Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Pas 20 vitesh, kërkohet unitet!

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, kishte mbajtur dje takim për të diskutuar projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Grupi Parlamentar i këtij subjekti, ka ftuar përfaqësuesit e Grupeve Parlamentare dhe përfaqësuesit e Organizatave të luftës së UÇK-së, ku pas diskutimeve të shumta, kanë arritur unitet  në mbështetje dhe miratim të projektligjit.

Pak përtej absurditetit në kohë, edhe pas 20 vitesh, duhet të kërkohet unitet!, ku ishin subjektet politike që veprojnë në Kosovë për gjithë këto vite, që nuk paskan marrë as mundin më të vogël për të unifikuar skenën politike Kosovare për çështjet kyçe; siç janë luftëtarët e lirisë, për të nxjerr një ligj që njeh dhe mbron vlerat e luftës sonë çlirimtare.  Më shumë se kaq: a nënkupton kjo së për 20 e sa vite, partitë politike të Kosovës, qenkan hamendur e ndarë në taborë kundër dhe për lirinë e Kosovës, dhe nëse është kështu, tani, përse kërkohet unitet me ata që ishin dje, dhe janë sot kundër këtij uniteti?!

Nëse duhet të unifikohemi për të mbrojtur diçka të shenjtë, siç ishte lufta jonë çlirimtare, edhe më keq, kjo tregon se ne, nuk jemi dhe nuk paskemi qenë të unifikuar, prandaj thirren tani takime me urgjencë, ngase nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për 20 e sa vite me radhë, për nxjerrjen e një ligji sa më të mirë për vlerat e luftës!

Që 20 e sa vite, shumë nga çlirimtarët tanë, nuk janë më në jetë, shumë nga ta janë pa gjymtyrë, janë stigmatizuar, anatemuar, shantazhuar, përbuzur, burgosur e dënuar, sëmurë e harruar, janë sharë, fyer e nënçmuar, braktisur e margjinalizuar, janë të skamur e pa kulm mbi kokë: për çfarë uniteti bëhet fjalë këtu e sot, pas 20 vitesh, ku ishit ju, subjektet politike të Kosovës gjatë gjithë kësaj kohe?!

A nuk është kjo më shumë së papërgjegjësi morale dhe politike, shoqëritë e zhvilluara, për 20 vite, këto çështje i kanë dërguar në muzeun e historisë së vet të lavdisë kombëtare, dhe as kanë pasur nevojë të diskutojnë për çështjet dhe vlera që kanë poseduar, siç është uniteti i tyre për ta çliruar dhe bërë shtetin e vet. Vetëm tek ne, kërkohet uniteti, kjo vërteton katërçipërisht se tek ne, nuk ka pasur, madje as tani nuk ka unitet për të mbrojtur bijtë tanë çlirimtarë, prandaj thirret një tryezë për të bërë be e rrëfe, se jemi unik. Kësaj lavirësie politike të kohëve moderne, vetëm në Kosovë i vjen era unitet!

Ndryshe, për sqarim, pa shtuar gjë: aty ku kërkohet unitet, dëshmohet se ka anarki, aty ku kërkohet paqe, dëshmohet se ka luftë, aty ku kërkohet miqësi, dëshmohet se ka armiqësi, aty ku kërkohet falje, dëshmohet se ka gabime, atu ku kërkohet qetësi, dëshmohet se bëhet zhurmë për asgjë!

Ushtria Çlirimtare e Kosovë, liria e vendit, sovraniteti dhe integriteti territorial, janë çështje të shenjta, të pa prekshme dhe të pa tjetërsueshme, prandaj të gjithë ata që nuk janë unik në këto çështje imediate, më thjesht, nuk janë të denjë ta përfaqësojnë vendin dhe interesat e shtetit tonë. Kushdo që nuk respekton bijtë tanë çlirimtarë, do ta ndëshkoj historia.

Ishte pikërisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që kishte krijuar unitetin e masave gjithë popullore për çlirimin e vendit tonë, kush luan me UÇK-në, luan me historinë!

CH 28. 7. 2020

 

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …