdisur meridianëve të botës, ne që nuk i ramë Kosovës në qafë për asgjë personale. Ne në parim iu përmbajtëm urtisë së Xhon Kenedit dhe kemi mbetur të njëjtit idealistë me gatishmërinë që deri në vdekje të punojmë dhe të flijohemi për liri, për gjuhë e flamur dhe për çlirimin e bashkimin e kombit. Kosovën as e kemi gënjyer, as e kemi vjedhur ndonjëherë, prandaj as kërkojmë shpërblim prej saj. Kemi vetëm një lutje: zot, tokë shqiptare dhe popull, na prano ashtu siç na ke lindur, ashtu siç na ke mësuar, ashtu siç na ke edukuar!”…
Nga një sëmundje e rëndë, Xhavit Hoxha vdiq më 20 nëntor 2007 në spitalin e Winterthurit të Zvicrës. Nga shpirti ynë u shkëput edhe një meteor, ai u varros me nderimet më të larta në Junikun e tij të dashur. Tek po kalonte pranë shtatores së vëllait të tij, Gjeneral Edmond Hoxhës, kortezhi i përmortshëm sikur ngriu: “Gjeneral Edmond Hoxha, po nderonte të vëllanë e tij me pozicionin GADITUR!”…
Për jetë e mot qoftë i nderuar kujtimi për birin e madh të tokës shqiptare, atdhedashësin e devotshëm, të madhin Xhavit Hoxha!

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Albin Kurti mendon se mërgimtarët e kanë ngatërruar regjistrimin e popullsisë me regjistrimin për votim

Kryeministri, Albin Kurti i ka bërë thirrje mërgatës që të regjistrohen për të votuar në …