Mehmet Bislimi: Një tablo e shëmtuar

     Në shumësinë e përpjekjeve të mia për t’i dhënë një shpjegim të mirëfilltë prostituimit gjysmë-kolektiv të kohëve të fundit, më shumë për ta thënë të vërtetën e madhe, shumë kujt sikur nuk po i bëhet vonë se çka po ndodhë rreth e përreth nesh. Anashkalimi i njëmendësisë prej kryeneçëve dhe plëngprishësve, padiskutueshëm kërkon më shumë se qartësinë e një fundi të paevitueshëm, të një zhbërje fatale e denigruese, fund ky që po vjen pa fajin dhe vullnetin tonë. Rrëshqitje kjo drejt humnerës së madhe të cilën me kohë e kanë gërmuar akterët politik të të gjitha ngjyrave regresive- dashakeqës të kësaj pëllëmbe tokë që i thonë Kosovë e shumëvuajtur.


S’do mend, do korrim atë që mbollët ju në kohë të pa-ajuam, fatkeqësisht lamën do lajmë të gjithë, edhe ata që më së paku janë përgjegjës për këtë katrahurë!, respektivisht cilat janë larushitë që do ushqeni admiruesit e sinqertë por edhe ata naivë. Sinqerisht, do përpiqem të kujtoj diçka qoftë edhe shumë të thjeshtë nga opusi i dikurshëm futur në rrënjën katrore, fatkeqësisht që kurrë nuk u shumëzua me vet-vetën, për pasojë polli produktin e mbarsjes së shëmtuar që nuk mundëson për të thënë qoftë edhe një fjalë mbi rrugën tuaj të rrëpirë në koketi me të pa burrat, mbase edhe për shkaqe etike, nuk do të pranoja që të zbres në grykën e zdralë deri në banalitet. Atje ku ju premtoni çiltërsi, atje ku kotësia është aq bosh, aq e ftohtë, aq e thatë, aq absurde, aq e gjatë. Në fakt, tani më kujt i hynë në punë zhgënjimi që sollën ndër vite bartësit politik të të gjitha ngjyrave në Kosovë!…


 


Zoti i madhe e di, po kush do ta besonte do të vjen ditë, që ju vet, pa dhunë e shtytje nga jashtë të dëshmonit se vërtetë jeni këta që hiqeni sot! Madje dyshimi rritet arsyeshëm; ju qenkeni hequr, pa qenë të bindur se jeni këta që jeni e nuk bëheni dot atë që hiqeni!


Jo, pa dashur që meditim im i të shkruarit të marrë formën e një analogjie mbi qenësinë tuaj të kaluar e të tanishme, jo, larg qoftë, nuk do t’i vrasim së koti ngjyrat e zërit tonë që dikur u ngritë për mbrojtjen tuaj deri në kupën e qiellit, më shumë për mbrojtjen e të vërtetës së madhe të cilën ju e keni vrarë me dorën tuaj kaq pamëshirshëm- uroj të jetë ky gjest naiv e i padjallëzuar, aq e vështirë për ta besuar! Meditim ky imi ky, mbase më shumë për të vrarë kohën e heshtur që po na pjellë kaq zhgënjim e monotoni tek porta jonë, rrapëllimave të së cilës pak kush po i përgjigjet. Dhe krejt kjo teoremë e saktë:


Në një vend ku ikën shoqëria dhe nuk ikin (ndiqen) pushtetarët, katërçipërisht ndryshon nga vendi tjetër ku nga shoqëria ndiqen pushtetarët e shoqëria i ndjek e nuk ndalët, duhet të mendojmë shumë thellësisht, kush është ndjekësi e kush ikanaku, kush miku e kush armiku ynë që jeton mes nesh e ne nuk e kapim dot, Posi!


 


Për më shumë, shqetëson kureshtja; nëse beson dikush ende në atë që thuhet e shkruhet?!, sa keq jam ndier kur kam parë e lexuar qëndrimet e paemër prej burracakësh të vegjël në shpirt, që ishin të gatshëm për ta shkelur njëri-tjetrin deri në gropë të fytit, duke menduar së kështu do të ngritën mbi ndërgjegjen e vrarë të njëri-tjetrit!, jo, gjithë ajo e thënë dikur në emrin tuaj, në emër të ndërtimit të ardhmërisë, në emër të zhvillimit të shoqërisë, në emër të vajzës e djalit, madje edhe në emër të vrasësve të idealit, në emër të lulëzimit e përparimit, në emër të ngazëllyerve dhe të zhgënjyerve! Nuk janë të largëta kohët kur ju kemi parë si vinit vërdallë e hapareshur, të përndezur e eksituar si asnjëherë më parë- ju “unik”, ju forca dhe shpëtimi i kombit, ju kundërshtarë të përbetuar deri në vdekja – bashkohuni në shërbim të atdheut!, a thua i beson kush më kësaj batute, dhe asaj të dikurshmes: proletarë të të gjitha kohëve bashkohuni!?…


 


Të jetë e saktë vallë; ata kërkonin dikur, me aq zhurmë e vendosmëri të godisnin të gjithë ata, që këtij vendi në kohët më të vështira ju përgjigjen me sa zë e takat kishin, si masë kundërpeshe, tani prurjet e turbullta erdhën enkas për t’i ngritur ata, që në kohët më të vështira atdheut ia gërryen mëlçinë!… ju, që kanakarin tuaj dikur e shanit, sot i këndoni, pa dyshim nesër e mbroni, po aq e saktë; pasnesër do ta shani prapë, dhe kështu sipas motit edhe gëzofi, tani nuk di kush kujt t’i beson, natyrisht më i madh është zhgënjimi për atë që ofroni, dhe nuk i dihet kur do na shani e kur do na lavdëroni, kur do na qeshni e kur do na qani, kur do na shpifni e lakoni, tanimë pak rëndësi ka kjo në këtë kakofoni zërash që na zverdhë, që nuk na bënë nder. Me gjysmë fryme po gërmoj për të nxjerrë nga gjoksi i dheut të vërtetën e madhe, koha më iku në gërmime arkeologjike të kohës së pabesive moderne, mbi atë rrugë që kam njohur e prekur dikur, dhe mbi këtë rrugë me gropa që sot nuk po kam dëshirë ta shoh e aq më pak ta pranoj e njoh!… duart po më dridhen, si nuk i paskam vënë re e pikasur fare, në mos nga naiviteti apo besimi i verbët që sot e nesër do paguajmë tagrin e saj të lartë. Më duhet të pranoj se çiltërsia e pa vend, na u keqpërdor e hakmor tejskajshëm pa fajin tonë. Si gjithmonë të parët digjen të sinqertët, dhe nëse kështu është, fajtoret duhet të jemi ne, ne që nuk arritëm tua çjerrim maskën e artit të shtirjes së përsosur dhelparake me kohë!


 


Jam kundër idesë që njeriu të përbaltet njëanshëm, pa dyshim këtë mendim e ndajë për njeriun, pra për njerëzit- por për të panjeriun dhe të panjerëzitë; ç’thua ti, nuk e di nëse më besoni, sa rëndë më vjen kur ju shoh; nëse e dini sa poshtë keni rënë, dhe këtë tablo të trishtueshme më së paku do të dëshiroja ta shihja në jetën time…, megjithatë, në mosdashje për t’ju besuar mëdyshjeve, koha u dogj në hellin e besimit të vet, dhe nuk u dogjët vetëm ju, por përnjëherësh gati një brez i tërë, meqë ju besuam aq shumë, ju besuam pa hezitim dhe ishte pikërisht ky besim mbi të cilin u ngritën antivlerat që po përdhunojnë interesat jetike të atdheut, që po prodhojnë përditë e më shumë injorant e mbytës të ardhmërisë së vendit tonë. Kjo, do të duhej të ishte e dënueshme për të gjithë ne, madje, janë parimet etike më elementare këto që nuk tjetërsohen me as një çmim: e liga të dënohet, të goditët që në zanafillën e vet, ndryshe do merr rrugë e liga që do vret e po vret për ditë e nga pak.


 


Uroj të mos më ketë braktisur kujtesa kaq thellë, për të mos e harruar të kaluarën e një portreti të vrarë brenda kornizave të dala boje, o zot si nuk ju vret loja me fjalë, ngrënia e gënjeshtrave valë, fytyrë nxirë, fytyrë nxënë, fytyrë vrarë, kush do të besonte se ju ishte hajdutë, gënjeshtarë, mashtrues, ju lozonjari, të gjithëditur- njëkohësisht tmerrësisht të marrë!


Tani që gjërat dolën sheshit, jam shumë më i qetë, ndihem shumë më i lehtësuar; ju njoha e nuk dua të ju njoh më, o nuk e besoni sa i lehtësuar që ndihem, me të panjerëzitë nuk do të takohem më, nuk do të lakohem më, nuk do të fërkohem më, me ta, nuk do të betohem më, me ta nuk do të pajtohem më- kurrë!


 


Është puna e sinqertë ajo që të bën nder, është mundi dhe sakrifica, përkushtimi dhe burrëria, kur njerëzit japin dhe jetën, por të vërtetën nuk e shtrembërojnë, dhe bukën nuk e hanë të lyer me turp, nga ana tjetër, po aq e saktë; turpi deri sot nuk mbyti as kë!  


     


   – Thënia se, përditë e më shumë po i njoh njerëzit e ligj, dhe duke i njohur njerëzit e ligj, pa dyshim; përditë e më shumë po ndihem më i lehtësuar- më doli e saktë!… 


 


Mars, 2015

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …